https://www.facebook.com/tiranatodaycom/videos/331644750613602/
Temperaturat ekstreme mund të vrasin 152 mijë njerëz në Evropë deri në vitin 2100 nëse nuk bëhet asgjë për të kontrolluar ndikimin e ndryshimeve klimaterike, thonë shkencëtarët.
Ky numër nënkupton rreth 50 herë më shumë vdekje se sa statistikat aktuale, thotë një studim i botuar në revistën “Planetary Health” The Lancet.
Deri në ato vite rreth 99% e të gjitha vdekjeve do të shkaktohen nga valët e nxehtësisë, dhe më së shumti do të preket Evropa jugore.
Nëse nuk do të merret asnjë masë për të ulur emetimet e gazrave dhe nuk do të përmirësohen politikat për të ulur temperaturat ekstreme të motit, studimi nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian thotë se:
- Vdekjet si pasojë e temperaturave ekstreme mund të rriten, nga 3,000 në vit që ishin midis 1981 dhe 2010, në 152,000 midis viteve 2071 dhe 2100.
- Dy në tre persona në Evropë do të preken nga sëmundjet deri në vitin 2100, kundrejt një shkalle prej një në 20 persona që prekeshin në fillim të shekullit.
- Do të ketë një rritje të konsiderueshme të vdekjeve që vijnë si pasojë e përmbytjeve bregdetare, nga gjashtë viktima që përmbyteshin në vit në fillim të shekullit, në 233 në vit në fund të shekullit.
Shtatë ngjarjet më të rrezikshme që mund të vijnë si pasojë e temperaturave ekstreme janë: Valët e nxehtësisë, goditjet e ftohta, zjarret, thatësirat, përmbytjet e lumenjve dhe bregdeteve dhe stuhitë – në 28 vendet e BE-së, si dhe në Zvicër, Norvegji dhe Islandë.
Ekipi i studiuesve vëzhgoi rastet e fatkeqësive natyrore nga viti 1981 deri në vitin 2010 për të vlerësuar ndjeshmërinë e popullsisë dhe kombinoi këtë informacion për të parashikuar ndryshimet e ardhshme të klimës.
Parashikimi rezultoi shumë pesimist madje edhe në objektivat e vendosura nga Marrëveshja e Parisit.
“Ndryshimi i klimës është një nga kërcënimet më të mëdha globale për shëndetin e njeriut në shekullin 21”, tha Giovanni Forzieri, një nga autorët e studimit.
“Nëse ngrohja globale nuk frenohet, nuk konsiderohet si një çështje urgjente dhe nuk merren masat e duhura, rreth 350 milionë evropianë do të ekspozohen ndaj dëmtimeve të temperaturave ekstreme deri në fund të shekullit”.
Të premten, Shtetet e Bashkuara njoftuan me shkrim OKB-në se do të tërhiqen nga marrëveshja klimatike e Parisit 2015.
Presidenti i SHBA Donald Trump tha se marrëveshja do të kushtonte miliona vende pune amerikane.
Në marrëveshjen e Parisit pothuajse 200 vende ranë dakord të mbajnë ngrohjen “poshtë” nivelit 2C (3.6F) dhe të “përpiqen t’i kufizojnë” temperaturat edhe më shumë, deri në 1.5.
“Njerëzit mund të përshtaten”
Ekspertët nga Universiteti Kombëtar i Seulit të Koresë së Jugut thanë se rezultatet e studimit “po mbivlerësohen”.
“Njerëzit njihen si qenie që mund të përshtaten dhe të bëhen më të paprekshëm se më parë nga klima, për shkak të zhvillimit të teknologjisë, ajri i kondicionuar dhe izolimi termik në shtëpi”, shkruan ekspertët në një artikull të botuar në të njëjtën revistë.
Paul Wilkinson, profesor në Shkollën Londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se studimet shërbejnë për “të kujtuar ç’mund të ndodhë me njerëzit nëse emetimet e gazrave vazhdojnë pa u pakësuar”.
“Janë një argument i fuqishëm për të përshpejtuar veprimet lehtësuese për të mbrojtur shëndetin e popullsisë së botës”.
Extreme weather events may effect two in three Europeans every year by 2100. Read it on the Lancet Planetary Health @TheLancetPlanet pic.twitter.com/BkFlCxR3Q9
— Lancet Planetary H (@TheLancetPlanet) August 5, 2017
Përshtati redaksia Tirana Today