Edhe pse jemi pranë fundit të pushimeve verore, për shumë njerëz ato sapo kanë filluar. Dhe ashtu si çdo vit tjetër destinacioni i preferuar në Shqipëri vazhdon të mbetet Riviera, ose siç njihet ndryshe Bregu. Duke filluar që nga Palasa dhe përfunduar në Lukovë, zona është cilësuar në 2012 si “Destinacioni me Vlerën më të Lartë” nga Frommer’s. I mbushur me gjire të izoluara, fshatra të qeta, jetë nate e “çmendur”, histori dhe kulturë. Nuk është e habitshme se përse kjo perlë e fshehur po fiton përherë e më tepër popullaritet. Por, cilat janë vendet që duhet t’i vizitoni me patjetër?
Qafa e Llogarasë
Rruga midis Orikumit dhe Dhërmisë njihet ndryshe edhe si Qafa e Llogarasë. Një pamje spektakolare midis maleve dhe me pamje nga Riviera shqiptare. Teksa ngjit malin, sheh pamjen panoramike të detit dhe njëkohësisht përjeton ndjesinë se je duke prekur retë. Rruga arrin një lartësi prej mbi 1000 metra dhe konsiderohet nga shumë njerëz si bregu më i mirë në Evropë.
Është aq impresionuese saqë autorë të mëdhenj si Ptolemy, Julius Caesar dhe Strabo kanë shkruar për të. Por, kini kujdes që para se të niseni të merrni kamerën dhe të mos hani ushqim të rëndë. Edhe pse rruga është në gjendje të mirë, disa pjesë janë të ngushta, ndaj ngisni me kujdes.
Përfitoni të vizitoni edhe Parkun Nacional të Llogarasë, i cili është 1020 hektarë. Brenda në park ka resorte të ndryshme, por më së shumti vizitohet për hiking, piknik, sportet e ajrit. Do të ndjeni ajrin e malit të lartë si edhe freskinë e detit, një kombinim i rrallë.
Kanionet dhe plazhi i Gjipes
Është një nga plazhet më të bukura në vend dhe gjendet midis Vuno dhe Dhërmisë. Është kaq i veçuar saqë nuk ka rrugë të shtruar, ndaj duhet të ecësh për rreth 30 minuta. Ju sugjerojmë të niseni në mëngjes, para rrezeve të nxehta. Por, nëse nuk ju pëlqen të ecni, mund të shkoni me kayak nga plazhi i Jalës. Atje nuk ka resorte apo restorante të mëdha. Përkundrazi janë të pakta edhe vendet ku mund të hash.
Kisha e Marmiroit
Një prej vendeve që nuk duhet të humbisni kur të vizitoni Orikumin është Kisha Marmiroit. E ndërtuar midis shekullit të 8-të dhe 13-të, në kishën Bizantine ende gjenden afresket origjinal. Arkitektura origjinale është shumë e bukur për tu parë dhe ndër më të veçantat të kohës. Ndodhet në dalje të qytetit dhe për të shkuar duhet të kaloni një përrua të vogël.
Fshati Tragjas
Ky fshat i qetë dhe tradicional pranë Orikumit është vendi i duhur për ata që duan të njohin jetën e vërtetë të shqiptarëve. Sigurohuni të ecni në rrugicën që të çon sipër për të parë pamje spektakolare të Orikumit dhe bregdetit. Përgjatë rrugës për në krye do të shihni fabrikat e fermave të vjetra. Një tjetër gjë që do të shihni shumë janë varret e shpërndara. Tragjasi i Vjetër është i braktisur, por ju përsëri mund të eksploroni shtëpitë dhe ndërtesat e rrënuara. Fshatarët duhej të largoheshin në 1943, kur fshati u bombardua nga nazistët. Ju do të gjeni edhe rrënoja e varre, të cilat i datojnë periudhës otomane.
Kështjella e Porto Palermos
E njohur nga vendasit si Ali Pashë Tepelena, kjo Kështjellë është projektuar nga një francez dhe ndërtuar në formën e një pentagoni me blloqe të mëdha prej guri, disa janë 1.6 metër të gjëra. Në 2014 The Huffington Post e cilësoi fshatin e Porto Palermos si një nga 35 destinacionet evropiane të pazbuluara. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kështjella shërbene si burg.
Kishat e Shën Stefanit dhe Shën Dhimitrit
Në fshatin e Dhërmisë, ju do të gjeni dy nga Monumentet Kulturore të Shqipërisë. Këto ndërtesa janë cilësuar nga qeveria si trashëgimi kulturore dhe kanë vlerë të veçantë fetare. Ndaj, pasi të pushoni në plazhin e bukur të Dhërmiut, vizitoni dy kishat.
Fshati Qeparo
I vendodhur pranë Porto Palermos, Qeparo është një fshat antik i ndërtuar mbi një kodër. Atje do të gjeni disa pika turistike si Kulla e Ali Pashës, Shtëpia e Minella Gjikës dhe Manastiri i Shën Dhimitrit. Pranë sigurisht që ndodhet edhe deti, ku mund të pushoni. Por, teksa ndodheni në Qeparo sigurohuni të vizitoni xhaminë në fshatin Borsh dhe fshatin antik të Pilurit. Të gjitha ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës.
Parku Nacional i Butrintit
Butrinti ka qenë i banuar që nga kohët parahistorike dhe gjatë shekujve ka qenë një koloni greke, një koloni romake dhe madje një peshkopatë. Pra, nuk është çudi që zona arkeologjike është një mishmash rrënojash. Hulumtuesit kanë gjetur dëshmi të Bizantineve, Venedikasve, Osmanëve dhe shumë të tjerëve. Vendi është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe është i rrethuar nga një lagunë shumë e bukur.
Pika kryesore është teatri i shekullit të katërt, ku mund të ulen rreth 1.500 njerëz. Çdo verë ju mund të shihni shfaqje të mrekullueshme atje. Pranë teatrit janë shtëpitë romake të rrethuara nga oborre dhe mure të mrekullueshme. Gjithashtu ka një muze me objekte të kohrave të hershme.
Saranda
Saranda është qyteti i cili vizitohet më shumë gjatë verës në Shqipëri. Me energjinë pozitive, baret e shumta anës detit, restorantet me ushqime nga më të ndryshmet dhe sigurisht shëtitoren aq të preferuar nga vizitorët. Pranë Sarandës ndodhet Butrinti, Ishulli i Ksamilit dhe Kalaja e Lëkurësit. E ndërtuar në mesin e shekullit të 16-të, kalaja ndodhet në majë të një kodre dhe të ofron një pamje fantastike të Korfuzit dhe zonës përreth.
Nëse doni histori, vizitoni Manastirin e 40 Shenjtërove. I ndërtuar në shekullin e 6-të, për të nderuar 40 ushtarë të krishterë romakë, të cilët u dënuan me vdekje në Siberi pas refuzimit për të hequr dorë nga besimi i tyre fetar.
Ishujt e Ksamilit
Vetëm 17km nga Saranda ndodhen Ishujt e Ksamilit. Ishujt e Ksamilit janë një mrekulli e ishujve të pabanuar, të cilët mund të eksplorohen duke udhëtuar me varkë larg gadishullit të Ksamilit. Por, ju mund edhe të notoni mes disa ishujve në ujërat e cekëta. Plazhet më rërë të bardhë, uji i pastër dhe dielli Mesdhetar, e bëjnë Ksamilin vendin perfekt për të pushuar.
Përshtati: Tirana Today