Ambasadori amerikan Donald Lu ka folur pa ‘doreza’ sot në konferencën e zhvilluar për “Sfidat e zbatimit të teknologjisë në zgjedhje”.
Teksa e mori fjalën e tij, ambasadori Lu falënderoi fillimisht anëtarët e opozitës që ishin të pranishëm, ndërsa vuri re një mungesë të atyre të mazhorancës.
Ky fakt e ka bërë ambasadorin amerikan që të mendojë se mazhoranca nuk po e merr me seriozitet çështjen e zbatimit të teknologjisë në zgjedhje, ndërsa tha për deputetët e mazhorancës se nuk duhet të rrinë ende në krevat.
“Fillimisht falënderoj opozitën që merr pjesë në këtë konferencë. Ndërsa po shoh shumë pak anëtarët të mazhorancës, 2 ose 3. Nuk e kuptoj pse nuk janë këtu, ata nuk duhet të qëndrojnë akoma në krevat. A po e marrin me seriozitet këtë çështje?”, u shpreh Lu.
Më tej, ambasadori Lu tha se opozita dhe shumica duhet të përfshihen në diskutimet për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje:
“Nëse do të vendoset për votim elektronik në 2019-n, nuk duhet të prisni deri në verën e ardhshme, pasi më vonë do të jetë një dështim. Teknologjia në zgjedhje eliminon problemet me letrën. Jemi të gatshëm të mbështesim punën në çdo aspekt”, tha ambasadori.