Thellohet skandali i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, të cilit dje iu publikua një rast ku i kishte blerë një personi të dënuar për vrasje e për vepra të tjera penale, një ullishte me një çmim absurd.
AlpetNews sot ka publikuar një tjetër kontratë shitjeje e pasurisë së paluajtshme të një toke me sipërfaqe prej 4 500 metrash katrorë në Tiranë, të cilën rezulton se Llalla e ka blerë për një çmim prej 1 000 lekësh metri katror. Një pronë që si me magji, pas 5 muajsh kjo pronë vlen shumë e shumë herë më shumë, e llogaritur në 80 mijë e 720 lekë metri katror. Kaq mjafton për të kuptuar se pas gjithë këtij operacioni fshihen sekrete të errëta përfitimesh shumë të dyshimta. Ky dhe shumë veprime të tjera të ngjashme, janë tashmë nën lupën e hetuesve që po verifikojnë gjithë veprimtarinë dhe veprimet financiare dhe pasurore të ish-kryeprokurorit.
Dje u publikua një tjetër dokument ku u vërteta se si Llalla i ka blerë një ullishtë prej 3000 metrash katrorë në periferi të Tiranës, një personi të dënuar për vrasje, plagosje dhe një seri krimesh tjera.
Tokë kjo të cilën ia ka rishitur një biznesmeni të njohur në Tiranë e të përfolur si shumë pranë tij, për plot 250 mijë euro. Ose 22.6 herë më shtrenjtë sesa ia kishte marrë një vrasësi.
Në këtë rast, ndryshe nga rasti i parë, toka nuk i është blerë një vrasësi, por një personi me emrin Gazmen Brahimi, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, në Njësinë Administrative Dajt. Nga një verifikim paraprak rezulton se ky person është një punonjës i thjeshtë i një spitali privat në Tiranë dhe paguhet me një pagë prej 30 mijë lekësh në muaj.
Por çuditërisht, ky person e ka regjistruar këtë pronë prej 4 500 metrash katrorë tokë në Tiranë, më datë 8 nëntor 2016, pasi e ka blerë me lekë në dorë në shumën prej 45 milionë lekësh (të vjetra). Sektori i Antikrimit ekonomik është duke verifikuar burimin e këtyre të ardhurave që ka përdorur Gazmen Brahimi për ta blerë këtë pronë. Pasi dyshimet e forta janë se ai është përdorur thjeshtë si një person për të fshehur “dhuruesit” e vërtetë të 4 500 metrave katrorë tokë të ish-Kryeprokurorit Llalla, raporton AlpetNews.
Kjo është enigma e parë e madhe e kësaj prone, e cila po verifikohet se kujt i përkiste përpara se të regjistrohej në emër të Brahimi dhe se çfarë problemesh ka patur pronari i pari i tokës, me drejtësinë në atë kohë dhe me organin e Prokurorisë veçanërisht.
Çudia e dytë, është se personi që ka blerë tokën, pra Gazmen Brahimi e ka shitur atë vetëm katër javë më pas.
Por çudia e tretë, që e pason kohën e shpejtë të kalimit të pronës nga një dorë në tjetrën, është se përse kjo tokë prej 4500 metrash shitet pikërisht me të njëjtin çmim që edhe është blerë fillimisht. E si për çudi kjo pronë e pastër nga ana juridike dhe pronësore, është blerë nga Prokurori i Republikës, me 1 000 lekë metri katror.
Llalla sipas shkresave deklaron se kjo tokë po blihet me të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes si edhe nga të ardhurat e shitjes së pronave të paluajtshme. Pra, origjina fillestare e te ardhurave të zotit Llalla kanë buruar nga transaksioni me një vrasës.
Nga paratë e fituara prej shitjes së pronës së tij, ai më pas ka nisur edhe këtë zinxhir blerje pronash, siç po shohim nga ky shembull i sotëm.
Por çfarë ka ndodhur pas pak kohe, siç tregon kjo shkresë pak më poshtë? Nëpërmjet vlerësueses Joana Cako, emri i së cilës figuron në të gjitha rivlerësimet e mëtejshme të pronave të patundshme të Llallës, kjo tokë e blerë me 1000 lekë për metër katrorë duhet të vlejë në fakt shumë herë më tepër.
Nga llogaritja e mëposhtme tek tabela e llogaritjes se rivlerësimit të pasurisë së Llallës, një tokë që vlen 4.5 milion lekë, në fakt vleka si me magji plot 360 milionë e 231 mijë lekë.
Çfarë fshihet pas gjithë kësaj magjie që paskan pronat e ish-Kryeprokurorit të cilat në momentin që blihen prej tij vlejnë fare pak lekë në raport me tregun dhe çuditërisht menjëherë sapo ato bëhen me letra prona të tij, paskan magjinë të kushtokan nga disa herë deri në 20- 30 herë më tepër brenda një kohe fare të shkurtër? Ndërkohë që normat ndërkombëtare dhe ato të Shqipërisë tregojnë se pronat e patundshme brenda një viti e kanë rritjen në masën 7-10%, shkruan AlpetNews. Si ka mundësi që vetëm në arat që ka blerë Adriatik Llalla bie shi i artë??!