Pas Partisë Demokratike edhe Lëvizja Socialiste për Integrimin përfshihet në skandalin e një lobimi aspak transparent në Kongresin amerikan.
Në një artikull të gjatë investigativ, që mban autorësinë e Dan Friedman dhe Hannah Levintova, gazeta e njohur amerikane “Mother Jones”, ka zbuluar se në vitin 2017, ish-kongresmeni publikan, Howard McKeon, që ka drejtuar Komitetin e Shërbimeve të Armatosura, u angazhua për të lobuar për llogari të Lëvizjes Sovialiste për Integrim, që kërkonte qasje në administratën Trump dhe republikanët e kongresit.
Gazeta ka zbuluar se pjesa më e madhe e aktivitetit të tij lobues ishte financuar nga një kompani qipriote e quajtur “Dorelita Limited”, e cila është themeluar nga një avokat me banim në Qipro, i specializuar në ngritjen e kompanive off-shore të parajsave fiskale, dhe që bashkëpunonte me disa kompani të tilla, lidhura me një oligark të famshëm rus.
Gazeta thekson se aktualisht kjo kompani “guackë” kontrollohet tani, të paktën në letër, nga një avokat me banim në Athinë, i cili në të kaluarën ka qenë këshilltar personal i një miliarderi kontradiktor grek.
“Mother Jones”, pretendon se burimi i parave që rrjedhin nga ”Dorelita Limited” drejt kompanisë së drejtuar nga zoti McKeon, e themeluar në vitin 2015 pas largimit nga Kongresi, mbetet i errët.
“Marrëveshja ngre pikëpyetjen, se kush ka paguar për lobimin në SHBA-së, në emër të një partie të vogël shqiptare, të quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Marrëveshja misterioze ofron një tjetër shembull të interesave të errëta, që përdorin kompani off-shore, dhe që shfrytëzojnë sistemin politik amerikan për të ndikuar në politikën e Ballkanit”- thuhet në artikull.
Vetëm një muaj më parë, kjo gazetë raportoi se Nicolas Muzin, ish-ndihmës i senatorit republikan Ted Cruz, u pagua nga një kompani e ngjashme, dhe që kishte lidhje me shtetas rusë për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike.
Sipas investigimit të “Mothet Jones”, në janarin e vitit 2017, Grupi McKeon nënshkroi një kontratë në shumë 15.000 dollarë me LSI-në, partia politike e tretë më e madhe në Shqipëri, për të lobuar në emër të saj në Uashington, dhe për të promovuar drejtuesin e saj, Ilir Meta, që asokohe ishte dhe kryetar i parlamentit shqiptar.
“Ilir Meta është një politikan i vjetër. Ai ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1999- 2002, dhe është akuzuar haptazi në vitin 2011 për korrupsion, nga një video-përgjim që e shfaqte teksa diskutonte me një ish-ministër tjetër shumën e parave për një aferë korruptive. Meta “perceptohet nga shumë qytetarë si një simbol i korrupsionit”, sipas një raporti të kohëve të fundit nga Freedom House, një organizatë mbikëqyrëse jofitimprurëse me qendër në Uashington. Burimi tha se qëllimi kryesor i kontratës së “Dorelita” ishte që Meta të kishte “qasje” tek presidenti amerikan Doinald Trump, në formën e një takimi apo thjesht një fotoje të rastit”-shkruan më tej gazeta.
Sipas “Mother Jones”, kontrata e McKeon me LSI, kërkonte që kompania të garantonte ftesën e Metën në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump si president, dhe të organizonte takime me “udhëheqësit kryesorë të Uashingtron” gjatë festimeve inauguruese.
Pas betimit të Trump, sipas kontratës, firma lobuese kishte për detyrë të ndihmonte në “zhvillimin e një marrëdhënie të mirë dhe shumë të veçantë me administratën dhe Kongresin e ri”.
Kontrata nuk ishte nënshkruar nga zyrtarët e LSI, por nga një një avokat qipriot me banim në Athinë, i quajtur Iraklis Fidetzis. Në mesin e muajit janar, Meta udhëtoi për në Uashington për të marrë pjesë në inaugurimin e Trump, dhe gjatë qëndrimit atje, McKeon ndërmjetësoi takime të politikanëve shqiptarë me disa kongresmenë republikanë.
Gazetarët shkruajnë se Uashingtoni është plot me lobistë që përfaqësojnë regjime dhe interesa të huaja, ndaj në pamje të parë nuk ishte e çuditshme që LSI-ja po përpiqej të gjente përkrahës në SHBA.
Por sipas tyre interesante është ajo që ndodhi pasi Grupi McKeon raportoi në shkurt 2017 se kishte përfunduar kontratën e tij të lobimit me LSI-në.
Sipas verifikimeve më 24 mars 2017, Grupi McKeon nënshkroi një kontratë tjetër sërish me avokatin Fidetzis. Një burim që është njohur me kontratën tha se kontrata e re e lobimit me LSI-në mbulonte një vit pune, me një shumë të paguar prej 50.000 dollarë në muaj, plus shpenzimet, ose 600 mijë dollarë në vit.
