KLSH ka gjetur se detyrimi i të dypunësuarve me të ardhura mbi 2 milionë lekë për të mbledhur pagat, duke i tatuar si një e vetme, gjë që rrit ndjeshëm detyrimin për t’u paguar, nuk është i mbështetur nga baza aktuale ligjore. Tatimet japin argumentet se ku e mbështesin këtë kërkesë
Prej tre vitesh, të dypunësuarve që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë po u kërkohet që në momentin që bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave personale, pagat t’i mbledhin bashkë dhe të llogaritet tatimi si një e vetme. Kjo çon në një rritje të ndjeshme të tatimit që duhet paguar, shpesh me mbi 50%, pasi intervali prej 300 mijë lekë përjashtohet vetëm një herë dhe nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e pagës tatohet me 23%. Pas rillogaritjes, individi duhet të paguajë vetë tatimin shtesë për llogari të tatimeve.
Këtë vit, në deklaratën individuale, deklarata gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. Ndërkohë, shumë individëve të dy apo më shumë të punësuar po u kërkohet që të deklarojnë në këtë mënyrë edhe pagat e tre viteve të fundit, duke i detyruar të paguajnë tatimin shtesë. Afati i fundit i deklarimit këtë vit është 31 korriku, pasi afati i mëparshëm 30 prill u shty për shkak të pandemisë.
Por, Kontrolli i lartë i Shtetit, në një auditim që ka bërë që në vitin 2018 në Drejtorinë e Përgjitshme të Tatimeve për përputhshmërinë dhe rregullshmërinë financiare ka gjetur se udhëzuesi që përcakton mbledhjen e dy pagave si një e vetme për personat që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë nuk është i mbështetur në ligjin për tatimin mbi të ardhurat.
Për më tepër është punëdhënësi dhe jo punëmarrësi që sipas ligjit duhet të llogarisë, mbajë dhe derdhë në buxhet tatimin mbi të ardhurat duke qenë se në këtë rast ligjvënësi ka vendosur që ky tatim të mbahet në burim. Nga ana tjetër ka pabarazi në trajtim përpara ligjit për qytetarët që kanë të ardhura nga punësimi, pasi individët e dypunësuar me të ardhura nën 2 milionë lekë përjashtohen nga kjo mënyrë llogaritje.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një koment zyrtar për Monitor tha se I referohet lifjit për tatimin mbi të ardhurat dhe Udhëzuesit për mënyrën e plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave pjesë përbërëse e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave dhe pjesë e Udhëzimit nr.5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar është ilustruar edhe mënyra e plotësimi të rubrikës (3) dhe (4) të deklaratës (SHIKO TË PLOTË PRONONCIMIN E TATIMEVE MË POSHTË)
Por, ekspertët gjithashtu pohojnë se legjislacioni aktual për tatimin mbi të ardhurat në asnjë pikë të tij nuk përcaktohen që individët duhet të llogarisë, mbledhë dhe derdhë të ardhurat si dhe udhëzuesi të cilit i referohen tatimet është i pambështetur në ligj.
Nga ana tjetër, ndonëse tatimi progresiv u vendos në vitin 2014, vetëm tre më vonë u vendos në Udhëzues kjo kërkesë për rillogaritje të tatimit.
Nga viti i ardhshëm, ky debat ka marrë zgjidhje ligjore, pasi përmes një ndryshimi në ligjin për të ardhurat të miratuar në fund të vtit 2019, që fillon e zbatohet për të ardhurat e 2020-s, të gjithë të dy punësuarit, pa dallim, do të duhet të deklarojnë tatimin mbi pagat (brenda 4 mujorit të parë të 2021), duke i llogaritur si një e vetme, në momentin që do të bëjnë deklarimin e të ardhurave vjetore dhe do të duhet të paguajnë tatimin shtesë.
KLSH dhe ekspertët: pse kërkesa për të llogaritur dy pagat si një e vetme është e pabazuar në ligj
Azmi Stringa, audit, i cili ka qenë pjesë e grupit të punës së KLSH-së që ka audituar tatimet, pohon se aktualisht konstatohet që Udhëzuesi për mënyrën e plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave nuk është i mbështetur në ligj në lidhje me kërkesën që individët me të ardhura nga punësimi mbi 2,000,000 lekë në vit të rillogarisin dhe paguajnë tatim shtesë për këto të ardhura. Kjo pasi siç përcaktohet në ligj, bazuar dhe në raportin e KLSH për auditimin e ushtruar në DPT për vitin 2017,
“Kjo mënyrë llogaritje dhe pagese e tatimit mbi pagën prej vet individit nuk është e parshikuar në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, i cili në nenin 10 të tij, përcakton në mënyrë taksative punëdhënësin si person i cili duhet të llogarisë, mbajë dhe derdhë në buxhet tatimin mbi të ardhurat duke qenë se në këtë rast ligjvënësi ka vendosur që ky tatim të mbahet në burim.”
