Federata Shqiptare e Futbollit ka refuzuar kërkesën e bërë nga deputeti Erjon Braçe pak ditë më parë, që të kishte një kontroll të Tatimeve në zyrat e tyre. Kjo kërkesë është refuzuar me anë të një letre të gjatë të dërguar në zyrat e Tatimeve nga sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
I nderuar Z. Imeraj, Në lidhje me shkresën e nisur nga ana e organit tatimor nr. Protokolli 14243/1, dorëzuar pranë FSHF-së në datën 17.04.2018, për kryerjen e kontrollit në vend, e nisur si pasojë e kërkesës së një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, mendojmë se është në shkelje e të drejtave të tatimpaguesit dhe në shkelje të hapur me ligjin.
Së pari, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kur ushtron të drejtën e tij për informim, në bazë të Nenit 8 të ligjit të posaçëm (ligji Nr.8550, datë 18.11.1999), duhet të mbajë në konsideratë parimin e përcaktuar në Nenin 1 të të njëjtit ligj. Sipas këtij neni është detyrë kryesore e tij të veprojë në emër të kushtetutës dhe të ligjeve. Kjo do të thotë që ai nuk mund të abuzojë dhe ta përdorë kërkesën për informim me qëllim diskriminim e subjekteve të veçanta.
Së dyti, e drejta për informim e deputetit u kundërdrejtohet vetëm ministrave ose drejtuesve të institucioneve të tjera qendrore, si dhe drejtuesve të çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore. Këto institucione janë të detyruara të japin informacion sipas parashikimeve të ligjeve, mbi bazën e të cilëve janë ngritur dhe funksionojnë.Së treti, kërkesa e deputetit, si përfaqësues i popullit, duhet të bëhet në përmbushje të detyrës së tij. Kjo do të thotë që deputeti duhet të sqarojë, argumentojë dhe të japë arsyet përse e kërkon një informacion të caktuar dhe se si kjo lidhet me ushtrimin e detyrës së tij.
Së katërti, deputeti kur bën një kërkesë, duhet të ketë parasysh zbatimin e ligjeve në fuqi, çka do të thotë që në rastin konkret duhet të marrë në konsideratë detyrimet që lindin nga ligji për mbrojtjen e të dhënave personale të subjektit. Përpunimi i të dhënave personale nga kontrolluesi i nënshtrohet kreut V dhe VI të ligjit 9887 datë 10.03.2008, i ndryshuar. Bazuar në këto dispozita, përpunimi i mëtejshëm i të dhënave personale të marra nga kontrolluesi i nënshtrohet detyrimit për kryerjen e njoftimeve si vijon:
1-Të njoftojë subjektin e të dhënave nëse dhënia e të dhënave personale është e detyrueshme apo vullnetare. Nëse subjekti i të dhënave, në bazë të një akti ligjor ose nënligjor, është i detyruar të japë të dhëna personale për përpunim, kontrolluesi e informon edhe rreth këtij fakti, si dhe rreth pasojave të refuzimit të dhënies së të dhënave personale.
2-Të njoftojë komisionerin për përpunimin e të dhënave personale, për të cilat është përgjegjës. Njoftimi duhet të bëhet para se kontrolluesi të përpunojë të dhënat për herë të parë ose kur kërkohet ndryshimi i gjendjes së njoftimit të përpunimit, sipas nenit 22 të këtij ligji, të njoftuar më parë. Bazuar në nenin 23 të ligjit, komisioneri shqyrton të gjitha njoftimet dhe kur njoftimi është i pamjaftueshëm, ai urdhëron kontrolluesin të plotësoje përmbajtjen e njoftimit. Në rast se kontrolluesi nuk i plotëson të dhënat brenda afatit të përcaktuar, njoftimi konsiderohet i pakryer. Njoftimi duhet të përmbajë qëllimin e përpunimit, kategoritë e subjekteve, si dhe një përshkrim të përgjithshëm të masave për sigurinë e të dhënave.
Bazuar në nenin 25 të ligjit përpunimi i të dhënave fillon pas njoftimit. Bazuar në sa më sipër, përpunimi i të dhënave personale të marra nga kontrolluesi mund të kryhet vetëm pas kryerjes së njoftimeve si më sipër dhe lejimit të përpunimit nga komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale. Me qëllim kryerjen e njoftimeve të sipërpërmendura, është i nevojshëm plotësimi i informacionit sipas kërkesave të nenit 22 të ligjit. Kërkesa e depozituar në këtë rast nuk përmban informacionin e kërkuar sipas këtij neni. Rezulton që në abuzim të hapur të detyrës dhe funksionit që mban, deputeti ka bërë një kërkesë për informacion për një subjekt të caktuar pa u interesuar për mbrojtjen e të dhënave.
