Kursimet në monedhën e përbashkët, që shqiptarët kanë vendosur në banka ishin 3.6 miliardë euro në fund të muajit prill, apo gati 50% të totalit të depozitave në vend, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Këto kursime, të konvertuara në lekë sot vlejnë të paktën 3.4% më pak, si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros në tregun vendas gjatë vitit të fundit.
Sot një euro këmbehet me rreth 134 lekë, ndërsa një vit më parë këmbehej në kuotën e 138.5 lekëve. Zhvlerësim ky që llogaritet me një humbje të depozituesve në 5.3 miliardë lekë, apo rreth 40 milionë euro, shkruan Monitor.
Vitet e fundit depozitat në valutë janë rritur me shpejtësi, teksa depozitat në lekë ranë, si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare që uli normat e interesit të kursimeve në lekë në nivele minimale. Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në rreth 52% të totalit në fund të prillit 2017. Euro është monedhë e preferuar kursimi, edhe pse interesat e saj janë tepër të ulëta.
Bankierët pohojnë se kursimtarët shqiptarë kanë mungesë besimi te monedha vendase dhe kjo i nxit të mbajnë kursime në lekë.
Shqipëria vlerësohet se ka një nivel të lartë euroizimi, çka ka nxitur Bankën e Shqipërisë që pak muaj më parë të deklarojë një plan për të ulur nivelin e përdorimit të euros në vend, duke marrë masa që do të dekurajonin përdorimin e monedhës së përbashkët si mjet blerjeje, apo kursimi.
Euro aktualisht në Shqipëri këmbehet poshtë nivelit të 134 lekëve, duke qenë në nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2009.