Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump vijon të ndjekë një politikë të kundërt nga ajo e paraardhësit të tij, Barack Obama.
Ky i fundit premtoi se do të mbyllte objektin e paraburgimit në ishullin Guantanamo në Kubë, vendim ky i 2009-ës që Trump e ka hedhur poshtë me anë të një urdhri të ri ekzekutiv.
Shtëpia e Bardhë e bëri njoftimin pak para fjalimit të Trump të martën mbrëma, ndërsa presidenti tha në fjalimin e tij:
“Në të kaluarën, ne kemi lëshuar pa arsye qindra terroristë të rrezikshëm, të cilët janë kthyer përsëri në fushën e betejës, duke përfshirë udhëheqësin e ISIS, al-Baghdadi. Prandaj, sot po mbaj një premtim tjetër. Sapo nënshkrova një urdhër që udhëzon Sekretarin e Mbrojtjes Mattis të rishikojë politikën tonë të paraburgimit ushtarak dhe për të mbajtur hapur objektet e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos.
Por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ne do të vazhdojmë luftën tonë derisa ISIS të mposhtet. Terroristët nuk janë thjesht kriminelë. Ata janë luftëtarë të paligjshëm të armikut. Dhe kur kapen jashtë shtetit, ata duhet të trajtohen si terroristë që janë”, tha Trump.