Nga: Fitim Zekthi
Veç shumë të tjerash, si pasojë e luftës politike, e cila në Shqipëri ka qenë gjithnjë jashtëzakonisht e egër dhe jashtë parimeve, debati mbi opozitën ka qenë përherë shumë i dendur. Një nga karakteristikat e këtij debati ka të bëjë me atë nëse mund t’i bëhet opozitë opozitës, nëse mund të jetë opozita objekt i kritikave të medias dhe të njerëzve të botës universitare apo intelektualëve, nëse e është e moralshme një vënie e opozitës në fokus të këtyre kritikave.
Brenda opozitës ka pasur gjithnjë njerëz që thonë se nuk duhet t’i bëhet opozitë opozitës, se objekti i kritikave duhet të jetë qeveria dhe pushteti etj.
Në një shoqëri të lirë, në një vend demokratik, opozitës, pa asnjë mëdyshje, mund t’i bëhet opozitë, opozita mund të kritikohet, mund të jetë objekt i rreptë vëzhgimi, hulumtimi, gjykimi etj.
Media, gazetarët, analistët, bota universitare, e kanë për detyrë të mbajnë një sy edhe tek opozita, është përgjegjësi e tyre të kritikojnë apo edhe sulmojnë brenda etikës opozitën. Çështja është vetëm tek arsyet, mjetet, konteksti politik, konteksti social apo historik dhe metoda që përdoret. Opozita, PD, kryetari i saj, janë në një sulm të vazhdueshëm. Pjesa më e madhe e medias, analistë dhe drejtues, pronarë dhe aksionerë të ndryshëm, përkufizohen nga ajo që bëjnë ndaj opozitës.
Cili është konteksti i sotëm, në të cilin ne jemi përballë kësaj gjendjeje. Ç’përfaqëson sot Shqipëria dh si qeveriset ajo, si jetojnë njerëzit? Edhe për njohësin më të dobët të shkencave politike, sot Shqipëria është një vend që kontrollohet në tërë jetën e saj institucionale nga qeveria dhe Kryeministri Rama. Edhe për ata më pak të vëmendshmit, Shqipëria sot ka një qeveri që i ka hapur derën njerëzve të botës së krimit, i kandidon për kryetarë bashkie, i mbron me forcë, ka mbjellë vendin me hashash, ka ndërtuar një mekanizëm kontrolli vertikal të jetës ekonomike dhe të ndarjes së rentave dhe privilegjeve (të mirave publike, lejeve, licencave, tenderëve, koncesioneve) te njerëzit me akses, te dhuna, te pushteti dhe te krimi në përputhje me fuqinë e tyre. Sot, Shqipëria, për këdo, vidhet, mjerimi rritet, zgjedhjet bëhen vazhdimisht e më të pamundura, ndarja e pushteteve ka vdekur plotësisht, nuk ekziston asnjë institucion që mund të balancojë (sa fjalë pa kuptim duket sot, ndonëse është themeli i sistemit kushtetues) pushtetin e Kryeministrit dhe të qeverisë.
Kjo formë qeverisjeje që ka vetëm një emër, autoritarizëm i tipit mafiokratik (Guatemala, Hondurasi, Peruja ose Kolumbia i kanë njohur më parë forma të tilla), prodhon vazhdimisht një gjuhë sulmi të vazhdueshëm ndaj opozitës në përpjekje ta portretizojë atë para njerëzve si të keqen dhe fajtoren e kësaj gjendjeje të rëndë. Kjo gjuhë sulmi e vazhdueshme, kjo kulturë fajësimi dhe projektimi të fajit në shumë raste jashtë çdo etike ndaj opozitës dhe kryetarit të saj mbahet gjallë, shtyhet përpara nga gazetarë, drejtues, pronarë dhe media.
Mediat dhe bota universitare janë mekanizmat më të fuqishëm të kontrollit në një demokraci. Ndryshe nga politika që, me përkufizim, rreket të zgjerojë pushtet, të bëhet e padrejtë, të përdorë gënjeshtrën deri edhe krimin, media dhe bota universitare, me përkufizim, rreket të thotë të vërtetën, të mbrojë të drejtën, të ndjekë parimet dhe jo interesin e pushtetit. Për këtë arsye, mediat në vendet demokratike janë në luftë me qeveritë, me krimin, me korrupsionin, me politikën e keqe etj. Për këtë arsye, bota universitare shkruan dhe flet kundër korrupsionit, shkruan dhe flet kundër shkatërrimit të institucioneve apo marrjes së tyre në kontroll nga qeveria.
