Zëvendëskryeministri Erion Braçe, ka zhvilluar një kontroll blic para orës 8 të mëngjesit në Kadastrën e Vlorës, e cila vetëm në muajin e fundit ka ndërruar 3 herë drejtuesin e saj. Ai ka qenë i pranishëm në zyrat e Kadastrës para orarit zyrtar që nis puna. Mësohet se Braçe ka pasur qëllim përveç të tjerash, të shohë zbatimin e orarit të punonjësve të këtij institucioni. Ai ka takuar edhe disa qytetarë të pranishëm, ku është njohur me problematikat që ata i kanë shprehur, sa i takon këtij institucioni. Vlen të nënvizohet fakti se vizita blic e Braçes vjen disa javë pas një situate kaotike me emërime dhe shkarkime të drejtuesve të Kadastrës, dhe punonjësve të saj.
Kadastra e Vlorës, një zonë e “minuar”
Kadastra e Vlorës është kthyer së fundmi në një zonë të “minuar”, pasi dy grupe të ndryshme pretendojnë për pronësinë e të njëjtës pronë në zonën e Jalës. Gjykata e Vlorës ka dhënë një vendim të formës së prerë për marrjen e pronës nga njëri prej grupet. Ndërsa Kadastra e Vlorës ka kërkuar prej kohësh pezullimin e këtij vendimi, duke favorizuar palën tjetër.
Por çfarë ka ndodhur me dorëheqjet nga Kadastra e Vlorës?
Tre drejtorë brenda një muaji kanë dhënë dorëheqjen, dhe shkak është fakti që nuk arrijnë të zbatojnë një vendim të Gjykatës së Lartë, për një pronë në bregdet. Kadastra e Vlorës është në gjendje kolapsi, ku dha dorëheqjen drejtori i tretë brenda një muaji. Në zyrat e Agjencisë Rajonale të Kadastrës së qytetit bregdetar, ka ndodhur ajo që nuk është parë kurrë në ndonjë institucion tjetër shtetëror.
Tre drejtorë brenda një muaji dhanë dorëheqjen, dhe shkak është fakti që nuk arrijnë të zbatojnë një vendim të Gjykatës së Lartë, për një pronë në bregdet. I pari që dha dorëheqjen në 9 shtator ishte Florian Almadhi, i cili u zëvendësua nga Alteo Nazeraj. Ky i fundit nuk qëndroi as 10 ditë në detyrë, dhe deklaroi gjithashtu dorëheqjen. Në vend të tij u emërua Elona Hodaj, e cila bëri të njëjtin akt dorëheqje.
Të gjithë largohen nga drejtimi i Kadastrës me pretekstin e problemeve personale apo shëndetësore, por ngërçi qëndron në zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë. Vetëlargimet në seri vijojnë ta mbajnë në kolaps situatën në Kadastrën e Vlorës, ku brenda një muaji janë ndryshuar disa drejtorë, nëndrejtorë dhe juristë, fakt që tregon se ky institucion vazhdon të mos funksionojë.