Po kështu edhe në Udhëzimin e Ministrisë së Finanace, në pikën 2.6.1 të pikës 2.6 “Mbledhja e tatimit” të udhëzimit nr.5, datë 30.01.2006 (i ndryshuar) sqarohet se çdo punëdhënës që paguan një pagë a shpërblim të parashikuar në gërmën a) të nenit 8 të ligjit është i detyruar të llogarisë dhe të mbajë në burim tatimin mbi të ardhurat personale (të ardhurat nga punësimi).Në pikën 2.6.2 të pikës 2.6 të udhëzimit të sipërcituar, përcaktohet se punëdhënësit detyrohen të bëjnë ndalesat në borderotë e pagave (listëpagesat), për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale për pagat dhe shpërblimet e tjera në lidhje me punësimin aktual (të ardhurat nga punësimi).
Për këtë edhe KLSH ka qëndrimin se “Po kështu Udhëzimi i Ministrit të Financave nr.5 datë 30.01.2006, i ndryshuar pika 2.6, në të njëjtën frymë të ligjit ka një përcaktim të qartë se prej kujt llogaritet tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe ka përcaktuar listëpagesën si dokument në të cilin llogaritet tatimi mbi pagën.”
Për me tepër, në pikën1 dhe 2 të nenit 13/6 “Tatimi për t’u paguar” përcaktohet se:
Diferenca ndërmjet totalit të të ardhurave bruto me shpenzimet e zbritshme, sipas nenit 13/3 të ligjit, dhe të ardhurat nga punësimi përbën të ardhurën e tatueshme të individit.
Kjo e ardhur e tatueshme tatohet sipas shkallës tatimore në përputhje me normat tatimore, të përcaktuara në nenet 9 dhe 11, me përjashtim të të ardhurave nga punësimi, të deklaruara dhe të tatuara nga punëdhënësi me tarifat progresive, sipas këtij ligji.
Pra siç sihet qartë, në çdo aspekt, ligjëvënësi ka përcaktuar punëdhënësin dhe jo punëmarrësin, ndryshe nga sa kërkohet sipas Udhëzuesit për plotësimin e deklaratës vjetore të të ardhurave, për të llogaritur, mbajtur dhe derdhur tatimin mbi të ardhurat nga punësimi. Si rrjedhojë KLSH e ka konsideruar të pa mbështetur në ligj dhe jo në përputhje me kërkesat e tij, pjesët e Udhëzuesit për plotësimin e deklaratës të cilat kërkojnë rillogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.
Për më tepër, vlen të theksohet që ndërkohë që ligji në në aspekt nuk ka ndryshuar, nga viti 2014 kur u vendos tatimi progresiv, vetëm vite më vonë u vendos në Udhëzues kjo kërkesë për rillogaritje të tatimit. “Mbetet të pyesim çfarë ka ndryshuar në ligj që solli këtë ndryshim të pa bazuar në të, vetëm këto vitet e fundit”, thotë Stringa.
Gjithashtu është shumë e rëndësishme të theksohet që kërkesat e Udhëzimit jo vetëm janë të pa mbështetura në ligj, por edhe cenojnë barazinë në trajtim përpara ligjit për qytetarët që kanë të ardhura nga punësimi, çka është antikushtetuese. Ligjëvënësi e ka vendosur përgjegjësinë për llogaritjen, mbajtjen dhe derdhjen e tatimit tek punëdhënësi. Në kushtet kur administrata tatimore i kërkon vetëm punëmarrësve që kanë të ardhura mbi 2.000.000 lekë të rillogarisë tatimin nga punësimi nësë janë të dypunësuar, atëherë ajo është duke zbatuar ndaj atyre një mënyrë llogaritje tatimi që nuk e bën për të dypunësuarit që kanë të ardhura vjetore nën 2,000,000 lekë, cka është diskriminuese.
Sipas KLSH “Një person që ka të ardhura mbi 2 milionë lekë është i detyruar të deklarojë dhe nëse ka të ardhura nga burime të ndryshme punësimi, pretendohet sipas Udhëzimit është i detyruar të paguajë tatime përtej vlerës së mbajtur në burim nga punëdhënësit. Ndërkohë një person që ka përfituar të ardhura nën 2 milion lekë në vit nga dy ose më shumë burime punësimi, jo vetëm që taksohet më pak se ai që i krijon këto të ardhura nga vetëm një burim, por edhe trajtohet në mënyrë preferenciale në krahasim me atë individ që të vetmen diferencë ka faktin që totali i të ardhurave është mbi 2 milionë lekë në vit.”
