Teoria e elitave: Turqia dhe Perëndimi

Nga: Hakki Alcal “Daily Sabah”

Poeti i famshëm turk Atila Ilhan ishte një i majtë dhe mendimtar i jashtëzakonshëm. Ai la mbresa shumë të forta në shoqërinë e tij si poet. Por kontributi i tij më i qëndrueshëm në ndërgjegjen tonë shoqërore ka qenë një pyetje me të cilën ai e ndryshoi mendimin tonë mbi Perëndimin.

“Cili Perëndim” pyeste ai që në kopertinën e librit. Në 324 faqet e tij, ai iu përgjigj thuajse të gjitha pyetjeve që kemi ngritur brenda vendit që nga viti 1839, në kohën e nisjes së Reformës së Tanzimatit (Edikti i Gylhanes).

Ai shkroi se reformat dhe riorganizimi i Perandorisë Osmane nga Sulltan Abdylmexhidi ishin një shembull i perëndimorizimit të thjeshtë kozmopolit të burokracisë. Por shumë shpejt ato u bënë modeli i teorisë zyrtare të modernizimit të republikanëve të hershëm.

“Jo vetëm burokracia, por edhe kuadrot e shpëtimit kombëtar – të cilët kishin luftuar kundër forcave pushtuese të fuqive evropiane aleate -e shkatërruan shpejt thelbin e tyre nacionalist, dhe iu kthyen sërish evropianizmit kozmopolit të osmanëve”- pretendoi ai.

Për këtë qëndrim, Ilhan u përjashtua nga rrethi i “ideologjisë revolucionare republikane”.

Po ai ishte në gjendje të fuste një dilemë në mendjet e elitave të reja të Republikës Turke:A përfshin modernizimi domosdoshmërisht perëndimorizimin?

Admirimi i madh ndaj Evropës mund të shpjegohet pak e shumë përmes kësaj narrative: Rusia i ndihmoi nacionalistët turq që të fitonin luftën kundër forcave pushtuese përmes mbështetjes së saj diplomatike (bolshevikët bënë publike traktatet e fshehta midis britanikëve dhe francezëve se si do të ndanin territoret osmane, pas së cilit Roma tërhoqi menjëherë forcat e saj nga Anadolli, duke e detyruar Parisin të nënshkruante një marrëveshje të njëanshme me turqit, etj.).

Njëherazi, ajo kontrabandoi shufra ari. Por regjimi komunist nuk kishte mundësi financiare që ta mbante Turqinë si një shtet satelit. Kuadrot Kemalistë, përbëheshin nga intelektualët klasikë osmanë dhe e trashëguan prirjen e tyre të brendshme për të kthyer kokën nga Evropa. Mos harroni, vetëm 60 vjet më vonë pasi themeluan shtetin osman, themeluesit e zhvendosën kryeqytetin e tyre nga pjesa e Anadollit në anën evropiane të detit Egje. Kuadrot Kemalistë – elita e ardhshme e Republikës – u larguan aq shpejt nga tokat aziatike (termi Lindje e Mesme, ende nuk ishte shpikur), sa që arabët lokalë dhe komandantët pushtues britanikë as që e vunë re se turqit që kishin çliruar tashmë Jeruzalemin, Mosulin dhe Bagdadin.

Fjalët kryesore këtu janë “kuadrot Kemalistë – elita e ardhshme e Republikës”. Mark Meirovic i Kolegjit Detar të Universitetit Shtetëror të NjuJorkut (SUNY), më kujtoi se sa të rëndësishëm ishin ata në zgjedhjen e Turqisë së ardhshme. Meirovic dhe unë ishim të ftuar të Mark Hamamit në një tryezë diskutimi në ”A News” për të folur rreth rëndësisë së NATO-s, dhe mbështetjes së saj rajonale kundër terrorizmit.

Meirovic është i specializuar në politikën e jashtme turke, marrëdhëniet amerikano-turke dhe marrëdhëniet turko-izraelite, dhe shpesh ai paraqitet në mediat amerikane dhe turke si një ekspert për çështje që lidhen me politikën turke dhe politikën e jashtme amerikane.

Kur po shprehja disa mendime të përgjithshme në programin e Hamam, Meirovic na kujtoi se për Turqinë ka më shumë se sa një perspektivë nga ana tjetër e Atlantikut.Në varësi të grupit elitar në fjalë, do të ketë pikëpamje të ndryshme mbi Turqinë.

Ai ka kaq të drejtë. Në thelb, është teoria shekullore elitare e shkencës politike, që ka nisur me shkollën italiane të elitizmit (për shembull Vilfredo Pareto, 1848-1923), dhe ndikoi më vonë në teorinë e elitës në traditën perëndimore. Kjo teori shpjegon marrëdhëniet e pushtetit në shoqëri.

