Humbi dy vëllezërit nga Covid, familjari: Najada Çomo na bllokoi informacionet

Afrim Osmani humbi dy vëllezër brenda pak kohësh nga Covid-19. Ai mbeti i paqartë për fatin e tyre për shkak se nuk mori asnjë informacion se si u mjekuan, si iu shërbye dy vëllezërve të tij në spital.

“Unë akoma nuk e di të gjithë kronologjinë reale se me çfarë janë kuruar. Si është kuruar. Kush ishte komplikacioni dhe për të kuptuar me orë se çfarë ndodhi, si ndodhi”, u shpreh ai për emisionin Vetting në ABC.

Dy vëllezërit e tij, Arjani 60 vjeç dhe Astriti 62 vjeç u shtruan  brenda pak ditësh në spital për shkak të gjendjes së rënduar. Afrim Osmani thotë prej ditës kur u shtruan dy vëllezërit, ishte ndeshur në mungesë të plotë informacioni nga mjekja Najada Çomo që i ndiqte.

“Si mundet një drejtues po themi pavijoni apo Infektivi dhe mjekja përkatëse pra Najada Çomo, si mundet të bllokojë informacionet. Unë kam parë që edhe pas tre katër ditësh nuk dinë asgjë për të sëmurin brenda. Nuk e dinë a ka humbur jetën apo është në jetë dhe jo më të dinë se çfarë ilaçesh po merr”, tha ai.