Tre ish-zyrtarëve të lartë të policisë u larguan nga Shqipëria para lëshimit të urdhër arresteve. Ish-drejtorët e policisë janë shpallur në kërkim si të dyshuar të implikuar në trafik droge me bandën e Habilajve.
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Dashamir Biçaku tha se njëri prej tyre është larguar nga Shqipëria nga aeroporti i Rinasit më datë 9 Nëntor drejt Milanos.
Ish-zyrtari i dytë është larguar drejt Malit të Zi më 29 Gusht nga dogana e Muriqanit me një makinë me targa AA 808 OB dhe ish-zyrtari i tretë u largua përmes Kakavijes më 18 Nëntor me makinë me targa AA 911 JE.
Theksojmë se bëhet fjalë për ish-drejtorin e Policisë Vlorë Jaeld Çela, ish-shefin e krimit të organizuar në Vlorë Gjergj Kohila dhe ish-shefin e kufirit në Dhërmi Sokol Bode. Urdhrat e ndalimit për ta dolën që mbrëmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. SHÇBA u vu në lëvizje dhe ende nuk është arrestuar asnjëri prej tyre pasi nuk po gjenden. Për këtë ka nisur një hetim për dekonspirim të aksionit.