Aleksandri i Madh ishte vetëm 32-vjeç kur vdiq. Por me gjithë jetën e shkurtër, ai arriti një famë që i rezistoi shumë shekujve. Perandoria e tij shtrihej në 2 kontinente, dhe ishte një sundimtar grek, mbret persian dhe faraon egjiptian në të njëjtën kohë.
Aleksandri ishte një udhëheqës strategjik, një komandant i pakrahasueshëm, dhe një njeri shumë i zgjuar. Tiparet e forta personalitetit e bënë atë vërtet “të Madh”. Tre kanë qenë arsyet, që e bënë atë të dallohej nga liderët e tjerë në histori.
- Kishte si mësues Aristotelin, filozofin e famshëm grek
Në këtë aspekt, nuk ka rivalë. Të rritesh nën ndikimin e “babait” të filozofisë botërore, është diçka e jashtëzakonshme. Ishte i ati i Aleksandrit, Filipi II i Maqedonisë, ai që e punësoi Aristotelin si filozof të oborrit mbretëror.
Përveç detyrave të tij në oborr, Aristoteli kaloi shumë kohë me Aleksandrin e ri, duke i mësuar njohuritë bazë mbi matematikën, shkencat, letërsinë dhe filozofinë. Kështu, Aristoteli luajti një rol themelor në formësimin e mendjes së princit adoleshent, për t’u bërë më pas luftëtari i madh që e njeh historia.
- Kishte një paraardhës po aq të madh
Historia tregon se shumica e udhëheqësve të mëdhenj shpesh kanë një paraardhës të përkushtuar apo një mentor pasionant. Ky fakt mbeti i vërtetë edhe për Aleksandrin e Madh. Babai i tij Filipi II, punoi shumë dhe arriti të krijojë një superfuqi nga Mbretëria e Maqedonisë mes qyteteve të tjera të lashta greke.
Ushtria maqedonase mburrej me kalorësinë e saj të shkëlqyer, e cila dominonte edhe në betejat më brutale dhe me një falangë maqedonase unike. Falanga drejtkëndore përfshinte burra që mbanin shtiza të gjata,që marshonin në formacione të lidhura ngushtë mes tyre në disa rreshta.
Falanga të ngjashme mbetën një strategji popullore luftarake në fushat e betejës për një kohë të gjatë. Pas vdekjes së të atit, bashkë me fronin Aleksandri trashëgoi edhe një nga ushtritë më të forta në botë. Kontributet e rëndësishme të Filipit, i dhanë një shtysë Aleksandrit20-vjeçar që të marshonte drejt armiqve të tij dhe të pushtonte shumë territore pa ndonjë pengesë serioze.
- Kishte në dispozicion Perandorinë e madhe Persiane
Rajoni i Mesdheut ishte nën kontrollin e Perandorisë së madhe Persiane për disa shekuj, derisa ajo u pushtua nga Aleksandri. Gjatë betejës për të pushtuar tokat e Mesdheut, Aleksandri dhe ushtria e tij prej 50.000 vetash u ndesh ballazi me ushtrinë e fuqishme persiane prej 2.5 milionë ushtarësh të kryesuar nga mbreti Dari III.
Gjatë njërës prej betejave të tyre pranë qytetit Gaugamela në Persi, Aleksandri urdhëroi mbi 1 mijë njerëzit e tij që të sulmonin trupat e Darit. E quajtur edhe “sakrifica e pengut”, kjo strategji e shpërqendroi Darin. Ajo lëvizje i dha mundësi Aleksandrit që të vazhdonte me lëvizjen e tij të radhës strategjike, ku ai nisi një sulm të plotë ndaj ushtrisë persiane.
Pavarësisht se kishte një ushtri me një numër shumë më të vogël se rivali, Aleksandri fitoi me sukses kundër Darit dhe ushtrisë së tij. Jo shumë kohë më vonë, Dari u vra nga kushërinjtë e tij, dhe kjo kthesë e ngjarjeve e bëri Aleksandrin mbretin e Persisë. Në atë moment perandoria e tij shtrihej në Iran, Irak, Palestinë dhe Afganistan. / History of Yesterday – Bota.al