Lexo edhe :   Basha: Turqia vend aleat, por Shqipëria ka vetëm një rrugë, integrimin në BE

Një pakicë e vogël – kryesisht anëtarët e rrjeteve ekonomike dhe të planifikimit të politikave – mbanin pushtetin dhe se (ky është argumenti kryesor),pushteti i tyre është i pavarur nga procesi demokratik. Uilliam Domhof në librin e tij të diskutueshëm “Kush e sundon Amerikën?”, pohoi se kjo është shtresa e elitës që dominon strukturën e pushtetit amerikan si politikisht dhe ekonomikisht.

A nuk do të shpjegonte kjo vazhdimësinë e politikave të jashtme dhe të sigurisë amerikane – meqë ish presidenti amerikan Xhorxh W.Bush u zotua të “fitonte luftën kundër terrorizmit” – nga 4 presidentë, 8 sekretarë të mbrojtjes, dhe 7 sekretarë të shtetit që nga atëherë deri më sot? Këta presidentë kishin pikëpamje të ndryshme mbi thuajse gjithçka. Për shembull, presidenti Donald Trump, ishte më se i gatshëm të rishkruante Kushtetutën e SHBA-së, por ai nuk mundi të lëvizte qoftë edhe një ushtar të vetëm nga Afganistani, Iraku apo Siria. Ai tregoi “histori të dëshmitarëve okularë” rreth mënyrës se si presidenti Barak Obama dhe Sekretarja e tij e Shtetit, Hilari Klinton krijuan ISIS-in:

“ISIS është duke e nderuar presidentin Obama. Ai është themeluesi i ISIS. Dhe unë do të thoja që bashkëthemeluesja është Hilari Klinton”.Një ditë, e gjithë organizata terroriste – ushtritë, mjetet për nxjerrjen dhe shitjen e naftës, dhe brigadat e prerjes së kokave u zhdukën nga Siria dhe u rishfaqën në disa vende afrikane.

Megjithatë, Trump nuk ishte në gjendje që t’i tërhiqte forcat amerikane nga Siria. Ai nuk kishte as idenë më të vogël se sa ushtarë amerikanë ndodheshin në Siri. I dërguari i tij në Siri,Xhejms Xhefri, pasi dha dorëheqjen nga posti i tij, tha se elita në Departamentet e Shtetit dhe të Mbrojtjes, nuk e informonte presidentin për numrin e saktë të trupave jashtë vendit.

Në platformën e tij të bërë publike nga shtëpia e tij në Delauer, presidenti aktual i SHBA-së Xho Bajden premtoi se do t’i tërhiqte të gjitha forcat amerikane nga Afganistani. Tani, ai është i zënë me justifikime të ndryshe se përse nuk do ta mbajë premtimin e tij.

Unë jam i gatshëm të vë bast se ai nuk e di se sa marinsa dhe ushtarë amerikanë gjenden në Afganistan. Dhe kjo, jo për shkak se elita që drejton sigurinë dhe politikën e jashtme të SHBA-së nuk e pëlqen këtë president apo atë president! Ajo që asaj nuk i pëlqen është ndërhyrja nga politikanët.

Nëse një lëvizje politike, si ajo që solli në pushtet presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i dhuron vendit një qeverisë mjaftueshëm efikase për të ristrukturuar burokracinë përmes elitës së saj, dhe garanton kohën e mjaftueshme për të rekrutuar mjaftueshëm njerëz por edhe për t’i ruajtur kuadrot ekzistues, atëherë ndoshta sistemi do të kishte elitat dhe politikanët që flasin të njëjtën gjuhë.

Elita e SHBA-së, në shkallë të ndryshme midis nëngrupeve të tyre, e ka urryer modelin post-osman të Lindjes së Afërt, të Mesme dhe të Largët. Dhe ajo dëshiron që ta ri-formatojë atë. Ajo beson se zotëron mjaftueshëm “burime personale, inteligjencë dhe aftësi, dhe një interes të madh ndaj qeverisë, ndërsa pjesa tjetër janë të paaftë dhe nuk kanë aftësitë për të qeverisur vetë”.

Citimi është një ekstrakt nga përkufizimi i elitizmit që jep Pareto. Por ai mund të përshkruajë të gjitha organizatat elitare që drejtojnë sot Departamentet e Shtetit dhe të Mbrojtjes në SHBA.

Burimi i lajmit: https://www.dailysabah.com/opinion/columns/the-elite-theory-turkey-and-westernization

Përshtatur nga TIRANA TODAY