Fjalimi historik i bashkë-themelues të kompanisë “Apple”, Stiv Xhobs, mbajtur më 12 qershor 2005 në Universitetin e Stenford në ceremoninë e diplomimit të studentëve, ka hyrë në histori pasi dërgoi një mesazh të qartë:e ardhmja fillon tek të rinjtë.
Fjalimi i marrë me shkurtime:
Unë nuk jam diplomuar kurrë. Por sot dua t’ju tregoj tre histori personale. E para ka të bëjë me ‘lidhjen e pikave’ në jetë. Unë e braktisa Kolegjin Rid pas 6 muajve të parë, por mbeta në kontakt me të edhe 18 muaj para se ta lija fare. Pse e bëra?
Gjithçka nisi që para se të lindja. Nëna ime biologjike ishte një studente e re në universitet ndaj vendosi të më jepte për birësim. Ajo e ndjeu në zemrën e saj se unë duhej të adoptohesha nga një familje me nivel, ndaj në fillim u planifikua që unë të birësohesha nga një avokat dhe gruaja e tij.
Por kur linda, këta të fundit vendosën në momentin e fundit se donin një vajzë. Kështu që prindërit e mi adoptivë, të cilët ishin në listën e pritjes, u telefonuan në mesin e natës nga dikush që i pyeti:“Kemi një fëmijë të padëshiruar, doni ta merrni?” Ata thanë:“Sigurisht!”.
Më vonë, nëna ime biologjike zbuloi se nëna ime adoptive nuk ishte diplomuar në universitet dhe se babai im nuk kishte as diplomën e shkollës së mesme. 17 vjet më vonë shkova në universitet. Por me naivitet zgjodha një kolegj po aq të shtrenjtë sa Stenford, dhe të gjitha kursimet e prindërve të mi që punuan u shpenzuan për shkollimin tim.
Por pas 6 muajsh, nuk po i shihja asnjë vlerë shkollës. Nuk kisha ide të qarta se çfarë doja të bëja në jetë, dhe asnjë ide se si universiteti mund të më ndihmonte të gjeja rrugën time. Ndaj vendosa të mos ndiqja planin e detyrueshëm të studimit, duke besuar se gjithçka do të funksiononte.
Zgjodha një plan studimi të personalizuar, dhe pata mundësinë të injoroja leksionet që nuk më interesonin, dhe të zgjidhja ato që më dukeshin më interesante. Nuk kisha një dhomë konvikti, ndaj flija në dysheme në dhomat e miqve të mi.
Në atë kohë Kolegji Rid ofronte kursin më të mirë të kaligrafisë në SHBA. Ndaj vendosa ta ndjek atë. Aty mësova ndryshimin midis llojeve të shkrimit “serif” dhe “sans serif”. Mësova rëndësinë e ndryshimit të hapësirës midis kombinimeve të ndryshme të karaktereve (shkronjat proporcionale).
Asnjëra nga ato nuk shpresoja se do të vlente ndonjëherë në jetë. Por 10 vjet më vonë, kur po projektonim kompjuterin e parë Macintosh, më hyri shumë në punë.Nëse nuk do ta kisha ndjekur atë kurs në universitet, ‘Mac’ nuk do të kishte gërma proporcionale dhe gërma me gjerësi fikse.
Ndaj ju them:ju nuk mund t’i lidhni pikat që shikojnë drejt së ardhmes, por mund t’i lidhni ato në një vizatim, vetëm nëse ktheni kokën pas në të kaluarën. Prandaj duhet të keni besim se pikat do të lidhen në një farë mënyre në të ardhmen tuaj. Ju duhet të keni besim tek diçka – intuita, fati, jeta, karma, apo gjithçka tjetër.
Kjo qasje nuk më ka zhgënjyer kurrë, dhe më ka sjellë të gjitha ndryshimet që ju shihni në jetën time. Historia e dytë ka të bëjë me dashurinë dhe humbjen. Isha me fat. E kuptova shumë herët atë që më pëlqente të bëja.
Voz dhe unë e ngritëm “Apple” në garazhin e prindërve të mi kur unë isha 20 vjeç. Të dy punuam shumë, dhe në 10 vjet “Apple” u rrit nga 2 njerëz që punonin në një garazh, në një kompani 2 miliardë dollarëshe me më shumë se 4.000 të punësuar.
Sapo kishim krijuar produktin tonë më të mirë – Macintosh – një vit më parë, dhe unë sapo kisha mbushur 30 vjeç, kur u pushova nga puna. Po si mund të largohesh nga puna nga kompania që ke themeluar? Epo, kur “Apple” u zgjerua, ne punësuam dikë që mendoja se ishte shumë i aftë të drejtonte kompaninë me mua.
Vitin e parë, gjërat shkuan mirë. Por vizioni ynë mbi të ardhmen filloi të ndryshojë, dhe në fund u ndamë. Kur ndodhi prishja, udhëheqësit në kompaninë tonë vendosën të merrnin anën e tij. Ndaj në të 30-tat, unë mbeta pa punë. Për mua ajo periudhë ishte shkatërruese. Për disa muaj nuk e dija se çfarë të bëja. U takova me Dejvid Pakard dhe Bob Nojs për t’ju kërkuar falje pasi e djallosa aq shumë.
Unë isha refuzuar, por isha ende i dashuruar me “Apple”. Ndaj,vendosa që t’ia nis nga e para. Në atë kohë nuk e kuptova, por shkarkimi im nga “Apple” ishte gjëja më e mirë që mund të më kishte ndodhur. Barra e suksesit u zëvendësua nga vetëdija se isha sërish një“fillestar”, me më pak besim për gjithçka.