Shqipëria ka vuajtur nga kriza e medias dhe e botës universitare gjithë këto vite, por kohët e fundit kjo është bërë lebetitëse, e padurueshme. Përgjatë 27 viteve pluralizëm, media u ngrit përgjithësisht mbi rrënojat e medias së Enver Hoxhës, ajo në shumicë u drejtua prej njerëzve që vinin nga ajo kohë, prej gazetarësh zellmëdhenj ndaj komunizmit, prej ish-bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit. Kjo media asnjëherë nuk i tha të vërtetat e plota mbi komunizmin, mbi Enver Hoxhën, mbi krimet e tij, madje në shumë raste ka qenë edhe mbrojtëse. Kjo media, në masë, me përjashtim të viteve 1991-1992, u bë shpejt përkrahëse e PS-së.
Megjithatë, kjo media arriti të sigurojë një shkallë lirie, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në vite dhe ka qenë në njëfarë mënyre një lloj garancie edhe për mosrënien në tirani të sistemit politik. Bota universitare, si edhe media, erdhi nga komunizmi. Në shumicë profesorët ishin njerëz me ide enveriste që kishin mbrojtur punime nisur nga ideologjia komuniste. Këto vite pluralizmi bota universitare nuk i bëri asnjë monografi Enver Hoxhës ku të dëshmohej totalitarizmi dhe krimet, nuk i bëri asnjë monografi asaj që ishte komunizmi. Bota universitare mbeti një mbështetëse e historiografisë komuniste dhe e “arritjeve” të komunizmit, megjithatë brenda ka pasur njerëz të rëndësishëm, të cilët luftuan për pluralizmin dhe gjithë këto vite shërbyen sadopak në rolin e një garanti të sistemit politik.
Kjo media dhe kjo botë universitare është vënë sot plotësisht në shërbim të Ramës. Kjo media me rrënjë tek ajo që ishte para 1990-ës, kjo media dhe botë universitare që kurrë nuk doli nga zhgualli i enverizmit është sot në pjesën e vet kryesore në luftë me opozitën dhe në anën e një qeverisjeje qartësisht ose më e pakta autoritariste. Gjithçka kjo media, analistët, drejtuesit bëjnë duke sulmuar opozitën nuk e bëjnë për shkak se duan që opozita të jetë më e mirë, nuk e bëjnë se duan që ajo të rrëzojë qeverinë Rama, nuk e bëjnë se etika dhe deontologjia e kërkon që të thuhet e vërteta për opozitën. Opozita britanike e Corbyn kritikohet nga shtypi, por asnjë analist apo drejtues nuk e bën këtë ngaqë kërkon të rrëzojë Corbyn, të forcojë pushtetin e Kryeministrit Johnson apo të mbajë gjallë gjuhën e qeverisë kundër opozitës. Opozita në SHBA, demokratët, kritikohen në shtyp, por askush nuk i kritikon ata se kërkon të zgjasë jetën e Trump në presidencë, se kërkon të rrëzojë Pelosin, Sandersin apo Schumerin, se kërkon që të mbajë gjallë gjuhën e Trump. Opozita kritikohet në Gjermani, por askush nuk e bën për qëllime të rrëzimit të Gaulandiit dhe për të përcjellë gjuhën e Merkel-it dhe bërë të pashkulshëm pushtetin e saj. Opozita kritikohet kudo në demokraci, por në të gjitha rastet fokusi është qeveria, fokusi është pushteti. Dhe duhet thënë në SHBA, në Gjermani, në Britani, as Johnson, as Trump, as Merkel nuk kanë marrë nën kontroll institucionet, nuk kanë futur njerëz nga krimi në kuvend dhe bashki, nuk kanë mbjellë vendin me hashash, nuk kanë ndërtuar ndonjë sistem vertikal kontrolli ku Kryeministri është pushteti i vetëm dhe ai vetë nuk është subjekt Ii asnjë gjykimi.
