SARANDË, Shqipëri (AP) – Duke zbritur poshtë valëve, pas metrave të para të zymta hapet rruga për në ujërat e pastra dhe shfaqet një pamje e mahnitshme – dhjetëra, ndoshta qindra vazo të lashta që mbulojnë shtratin e detit, testamenti i fundit i disa tregtarëve të harruar gjatë ndonjë udhëtimi fatkeq më shumë se 1.600 vjet më parë.
Në një udhëtim të shkurtër shikon skeletin e madh të një anijeje të Luftës së Dytë Botërore që shfaqet përmes errësirës, sendet personale të ushtarëve të shpërndara në brendësi të anijes së vjetër, korridoret e saj të ngushta dhe helika që tashmë është kthyer në shtëpinë e kolonive të peshqve dhe sfungjerëve të detit.
Në brigjet e thyera të Shqipërisë, një nga bregdetet më pak të eksploruar në botë, gjendet një pasuri e çmuar thesaresh: vazo antike – poçe të gjata dhe të ngushta prej balte që mbusheshin me vaj ulliri dhe verë kur transportonin mallra mes Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake përgjatë rrugëve tregtare. Në to fshihen histori heroizmi dhe tradhtie nga të dy luftërat botërore, shkëmbinj të formuar në mënyrë spektakolare dhe jeta detare.
“Nga ç’kam parë deri më sot, di të them se nuk mund të notosh më shumë se disa metra pa gjetur diçka të mrekullueshme, qoftë në aspektin historik, kulturor apo në aspektin natyror, në Shqipëri”, tha Derek Smith, detar dhe ekologjist, studiues kërkimor i cili ka punuar me ‘Fondacionin Nautical RPM’ për të eksploruar bregdetin shqiptar gjatë dekadës së fundit.
Ndërkohë Agjencia Kombëtare Bregdetare e Shqipërisë po kërkon mënyrën më të mirë se si duhen studiuar dhe mbrojtur bukuritë nënujore, për t’i ekspozuar ato për turistët, duke ditur se Shqipëria është një territor i virgjër për industrinë fitimprurëse të zhytjes.
“Ideja e promovimit të trashëgimisë nënujore shqiptare është një ide e re për Shqipërinë, sepse deri tani nuk dihet shumë për historinë e pasur të vijës bregdetare shqiptare dhe në veçanti për anijet e mbytura”, tha kreu i agjencisë Auron Tare, i cili ka qenë pjesë e kërkimit nënujor në 12 vitet e fundit. “Unë besoj se ka ardhur koha t’i tregojmë botës pasurinë e kësaj trashëgimie që ne kemi në ujërat tona”.
Dikur më e izoluar se vetë Koreja e Veriut, Shqipëria ka promovuar gradualisht turizmin ndërkombëtar duke u përpjekur të shmangë imazhin e mëparshëm, si një shtet që u shndërrua në fund të viteve 1990 në territor banditësh. Por zhvillimi i bregdetit është duke u zhvilluar në një mënyrë anarkike, dhe ekziston frika se thesaret e arritshme mund të plaçkiten nëse nuk mbrohen siç duhet.
Pritet që së shpejti të kalojë edhe legjislacioni për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore të vendit, duke afruar gjithashtu më shumë vizitorë.
Greqia fqinje, që ndodhet në jug të Shqipërisë, ka luftuar shumë për të balancuar turizmin me mbrojtjen e objekteve të lashta. Greqia ishte kaq e frikësuar nga humbja e pasurive të saj nënujore, saqë ndaloi zhytjen e plotë duke lënë të lirë vetëm një pjesë të vogël të vendeve. Edhe sot, zhytja është e ndaluar në çdo anije apo aeroplan që është ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë.
Shqipëria ndërkohë është duke ekuilibruar raportin e turizmit me mbrojtjen e thesareve.
“Në një të ardhme të afërt thesaret e lashta duhet të ekspozohen për studiuesit dhe kërkimet”, tha Tare, i cili vuri në dukje se vendi ka humbur edhe një pjesë të trashëgimisë së saj nënujore gjatë plaçkitjeve të 20 viteve të fundit. “Ndërkohë që disa prej thesareve moderne plaçkitjet e të cilave nuk kanë shumë për të humbur, duhet të ekspozohen në industrinë e zhytjes”.
Ai vlerësoi se duke lejuar turistët të shikojnë anijet e mbytura nga Lufta e Parë Botërore ose Lufta e Dytë Botërore, zhytësit do të zgjidhnin si destinacion Shqipërinë në pesë vitet e ardhshme.
Fondacioni Nautical RPM në bashkëpunim me agjencinë bregdetare, ka bërë një hartë të shtratit të detit përgjatë një të tretës së bregdetit shqiptar, nga Saranda deri në kufirin grek afër Vlorës. Duke përdorur një kombinim të pajisjeve të zhytësve dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë anija kërkimore ka zbuluar gati 40 anije të mbytura nën ujë.
“Deri tani RPM ka dokumentuar thesare që datojnë rreth shekullit të tretë dhe katërt deri në Luftën e Parë Botërore dhe mbytjet bashkëkohore të Luftës së Dytë Botërore”, tha Smith. “Pra, ne kemi një gamë të madhe prej 2,500 vjetësh, me burime kulturore prej 2,300 vjetësh në bregdetin shqiptar, dhe që kanë qenë të pa eksploruara”.
Njëri prej tyre është grumbulli i vazove prej qeramike pranë bregut. I njohur në histori si rrënimi i Jonit, ajo ishte një anije tregtare që mendohet të kishte rreth katër anëtarë në ekuipazh dhe një ngarkesë me vazo nga Afrika Veriore.
“Fakti që qeramika ishte afrikano-veriore është me të vërtetë i rëndësishëm sepse tregon lidhjet tregtare midis Adriatikut dhe bregut të Afrikës Veriore”, tha arkeologu nënujor Mateusz Polakowski, i cili gjithashtu ka punuar me RPM.
Peshqit e vegjël dalin nga grykat e vazove, të cilat me kalimin e kohës kanë zbukuruar shtratin e detit. Vendi nuk është gërmuar dhe arkeologët besojnë se disa shtresa të qeramikave, si dhe anijet prej druri mund të qëndrojnë ende të paprekura nën shtratin e detit.
“Shumë nga këto thesare vlejnë si trashëgimi kombëtare”, tha Polakoeski. “Ashtu si natyra organike e detit, po aq të rëndësishme sa edhe shkëmbinjtë nënujorë dhe popullatat e peshqve, unë mendoj se anijet e mbytura duhet të bëhen pjesë e identitetit kulturor, trashëgimisë kulturore”.
Shqipëria është një pikë strategjike në hyrje të detit Adriatik dhe ka qenë e tillë përgjatë rrugëve të lashta tregtare nga Italia në gadishullin e Ballkanit, tha Polakoeski. Ka akoma shumë për t’u eksploruar.
“Janë rreth 200 milje bregdetare “, tha Smith, ekologjist detar. “Edhe pse na duket se kemi njohur një sasi të madhe të tij … ka gjithmonë akoma më shumë për t’u zbuluar.”
Përshtati nga Associated Press, Tirana Today