Kjo gjë më çliroi dhe më lejoi të hyja në një nga periudhat më krijuese të jetës sime. Gjatë 5 viteve që pasuan, unë themelova një kompani të quajtur “NeXT”, një tjetër të quajtur “Pixar”, dhe rashë në dashuri me një grua të mrekullueshme që më vonë do të bëhej gruaja ime.
“Pixar”realizoi filmin e parë të animuar kompjuterik në histori, “Toy Story”, dhe tani është studioja më e famshme e animacionit në botë. “Apple” e bleu “NeXT”, unë u riktheva tek“Apple”, dhe teknologjia që zhvillova tek“NeXT” është sot në zemër të rilindjes aktuale të kompanisë.
Ndonjëherë jeta të godet në kokë si të ishte një tullë. Por mos e humbni besimin. Jam i bindur se e vetmja gjë që më lejoi të vazhdoja, ishte dashuria që ndjeja për atë që bëja. Edhe ju duhet të gjeni çfarë është ajo që doni në jetë.
Dhe kjo është po aq e vërtetë për punën tuaj, sa edhe për ata që ju duan. Puna do të mbushë një pjesë të madhe të jetës tuaj, dhe mënyra e vetme për të qenë vërtet i kënaqur, është të mendoni se ajo është puna më e mirë. Dhe mënyra e vetme për ta bërë më të mirë punën është të duash atë që bën.
Në rast se nuk e keni gjetur akoma, vazhdoni të kërkoni. Mos u ndalni. Ashtu si të gjitha punët e zemrës, ju do ta dini kur ta keni gjetur. Dhe ashtu siç ndodh në marrëdhëniet më të mira, ajo do të bëhet gjithnjë e më mirë me kalimin e viteve. Pra, vazhdoni ta kërkoni derisa ta gjeni. Mos u ndalni.
Historia e tretë ka të bëjë me vdekjen. Kur isha 17 vjeç, lexova një frazë që thoshte pak a shumë:“Nëse e jetoni çdo ditë si të ishte e fundit, herët a vonë do të jetë vërtetë”. Më bëri përshtypje, dhe që prej atëherë, gjatë 33 viteve të fundit jam parë në pasqyrë çdo mëngjes dhe kam menduar “Nëse sot do të jetë dita e fundit e jetës sime, a do të doja vërtet të bëja atë që do të bëj sot?”.
Dhe në çdo rast përgjigjja ishte “Jo” për shumë ditë me radhë, ndaj e dija se duhej të ndryshoja diçka. Të kujtuarit se do të vdes së shpejti, ishte mjeti më i rëndësishëm që më lejoi të bëja zgjedhjet më të mëdha të jetës sime. Rreth një vit më parë u diagnostikova me kancer në pankreas.
Unë as që e dija se çfarë ishte pankreasi. Mjekët më thanë që ishte padyshim një lloj kanceri i pashërueshëm, dhe se do të kisha një jetëgjatësi jo më shumë se 3-6 muaj. Mjeku im më këshilloi të shkoja në shtëpi dhe të “rregulloja gjërat e mia”, që është mesazhi i koduar nga mjekët për t’ju thënë të përgatiteni të vdisni.
Kjo do të thotë të përpiqeni t’u thoni fëmijëve tuaj brenda disa muajsh,gjithçka që keni menduar se do t’jua thoshit përgjatë 10 viteve të ardhshme. Kjo do të thotë të sigurohesh që gjithçka është në rregull, në mënyrë që më pas gjithçka të jetë më e lehtë për familjen tuaj.
Do të thotë të thuash lamtumirë. Jetova gjithë ditën me atë diagnozë. Pasdite më bënë një biopsi. Mjekët zbuluan se ishte një formë shumë e rrallë e kancerit të pankreasit që mund të trajtohej përmes operacionit. Unë e bëra operacionin. Dhe tani jam mirë.
Ishte përvoja ime më e afërt me vdekjen, dhe shpresoj të mbetet e tillë edhe për disa dekada të tjera. Askush nuk dëshiron që të vdesë. Edhe ata që duan të shkojnë në parajsë nuk duan të vdesin për të arritur atje. Dhe pavarësisht gjithçkaje, vdekja është destinacioni që ndajmë të gjithë. Askush nuk i ka shpëtuar ndonjëherë.
Dhe kështu duhet të ndodhë,pasi Vdekja është ndoshta shpikja e vetme dhe më e mirë e Jetës. Është agjenti i ndryshimit të Jetës. Ajo eliminon të vjetrën për t’i lënë vend të resë. Tani për tani ju jeni të rinj, por kur të plakni do të duhet të eliminoheni.
Më vjen që jam kaq dramatik, por kjo është e vërteta. Koha juaj është e kufizuar, prandaj mos e harxhoni atë duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Mos u merrni me dogma, pra të jetoni sipas këshillave që japin të tjerët. Mos lejoni që zhurma e mendimeve të të tjerëve, të mbysë zërin tuaj të brendshëm. Dhe më e rëndësishmja:kini guximin që të ndiqni zemrën dhe intuitën tuaj. Ato tashmë e dinë se çfarë dëshironi vërtet të bëheni. Çdo gjë tjetër është dytësore.
Burimi i lajmit: https://libreriamo.it/societa/come-affrontare-la-vita-il-discorso-di-steve-jobs-rivolto-ai-giovani
Përshtatur nga TIRANA TODAY