E enjte, 2 Dhjetor, 2021
11.5 C
Tirana

Susanne Schütz: Çështjet politike duhet të lihen jashtë Procesit të Berlinit

Merkel mbledh sot në një videokonferencë për herë të fundit liderët e Ballkanit Perëndimor. E ngarkuara e Ministrisë së Jashtme për Ballkanin, Susanne Schütz ndriçon sfondin e takimit mbi Procesin e Berlinit.

Deutsche Welle: Znj. Schütz, çfarë e shtyu Gjermaninë të nisë Procesin e Berlinit si një ofensivë diplomatike në Ballkanin Perëndimor?

Susanne Schütz: Qeveria gjermane, në vitin 2014, filloi Procesin e Berlinit së bashku me vendet e rajonit dhe partnerë të tjerë për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe në të njëjtën kohë për të përshpejtuar afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Si atëherë, edhe tani vlen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, kjo është bindja jonë.

Në fokus të Procesit të Berlinit janë përmirësime konkrete për të përditshmen e njerëzve në rajon. Për shembull, Marrëveshja për heqjen e tarifave Roaming nga 1 korriku. Infrastruktura e transportit dhe energjisë është zgjeruar shumë gjatë shtatë viteve të fundit dhe është lidhur me korridoret e BE-së. Edhe Zyra Rajonale e Rinisë (RYCO), e cila ka bërë bashkë të rinjtë e rajonit, është një arritje afatgjate për të ardhmen. Këto rezultate tregojnë se bashkëpunimi i suksesshëm në Procesin e Berlinit është i mundur.

Çfarë prisni nga samiti i këtij viti?

Ne presim nga samiti progres të mëtejshëm konkret në bashkëpunimin rajonal, që është pjesë e Procesit të Berlinit. Samiti shënon kulmin e një serie aktivitetesh përgatitore. Në qershor u mbajtën konferenca të ministrave të Shëndetësisë, të ministrave të Punëve të Brendshme dhe Ekonomisë. Ndër të tjera, pjesë e procesit është edhe një forum i madh i shoqërisë civile dhe rinisë. Samiti do të merret kryesisht me hapat e mëtejshëm për krijimin e një tregu rajonal. Ky projekt historik, i dakorduar nga gjashtë vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor në samitin e parafundit, në nëntor 2020, synon të sjellë deri në fund të vitit 2024 katër liritë e mëdha, të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian – lëvizjen e lirë të personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Kthimi i samitit pas shtatë vjetësh në Berlin ofron gjithashtu një mundësi shumë të mirë për të bërë një vlerësim dhe shkëmbim mendimesh mbi procesin e Berlinit. Për shkak të pandemisë, dhe rrezikut ende ekzistues të infektimit, është vendosur që ky samit të zhvillohet vetëm në mënyrë digjitale.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, në fjalën e tij në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, u bëri thirrje vendeve që të përpiqen ta bëjnë këtë samit të suksesshëm. Çfarë do të thotë kjo konkretisht dhe ku janë pengesat kryesore?

Ministri i Jashtëm Maas inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të forcojnë përpjekjet e përbashkëta për të arritur rezultate konkrete në samit, në interes të njerëzve të rajonit. Kjo ka të bëjë kryesisht me marrëveshjet që janë pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe nga të cilat do të përfitonin veçanërisht qytetarët. Sipas mendimit tonë, marrëveshjet më të nevojshme këtu janë marrëveshjet për udhëtime falas në rajon, vetëm me karta identiteti, dhe njohjen reciproke të diplomave të shkollave profesionale dhe të larta.

Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion dhurata dhe hua në vlerë prej afro 29 miliardë euro. Nga ana tjetër, vendet e rajonit kanë një nivel të lartë korrupsioni në strukturat qeveritare. Cili është mekanizmi i kontrollit që përdorni për të siguruar përdorimin korrekt të mjeteve?

