“The Economist”
Në përgjithësi, mendohet se demokracitë vdesin nga gryka e armëve, gjatë grushteve të shtetit dhe revolucioneve. Por këto kohë, ato kanë më shumë të ngjarë të asfiksohen dalëngadalë në emër të popullit. Shihni Hungarinë, ku partia në pushtet, Fidesz, e ka shfrytëzuar shumicën e saj parlamentare për të kapur biznesin, kontrolluar gjykatat, për të blerë median, si dhe për të manipuluar rregullat e lojës gjatë zgjedhjeve.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, nuk ka pse ta shkelë hapur ligjin, pasi ai mund të detyrojë parlamentin që ta ndryshojë atë. Ai s’ka nevojë të ngrejë një polici sekrete, për të eliminuar armiqtë e tij netëve të vona. Përkundrazi, radhët e kundërshtarëve mund të zvogëlohen pa dhunë, përmes urtësimit të medias ose nga presionet e taksambledhësve.
Në formë, Hungaria është ende një demokraci e lulëzuar; ndërsa në frymë, ajo është një shtet një-partiak. Ky fenomen po ndodh jo vetëm tek demokracitë e reja si Polonia, ku partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi, ka nisur të imitojë Fidesz-in, por edhe në vende me tradita demokratike të vjetra si Britania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto sisteme të vjetra, nuk do të bëhen në fund shtete një-partiake, por ato po tregojnë tashmë shenja degradimi. Dhe sapo ai nis, është e vështirë të ndalet.
Në zemër të degradimit të demokracisë hungareze është cinizmi. Kur kreu i një qeverie socialiste që shihej gjerësisht si e korruptuar, pranoi në vitin 2006 se e kishte gënjyer elektoratin, votuesit mësuan të pranonin më të keqen nga politikanët e tyre. Dhe Orban e shfrytëzoi me entuziazëm këtë tendencë.
Ai mbjell ndarje, ringjall pakënaqësitë e vjetra dhe shfrytëzon paragjykimet e popullit, veçanërisht në lidhje me emigracionin. Ky teatër politik, synon të shfokusojë vëmendjen nga qëllimi i tij i vërtetë:manipulimi artificial i rregullave dhe shtënia në dorë e institucioneve, për të garantuar qëndrimin e vet në pushtet.
Gjatë dekadës së kaluar, edhe pse në një shkallë më të vogël, e njëjta histori është vërejtur diku tjetër. Kriza financiare i bindi votuesit, se ata po qeveriseshin nga elita okulte, të paafta, dhe që u shërbenin vetëm interesave të tyre. Uoll Striti dhe Bursa e Londrës u shpëtuan nga falimentimi prej qeverive amerikane dhe britanike, në një kohë që njerëzit e zakonshëm humbën vendet e tyre të punës dhe shtëpitë, apo dhe djemtë dhe vajzat e tyre në fushën e betejës në Irak dhe Afganistan.
Në Britani shpërtheu një skandal mbi shpenzimet e deputetëve. Ndërkohë publiku në SHBA e ka kapur me lobimin financiar të korporatave të mëdha tek politika. Në një studim të vitit të kaluar, mbi gjysma e votuesve nga 8 vende të Evropës dhe Amerikën e Veriut, i thanë Qendrës Kërkimore Pew, se ishin të pakënaqur mbi mënyrën se si po funksionon demokracia në vendet e tyre.
Gati 70 për qind e amerikanëve dhe francezëve, mendojnë se politikanët e tyre janë të korruptuar. Populistët e kanë shfrytëzuar në favor të tyre këtë grupim të pakënaqurish. Ata poshtërojnë elitat, edhe nëse ata vetë janë të pasur dhe të pushtetshëm.
Ata rriten nëpër sondazhe, dhe ushqejnë vazhdimisht zemërimin ndaj establishmentit, si dhe thellojnë përçarjen kombëtare. Në SHBA, presidenti amerikan Donald Trump u tha 4 grave kongresmene demokrate që “të rikthehen…në vendet e varfra dhe të infektuara nga krimi, prej nga ku kanë ardhur”.
