La Masia, disa vite më parë ishte shembulli i mënyrës se si duhej të funksiononte një klub. Akademia e famshme e Barcelonës prodhonte lojtarë të niveleve më të larta aq sa në kohën e Guardiolës, arriti të hidhte në fushë vazhdimisht një përbërje thuajse plotësisht të formuar brenda mureve të famshme të akademisë katalanase. Por për drejtuesit aktualë të Barcelonës, La Masia ka marrë një kuptim tjetër, pasi nëpërmjet saj fshehin të gjitha shkeljet apo gjërat e dyshimta që bëjnë.
Këtë herë, emri i akademisë është përfshirë në skandalin e pagesave ndaj një kompanie e cila kishte si qëllim që nëpërmjet rrjeteve sociale të kritikonte lojtarët ndërsa përmirësonte imazhin e drejtuesve të klubit. Sipas të dhënave të publikuara në mediat spanjolle, komapnia “I3 Ventures” që merrej me këtë detyrë, u pagua nëpërmjet një filiali të saj, “Tantra Soft”, për një shumë prej 297 mijë eurosh.
Një shumë prej 198 mijë eurosh u pagua për edicionin 2018-2019, por pasi u zbulua skandali nga Cadena SER, u bllokua pagesa e pjesës së dytë prej 99 mijë eurosh. Paratë nuk ishin programuar direkt nga shpenzimet e presidencës, ajo që kishte urdhëruar kompaninë të monitoronte rrjetet sociale të lojtarëve e t’i kritikonte ata, por nga fondet e La Masia. Drejtuesit e kësaj të fundit panë se në shpenzimet e bilancit të tyre ishte llogaritur edhe një shifër e tillë dhe u ankuan te bordi, por më pas u detyruan të lëvronin pagesën, pasi ajo ishte urdhëruar nga shefi ekzekutiv i Barcelonës, Oscar Grau. Ky zbulim njollos edhe më shumë drejtuesit katalanas, por edhe La Masia e cila duket se ka humbur shkëlqimin e saj.