Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar SHBA-në, se po përpiqet ta tërheqë vendin e tij në një luftë në Ukrainë. Ai tha se qëllimi i Amerikës ishte të përdorte një konfrontim, si pretekst për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Putin tha gjithashtu se SHBA-ja po injoronte shqetësimet e Rusisë në lidhje me zgjerimin evropian të NATO-s – aleancës ushtarake perëndimore. SHBA dhe aleatët e saj akuzojnë Rusinë se po planifikon të pushtojë Ukrainën, diçka që Rusia e ka mohuar vazhdimisht. Të martën, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkroi në Twitter se SHBA ishte “e angazhuar për të parandaluar një konflikt, që nuk është në interesin e askujt”.
Ndërkohë, gazeta spanjolle “El Pais” ka publikuar ato që ajo thotë se janë dokumente konfidenciale që SHBA dhe NATO i dërguan Rusisë javën e kaluar – duke përfshirë ofertat e bisedimeve për reduktimin e armëve bërthamore, dhe masat e ndërtimit të besimit në këmbim të uljes së tensioneve mbi Ukrainën. Një zyrtar i NATO-s i tha BBC-së se aleanca nuk komenton kurrë informacionet e supozuara.
Në javët e fundit, Rusia ka zhvendosur rreth 100.000 trupa – të pajisura me gjithçka, nga tanket dhe artileria te municionet dhe fuqia ajrore – në kufirin e Ukrainës. Kjo vjen tetë vjet pasi vendi aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit.
Moska nga ana e saj akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare, për të rivendosur paqen në lindje, ku të paktën 14.000 njerëz janë vrarë dhe rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të martën se një pushtim rus “nuk do të ishte një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë – kjo do të ishte një luftë në Evropë, një luftë në shkallë të plotë”.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today