Sipas gazetës, burimi kishte konfirmuar se synimi kryesor i kontratës së Dorelita ishte që Meta të kishte qasje tek presidenti Trump, në formën e një takimi apo një fotoje të rastit. Por kjo përpjekje dështoi.
Të gjitha rrugët të çojnë sërish në Moskë…
“Mother Jones” pretendon se kompania Dorelita ishte një kompani guackë e themeluar enkas për një qëllim: për të siguruar pagesën për lobimin e Grupit McKeon në Kongres për LSI-në.
Kompania u ngrit në vitin 2013 nga një avokat grek me emrin Andreas Petrou. Ai drejton një studio ligjore në kryeqytetin qipriot, Nikozia, që krijon dhe administron kompani off-shore.
Në sajtin zyrtar, kompania pranon se rreth një e treta e klientëve të saj janë rusë, dhe reklamon një numër të veçantë telefoni për folësit rusë.
Sipas të dhënave të bizneseve ruse dhe qipriote, firma e Petrou ishte e përfshirë në kompanitë me bazë në Qipro që janë të lidhura me Oleg Deripaskën, manjatin e aluminit rus, marrëdhëniet në biznes të të cilit me drejtuesin e fushatës elektorale të Trump, Paul Manafort, e kanë përfshirë atë në skandalin Trump-Rusi .
“Bizneset e lidhura me Deripaskën kishin si seli në të njëjtën adresë me studion ligjore të Petrou: EN + Corporate Services Limited dhe ACL Aluminium Constructions Limited, ku sipas të dhënave të biznesit të Qipros, Petrou ishte drejtor. Të dhënat zyrtare, konfirmojnë se Petrou ishte gjithashtu i lidhur me 4 biznese të tjera ruse që ishin pjesë e perandorisë së aluminit të Deripaskës. Më herët gjatë këtij muaji, Deripaska dhe disa kompani që ai ka nën kontroll u përfshinë nga sanksionet financiare nga Departamentit Amerikan të Thesarit” – thuhet më tej në artikull.
LSI mohon lidhjet
Ndërkohë LSI mohon çdo lidhje me kompaninë Dorelita. I kontaktuar nga gazeta, një zëdhënës i partisë tha se kishte “zero kontakte dhe zero informacion për këtë kompani”.
Zëdhënësi vuri në dukje se një deputet i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur LSI-në me zotin Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15.000 dollarë nga LSI tek Grupi McKeon.
“Një doktor në profesion dhe një anëtar i pakicës greke në Shqipëri, Tavo vizitoi Shtetet e Bashkuara në fund të prillit 2017, disa ditë përpara se parlamenti shqiptar të zgjidhte Metën presidentin e vendit. Ai ishte në Uashington, pikërisht në kohën kur McKeon planifikoi takime me anëtarët e Kongresit në emër të “Dorelita”, çka shton dyshimet se që ai të ketë marrë pjesë në këto takime”- vijon më tej “Mother Jones”. Tavo nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës për të bërë ndonjë koment mbi këtë çështje.
Arben Cici, drejtor i kabinetit i presidentit Ilur Meta, tha nëpërmjet një e-maili se zoti Meta që nga zgjedhja e tij si kryetar shteti nuk ka patur marrëdhënie me lobistët apo “ndonjë forcë politike”. Nga ana tjetër, Cici nuk iu përgjigj pyetjeve rreth lidhjeve të Metës me Fidetzis apo Dorelita-n.
As McKeon nuk pranoi të fliste për gazetën mbi punën e kompanisë së tij “guackë”. Bashkëshortja e McKeon, Patricia, e cila është e shënuar si një numër kontakti në dokumentet e paraqitura me Kongres lidhur me Dorelita-n, mbylli telefonin kur u kontaktua nga një gazetar i “Mother Jones”.
Në parim nuk ka ndonjë ligj që kundërshton pranimin e pagesave nga një kompani e huaj nën kontraktore për lobim, sipas ekspertëve mbi rregullat e lobimit.
Por Ligji për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj, kërkon që të zbulohet qeveria e huaj apo partia politike, e cila është përfituesja kryesore e punës lobuese, dhe Grupi McKeon nuk e ka identifikuar LSI-në apo Shqipërinë si përfituese të punës së saj për Dorelita-n.
Megjithatë, synimi në parim i një kompanie off-shore është të errësojë interesat e vërteta që qëndorjnë pas një lobimi, theksojnë gazetarët në artikullin e tyre investigativ.
Në fakt, duket sikur nuk ka gjasa që Fidetzis, i cili nuk ka interesa të dukshme në Shqipëri, të financonte vetë fushatën e shtrenjtë të lobimit të “Dorelita”-s. Dhe ai me gjasë mund të ketë vepruar në emër të një pale tjetër.
Pra, pyetja që mbetet është: Kush e financoi lobimin pro-LSI në Shtetet e Bashkuara, dhe cili ishte qëllimi i kësaj fushate ndikimi?”- e mbyll shkrimin “Mother Jones”.
PËRSHTATI TIRANA TODAY