Është e vërtetë që kërkesa i është drejtuar administratës tatimore dhe duhet të jetë ajo që duhet t’i përgjigjet deputetit në respektim të parashikimeve të legjislacionit tatimor në fuqi dhe atij të mbrojtjes së të dhënave personale, por natyra e informacionit të kërkuar nga ana e deputetit është shumë specifike dhe ndoshta e qëllimshme. Nga ana tjetër, të dhënat tatimore të subjektit përbëjnë të dhëna të mbrojtura dhe organi i administratës tatimore në asnjë rast nuk mund të japë informacion në shkelje me detyrimet e përcaktuara nga ligji për procedurat tatimore. Në këtë situatë nuk jemi në asnjë nga rastet e përcaktuara nga neni 24 i ligjit për procedurat tatimore. Për më tepër, në shkelje flagrante të ligjit, të parimeve kushtetuese, duke diskriminuar dhe ushtruar presion mbi subjektin privat, organi tatimor justifikon kërkesën për informacion bazuar në të drejtën e tij për të ushtruar kontroll ndaj subjektit tatimor.Në mënyrë që administrata tatimore të ushtrojë detyrat dhe funksionet e saj në përputhje me ligjin, janë parashikuar edhe modalitetet e ushtrimit të kontrollit nga ana e saj. Ndërsa kërkimi informacionit bazuar në kontrollin në vend sipas nenit 80/3, të mbështetur në kërkesën e paligjshme të një deputeti, përbën shpërdorim detyre dhe shkelje të parimeve dhe garancive kushtetuese dhe ligjore të subjektit. Federata Shqiptare e Futbollit është e organizuar në formën e organizatës jofitimprurëse me anëtarësi. Ajo e ushtron veprimtarinë e saj e pavarur nga politika dhe në mbështetje të ligjit Shqiptar dhe rregullave ndërkombëtare të vendosura nga UEFA dhe FIFA. Në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni tatimor ka kryer dhe kryen në mënyrë të rregullt raportimet dhe deklarimet e kërkuara nga ligji, si dhe ka shlyer të gjitha detyrimet që rrjedhin prej tij.
Federata Shqiptare e Futbollit, si një organizate e pavarur jofitimprurëse, i është ushtruar dhe është e gatshme t’i nënshtrohet çdo lloj kontrolli tatimor të ushtruar nga administrata tatimore në bazë dhe në përputhje të ligjit. Por në asnjë rast, kjo organizatë nuk ka detyrim të raportojë dhe t’u nënshtrohet kërkesave abuzive me prapaskena të qëllimshme për të cenuar aktivitetin dhe integritetin e kësaj Federate. Kjo konsiderohet një ndërhyrje e hapur e politikës në aktivitetin tonë dhe për këtë janë vënë në dijeni nga ana e FSHF insitucionet e FIFA-as dhe UEFA-as. Federata Shqiptare e Futbollit gëzon të gjitha të drejtat dhe garancitë që rrjedhin nga Kushtetuta e Shqipërisë, sidomos për sa i përket sigurisë juridike, procesit të rregullt ligjor të çdo lloji, mosdiskriminimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së pavarur nga politika.
Të gjitha këto garanci dhe parime janë shkelur si nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, ashtu dhe nga organi tatimor kompetent. Mbi të gjitha, deputeti i angazhuar në këtë veprimtari që nuk ia njeh dhe lejon ligji, publikisht ka treguar shpërfillje dhe ofendime ndaj institucionit, për shkak se personalisht është i interesuar për ndikimin në përfundimin e garave sportive në vend. Kjo është një axhendë personale e këtij individi, i cili kërkon të bëjë shantazh ndaj organizatës sonë sepse, për shkaqe thellësisht personale, mendon se kjo është një mënyrë për të alternuar rezultatet sportive, gjë që është e pamundur në mënyrë absolute.
Qartazi ky është një cenim i së drejtës kushtetuese për t’u organizuar, e cila bëhet më e rëndë jo vetëm për shkak të qëndrimit të këtij anëtari të parlamentit, por sepse tashmë edhe organi ekzekutiv është i bindur dhe ndjek udhëzimet e shtrembra të këtij individi. Ndaj institucioni ynë nuk do të pranojë që pushteti ekzekutiv të përdoret për shantazh politik apo personal ndaj tij. Këto konsiderata shpresojmë t’ju mjaftojnë për të mos vijuar me veprimet tuaja që janë bërë të njohura ndërkombëtarisht tashmë dhe që do jenë objekt i veprimeve ligjore nëse nuk hiqni dorë nga bashkëpunimi me deputetin tifoz dhe të veproni bazuar vetëm në ligj dhe në interesat publike të vendit dhe të sportit. Me respekt, Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm!