Një tjetër pallat pa leje është konfiskuar nga autoritetet në Tiranë. Ministri Bledi Çuçi i pranishëm në këtë aksion i cili u zhvillua në një zonë të ‘Myslym Shyrit’ në Tiranë, konfirmoi se po verifikohen godina të tjera. Sipas Çuçit, pallati i sekuestruar sot ka kate pa leje dhe ka një ndryshim në projekt, dhe pas verifikimit do konfiskohet.
“Sot kemi ardhur në një rast tjetër ku janë konstatuar shtesa kati pa leje. Kjo nuk është një fushatë mediatike apo demagogji, por është operacion ligjzbatimi i këtyre guximtarëve që i bazojnë aventurat e tyre mbi sistemin e pjesës së vjetër të drejtësisë që kur u vijnë dosje nga njerëz të kamur për evanzion fiskal e krime të tjera, e shohin si mundësi për të pasuruar xhepat e tyre”, tha ndër të tjera ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook aksionin për ndërtimet pa leje. Rama shprehet se vijon operacioni i ligjzbatimit mbi çdo metër shtesë të ndërtuar pa leje për qëllim fitimi.
“VIJON OPERACIONI I LIGJZBATIMIT mbi çdo metër shtesë të ndërtuar pa leje për qëllim fitimi
*Atyre që thonë pse u kujtuat tani, u them jemi kujtuar që ditën e parë të punës, prandaj edhe kemi 10 herë më pak metra katrorë në shkelje të lejeve të ndërtimit, se sa kur e nisëm punën”.