Plani Ekonomik dhe i Investimeve i Komisionit të BE-së, miratuar në Tetor 2020, parashikon sigurimin e 9 miliardë eurove nga Instrumentet e Anëtarësimit IPA III. Me ndihmën e një instrumenti garancie, do të mobilizohen edhe deri në 20 miliardë euro nga sektori privat për të çuar përpara zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket përdorimit të fondeve të BE-së, vlejnë të njëjtat rregulla si për buxhetin e BE-së. Përdorimi i mjeteve të BE-së monitorohet në mënyra të ndryshme. Për shembull, në disa raste Komisioni Evropian i menaxhon fondet vetë për të siguruar përdorimin e duhur të tyre ose bashkëpunon me organizata ndërmjetësuese, siç është Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Përkundër kësaj, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) gjithashtu kontrollon sipas kritereve të saj. Në rast dyshimi për mashtrim ose korrupsion, OLAF duhet të fillojë hetime. Edhe institucionet financiare private dhe ndërkombëtare kanë mekanizma kontrolli të caktuara për të siguruar përdorimin e duhur të fondeve.

Deri ku ka arritur implementimi i Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili u miratua vitin e kaluar në Sofje dhe cilat janë sfidat kryesore të zbatimit të tij?

Që nga miratimi i Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, nga qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në nëntor të vitit të kaluar, po punohet për zbatimin e tij. Një falënderim i madh i duhet dhënë këtu sidomos veçanërisht Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Sekretariatit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA). Sfidat nga njëra anë kanë të bëjnë në radhë të parë me kohën e shkurtër që ka kaluar që nga samiti i nëntorit, dhe me faktin që takimet fizike kanë qenë të kufizuara si edhe me kompleksitetin e pyetjeve që shtrohen për realizimin praktik. Gjithashtu është e rëndësishme, që në traditën e mirë të Procesit të Berlinit, të lihen jashtë çështjet politike, sepse ato shumë shpejt çojnë në bllokada.

Si do të vijojë Procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit do të luajë edhe më tej një rol të rëndësishëm. Kjo është dëshira e qartë e të gjitha palëve. Ai është një nismë e fortë e dalë nga rajoni. Por natyrisht që Ballkani Perëndimor, qysh nga viti 2014  ka ndryshuar, Edhe marrëdhëniet me BE-në qysh atëherë janë intensifikuar. Prandaj është diçka e mirë, që ne tani, në samit së bashku me vendet e rajonit dhe me partnerët – duke përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian – të zhvillojmë një diskutim për mënyrën se si do të vijojë më tej procesi i Berlinit dhe cilat do të jenë modifikimet që do t’i bëhen atij.

Intervistën e zhvilluan Anila Shuka dhe Nenad Kreizer/DW

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Haklaj plas ‘bombën’: Noka do tentojë të pushtojë selinë e PD më 12 dhjetor

Ish-kryetari i PD-së në Tropojë, Azgan Haklaj, ka lëshuar një deklaratë të fortë teksa ka thënë se Flamur Noka po përgatit strukturat për të...

Tensionet Rusi-Ukrainë, Lavrov dhe Blinken takim ‘kokë më kokë’

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, u takuan të enjten në Stokholm, Suedi, mes shqetësimeve në rritje...

Nëse “Foltorja” është demokraci, atëherë PD e meriton Berisha&Bashën

Nga: Ben Andoni Nëse në fillim njerëzit e PD-së mundoheshin të gjenin atë të veçantën dhe mënyrën sesi do të mbrohej Berisha me etiketimin “Non...

Ben Blushi dorëhiqet nga drejtimi i “Top Channel”

Ben Blushi ka dhënë dorëheqjen nga "Top Channel", media e njohur të cilën e drejtonte prej katër vitesh. Nga sot ai nuk është më...

Komiteti Teknik publikon masat e reja, çfarë do ndodhë nga 4 janari

Pas rritjes së rasteve dhe shtrirjes së madhe në mbarë botën si pasojë e variantit Omicron, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të...