Për këtë KLSH ka dhënë dhe rekomandimet përkatëse, ku kërkoi që cdo masë të ndërmerret vetem e mbështetur në ligj. Për këtë arsye dhe në harmoni me rekomandimet e KLSH, duke filluar nga viti 2020, Ministria e Financave bëri dhe ndryshimet ligjore për ta bërë të mbështetur në ligj rillogaritjen e tatimit nga punëdhënësi dhe vendosjën e kërkesës për deklarim jo vetëm për ata me të ardhura nga punësimi mbi 2,000,000 lekë por duke e shtrirë për të gjithë ata idnividë që kanë të ardhura nga më shumë se një burim. Si përfundim, Udhëzuesi që kërkon rillogaritjen e tatimit nga punëmarrësi është i pambështetur në ligj dhe krijon pabarazi përpara tij, pohon Stringa.
PRONONCIMI i TATIMEVE: Informacion mbi procedurat dhe bazen ligjore mbi tatimin mbi te ardhurat personale.
Në lidhje me tatimin mbi të ardhurat personale për të ardhurat e përfituara nga individët nga punësimi në dy apo më shumë punëdhënës, referuar dispozitave ligjore në fuqi, secili punëdhënës ku është i punësuar punonjësi, llogarit, mban dhe derdh në llogari të organeve tatimore tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punësimit.
Në pikën 1 të nenit 10 “Mbledhja e tatimit” të ligjit 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, përcaktohet se çdo punëdhënës, që paguan një pagë a shpërblim të parashikuar në gërmën “a”, të nenit 8 të këtij ligji, mban tatimin mbi të ardhurat personale dhe e derdh tatimin e mbajtur në favor të organeve tatimore.
Në pikën 2.6.1 të pikës 2.6 “Mbledhja e tatimit” të udhëzimit nr.5, datë 30.01.2006 (i ndryshuar) sqarohet se çdo punëdhënës që paguan një pagë a shpërblim të parashikuar në gërmën a) të nenit 8 të ligjit është i detyruar të llogarisë dhe të mbajë në burim tatimin mbi të ardhurat personale (të ardhurat nga punësimi).
Në pikën 2.6.2 të pikës 2.6 të udhëzimit të sipërcituar, përcaktohet se punëdhënësit detyrohen të bëjnë ndalesat në borderotë e pagave (listëpagesat), për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale për pagat dhe shpërblimet e tjera në lidhje me punësimin aktual (të ardhurat nga punësimi).
Në dispozitat e neneve 13, 13/1, 13/2, 13/3, 13/4, 13/5 13/6, 13/7,13/8,13/9 dhe 13/10 të ligjit të sipërcituar përcaktohet se, tatimpaguesit individë rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj mbi 2.000.000 lekë, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore.
Në gërmën a) të pikës 1 të nenit 13/2 “Të dhënat për të ardhurat bruto” përcaktohet se, tatimpaguesi në deklaratën vjetore të të ardhurave jep të dhëna për të ardhurat bruto, në të cilat përfshihen të ardhurat bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit.
Në pikën1 dhe 2 të nenit 13/6 “Tatimi për t’u paguar” përcaktohet se:
Diferenca ndërmjet totalit të të ardhurave bruto me shpenzimet e zbritshme, sipas nenit 13/3 të ligjit, dhe të ardhurat nga punësimi përbën të ardhurën e tatueshme të individit.
Kjo e ardhur e tatueshme tatohet sipas shkallës tatimore në përputhje me normat tatimore, të përcaktuara në nenet 9 dhe 11, me përjashtim të të ardhurave nga punësimi, të deklaruara dhe të tatuara nga punëdhënësi me tarifat progresive, sipas këtij ligji.
Gjithashtu, në Udhëzues për mënyrën e plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave pjesë përbërëse e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave dhe pjesë e Udhëzimit nr.5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar është ilustruar edhe mënyra e plotësimi të rubrikës (3) dhe (4) të deklaratës si më poshtë:
SEKSIONI B: TË DHËNA PER LLOGARITJEN E TATIMIT
TË ARDHURAT BRUTO
Të ardhurat bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, plotësohet për totalin e pagave dhe shpërblimeve që deklaruesi përfiton nga të gjitha marrëdhëniet e punësimit gjatë periudhës tatimore.
Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, do të jetë fushë e lirë dhe do të plotësohet nga vetë deklaruesi. Shuma e tatimit të vendosur në këtë kuti, në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se tatimi i mbajtur në burim dhe i paguar nga punëdhënësi për të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit. Kjo fushë do të plotësohet nga individi deklarues, i cili do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat që përfitohen gjatë muajit, edhe kur ai i përfiton ato nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë punëdhënës e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore (totali i të ardhurave nga të gjithë punëdhënësit). Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në këtë fushë, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet. Në rast se shuma e të ardhurave të përfituara gjatë një muaji nga një apo më shumë punëdhënës është nën kufirin e tatueshëm (30,000 lekë), kjo fushë do të jetë zero./Monitor