Në Britani, Boris Xhonson, duke mos pasur mbështetje as në mesin e deputetëve të partisë së tij, për një dalje pa marrëveshje nga BE, i ka tërbuar kundërshtarët e tij duke e manipuluar procedurën për të pezulluar parlamentin për 5 javët e ardhshme, tejet të rëndësishme për fatin e Brexit.
Dhe çfarë të reje kemi këtu, mund të pyesni ju? Politika ka qenë gjithnjë një biznes i fëlliqur. Qytetarët e demokracive të gjalla, kanë kohë që nuk i respektojnë pushtetarët e tyre. Megjithatë, shumë cinizëm e minon legjitimitetin. Trump bie dakord me përbuzjen që votuesit e tij kanë për Uashingtonin, duke i trajtuar kundërshtarët politikë si budallenj.
Mbështetetësit dhe kundërshtarët e Brexit, e denigrojnë njëri-tjetrin si të pamoralshëm, duke e çuar politikën drejt ekstremeve, pasi kompromentimi me armikun konsiderohet një tradhti. Mateo Salvini, drejtuesi i Legës në Itali, i përgjigjet ankesave mbi emigracionin me mbylljen e qendrave të azilit, duke e ditur fare mirë që emigrantët e paligjshëm që do jetojnë rrugëve, do ta thellojnë me tej zemëratën popullore ndaj tyre.
Politikanët cinikë, i denigrojnë institucionet, më pas i vandalizojnë ato. Në SHBA, sistemi zgjedhor lejon që një pakicë votuesish të fitojë dhe mbajë pushtetin. Në Britani, Xhonson po përgatitet t’i shndërrojë zgjedhjet e ardhshme në një luftë midis parlamentit dhe popullit.
Politika sillej dikur si një lavjerrës. Kur gabonte e djathta, në pushtet ngjitej e majta, përpara se pushteti të rikthehej sërish në të djathtë. Tani duket më shumë si një karusel. Cinizmi po e gërryen demokracinë. Palët po shkojnë drejt ekstremeve.
Populistët i bindin votuesit, se sistemi po u shërben atyre shumë keq, ndaj e minojnë atë më tej. Shiu kthehet në breshër. Në një demokraci ka shumë dështime. Por as Londra dhe as Uashingtoni nuk do të bëhen si Budapesti.
Pushteti është më i shpërndarë, dhe institucionet kanë një histori më të gjatë, çka e bën më të vështirë kapjen e tyre, sesa në një demokraci të re në një vend me 10 milionë banorë. Për më tepër, demokracitë mund të ripërtërihen. Politika amerikane ishte e fragmentuar në epokën e Uotergejtit, por e mori veten në vitet 1980.
Reagimi ndaj cinizmit, fillon nga politikanët që e braktisin zemërimin për shpresën. Udhëheqësi i dorës së fortë në Turqi, Rexhep Tajip Erdogan, pësoi një humbje të madhe në garën për kryetarin e bashkisë së Stambollit, përballë opozitarit Ekrem Imamoglu.
Anti-populistët e të gjitha anëve, duhet të bashkohen pas liderve që janë zbatues të rregullave, si presidentja e re e Sllovakisë Zuzana Kaputova. Në Rumani, Moldavi dhe Republikën Çeke votuesit janë ngritur kundër udhëheqësve që po ndiqnin rrugën e Orbanit.
Guximi i të rinjve, që kanë protestuar kohët e fundit në rrugët e Hong Kongut dhe Moskës, është një dëshmi e fortë e asaj që shumë në Perëndim duket se e kanë harruar. Demokracia është e çmuar, dhe ata që janë mjaftueshëm me fat që e kanë trashëguar, duhet të përpiqen që ta mbrojnë atë./ TIRANA TODAY