Varianti i indian i koronavirusit Detla, që po bëhet gjithnjë e më shqetësues për të gjithë botën, mund të transmetohet në një kohë tepër të shkurtër 10-15 sekonda, pa asnjë kontakt apo grumbullime masive të njerëzve, sipas studimeve të fundit.
Alarmi u dha nga Ministria e Shëndetësisë në Australi, teksa dha rastin kur disa të huaj të cilët ishin infektuar me këtë variant, ia transmetuan virusin disa personave të tjerë të cilët kaluan pranë tyre, në një qendër tregtare në Sidnei.
Duke parë pamjet, ekspertët deklaruan se edhe ky variant qëndron në ajër, dhe se mund të infektohesh edhe vetëm duke marrë frymë.
Ndërkohë, Profesoresha e Epidemiologjisë në Greqi, Athena Linou , e cilësoi mutacionin e ri diçka që duket si një pandemi e re. Ajo theksoi se respektimi i masave të higjienës duhet të vazhdojë dhe mbi të gjitha popullata duhet të vaksinohet.
Mutacioni “Delta” është përhapur tashmë në Britani dhe Rusi, ndërsa ka tendencë të përhapet në Evropë dhe SHBA. Gjermania për shkak të variantit “Delta”, mendon të ndalojë plotësisht hyrjen e turistëve britanikë.