Vitet e gjimnazit janë ato që kujtohen plot nostalgji, por edhe vitet kur fillon rebelimi… Në studion e “E Diela Shqiptare”, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” sot ishin të pranishëm 4 adoleshentë, dy binjakë 16-vjeçarë dhe dy të rinj të tjerë të moshës 17-vjeçare.
Arsyeja? Të diskutojnë për “sleep over”, që në shqip do të thotë “të flet tek një shoqe/shok” dhe të bindnin nënat e tyre që t’i linin tek njëri-tjetri.
“Problemi është që mami nuk më le të iki të flej tek shtëpitë e shoqeve dhe kam vënë është që është një problem që e kanë të gjithë. Mendoj që është më shumë çështja e merakut. Meraku i mamit tim është se çfarë mund të bëj unë tek shtëpia e një shoqeje”, shpjegoi Alensa.
Por përse duan të rinjtë të flenë tek shtëpitë e njëri-tjetrit?
“Ndoshta kemi më shumë nevojë për kohë, për të kaluar më shumë kohë me njëri-tjetrin dhe e forcon më shumë lidhjen shoqërore”.
Po ti kur fle, fle, çlidhje do të forcosh?, i pyeti Gjebrea fëmijët.
“Po fle është fjala, po ne nuk flemë. Bëjmë muhabet, lojëra të ndryshme, shohim ndonjë film. Diskutojmë tema që edhe në shkollë nuk diskutohen shumë, sepse jemi në një ambient më të gjerë…”
Në argumentin e tij, Ardit Gjebrea u shpjegoi të rinjve se prindërit kanë disa meraqe dhe një ndër to është fakti se kur shkojnë për të fjetur tek miqtë, dalin.
Dhe të rinjtë në studio u përgjigjën se kjo ndodh “me raste”. Ata treguan se preferojnë t’u japin prindërve një pretekst dhe të mos i kërkojnë leje kur ka një festë/koncert apo organizime, pasi me gjasë nuk do t’u japin leje. Ata treguan se u pëlqejnë klubet, muzika.
Por si mund t’i rezistoni alkoolit?, i pyeti Gjebrea dhe u kërkoi të rinjve në studio që t’i jepnin argumente si të ishte babai i tyre.
“Si argument do të kërkoja besim te unë sepse edhe unë duhet të jem disi më i pavaruar dhe jo të rri gjithmonë pas hapave të tua dhe nën kontrollin tend. Sepse do vijë kohë që do dalim në jetë dhe duhet të kemi kaluar disa eksperienca”.
Mamatë e katër të rinjve nuk e njohin njëra-tjetrën dhe sot ato janë të gjitha të ftuara në studion e “E Diela Shqiptare”. Dhe sigurisht, gjëja e fundit që prisnin ishte që në këtë studio t’i thërrisnin fëmijët e tyre.
Secila prej të tyre u shprehën shumë të surprizuara dhe kureshtare se kush mund t’i kishte thërritur në studio. Të gjendura përballë njëra-tjetrës, tre nënat u përpoqën të gjenin se çfarë i lidhte bashkë, por qe e pamundur.
“Do kemi ardhur gabimisht”, thanë ato me humor.
Sigurisht, një moment që ekrani përballë shfaqi fëmijët e tyre, tre nëna shpërthyen në të qeshura. E kur zbuluan që lidhja ishin fëmijët e tyre që janë të katërt në një klasë, mister mbetej arsyeja përse kishin zgjedhur t’i thërrisnin tek “Ka një mesazh për ty”.
Nëna e Alensës shpjegoi se nuk ka besim tek gjërat që nuk kontrollon vetë: “Mendoj që nuk është momenti i duhur…”
Por vajza e saj insistoi që duhet të krijonte eksperiencë në mënyrë që kur të dilnin në jetë, të ishin të përgatitur.
“Rejdi e di shumë mirë që unë i kam dhënë shumë besim, më shumë seç duhet”, tha nëna e Rejdit, e cila shtoi më tej: “Unë kam vetëm një merak. Duke jetuar në këtë kohë që fëmijët tanë përballen me gjërat nga më të ndryshmet, prindi është përgjegjës për çdo gjë. Nuk mund të lejojmë që ne prindërit t’i japim liri të pakufizuar”.
Ndërsa nëna e binjakëve tha se nuk kuptonte përse djemtë e saj, të cilët janë gjatë gjithë kohës me miqtë e tyre, madje edhe në fundjavë, përse kërkojnë që të shkojnë për të fjetur. “Ata janë gjithë kohës me shokët dhe shoqet, gjumë për gjumë, secili në shtëpinë e vet them unë”.
Në këtë pikë, Ardit Gjebrea i pyeti nënat: Nëse do t’i njihnin prindërit e fëmijëve ku fëmijët tuaj pretendojnë që të shkojnë? Do t’i linit apo prap do të ishin skeptike?
Nënat nuk ndryshuan mendim, megjithatë ato më në fund u njohën me njëra-tjetrën. Në fund ato morën nga një mesazh dashurie nga secili prej fëmijëve./tvklan.al