Në vitin 1953, Czeslav Milosz, një shkrimtar dhe filozof i njohur polak, shkroi librin “Mendja e robëruar”, për të shpjeguar se pse intelektualë, opinionistë apo gazetarë të ndryshëm, mbronin regjimin komunist dhe stalinizmin. Milosz shkroi me hollësi se “detyrimi” dhe “lakmia personale” pati një rol të madh në transformimin e tyre ideologjik. Pra, gjasme ata u bënë stalinistë për shkak se ishin të detyruar ose u shtynë nga lakmia personale. Por Milosz vuri re se shumë prej tyre u bënë mbështetës të zellshëm të stalinizmit, jo thjesht për përfitime materiale (që i morën) dhe as se ishin të detyruar. Milosz tha se “dëshira e thellë e intelektualëve, analistëve, opinionistëve të tjetërsuar për t’u përkitur masave, për të qenë të pëlqyerit e masave, për të qenë të pëlqyerit e liderit, për të qenë njerëz të rëndësishëm të shoqërisë, ishte arsyeja bazë. Kënaqja e ambicies personale, dëshira për përfitim material, është vetëm shenja e jashtme dhe e dukshme e këtij përdorimi”.
Pa dyshim, që kjo mbrojtje e paimagjinueshme që i bëhet qeverisë Rama sot duke u marrë vetëm me opozitën, duke sulmuar vazhdimisht PD dhe kryetarin e saj, nga analistët, opinionistët dhe drejtuesit e redaksive, ngërthen edhe përfitimin material, edhe “të qenit i detyruar”, por edhe ndjenjën qesharake se kësisoj ata janë në anën e atyre që populli i pëlqen, lideri i pëlqen, çështja i pëlqen.
Shumë prej këtyre analistëve janë edhe narcizistë, njerëz që mendojnë se kanë fuqi intelektuale dhe se kjo që bëjnë i bën ata njerëz të rëndësishëm. Disa prej tyre mendojnë se po çojnë përpara një kauzë, se janë lojtarë të mëdhenj, se ata po bëjnë politikë, se janë njerëz që vendosin për gjëra të mëdha. Mirëpo, vetëm kaq do të ishte i mangët si shpjegim. Ka edhe diçka tjetër që i shtyn njerëz të tillë t’iu shërbejnë stalinizmit apo nazizmit. Hanah Arendt është e para që përdori konceptin “banaliteti i së keqes” për të shpjeguar mbrojtjen e verbër të nazizmit apo totalitarizmave. Ajo ndoqi në Jerusalem gjyqin e ndaj Adolf Eichman-it, numri tre në radhën e atyre që kishin rol drejtues në dërgimin e hebrenjve në dhomat e gazit. Arendt vuri re se Eichman ishte një njeri krejt normal, ndryshe nga sa e kishte menduar ajo si vrasës në masë që ishte. Ai përgjigjej serbes, mbronte veprimet e tij, mbronte atë që kishte ndodhur. Arendt tha se Eichman nuk mendonte, urdhrat kishin ardhur për të dhe ai as që i vinte fare në diskutim ato. Ai ishte thjesht një njeri që sillej si copë mishi, pa menduar fare. Për Arendt, njerëz si ai janë ata që mbajnë në këmbë regjimet totalitare. Ata janë në gjendje të zbatojnë çfarëdolloj urdhri, sepse ata nuk mendojnë mbi moralin apo drejtësinë e urdhrit. Ata nuk e kanë fare këtë ndjeshmëri. Ata janë hallka të domosdoshme në mbrojtje të këtyre regjimeve. Ky është banaliteti i së keqes dhe Eichman ishte personifikim i saj.
Kjo gjë po ndodh edhe me mbrojtjen e qeverisë Rama, duke përhapur në media gjithë gjuhën e tij dhe gjithë propagandën e tij, duke sulmuar vazhdimisht PD-në dhe kryetarin e saj nga analistët, opinionistët etj. Pra, “dëshira e brendshme për të qenë i pëlqyer, për të qenë njëri me fuqi intelektuale, e shfaqur së jashtmi si ambicie materiale dhe “detyrim” nga njëra, anë dhe të shërbyerit si hallka të domosdoshme në zinxhirin e banalitetit të së keqes, është arsyeja pse sulmohet vazhdimisht Basha dhe mbrohet Rama ose heshtet për atë që qeveria është në një kohë kur roli i medias dhe intelektualëve është tjetër.
Pra, diskutimi me “opozitën ndaj opozitës” nuk është nëse duhet apo jo opozitë ndaj opozitës. Diskutimi është pse bëhet, çfarë fsheh, a po e bën këtë brenda etikës, detyrës dhe deontologjisë së profesionit.