Ministria e Financave ka nisur procedim disiplinor për tre drejtorë të lartë të ministrisë të cilët kanë refuzuar zbatimin e vendimit të këshillit të ministrave numër 473, që njihet ndryshe si Task-Forca, për monitorimin e veprimtarisë së administratës shtetërore gjatë procesit të zgjedhjeve 2017.
Emrat e drejtorëve ndaj të cilëve ka nisur procedimi disiplinor nuk bëhen të ditur, ndërsa në njoftimin e Ministrisë së Financave thuhet se punonjës të administratës fiskale, në tatime dhe dogana, po përdorin si mjet justifikues raporte mjekësore afatgjata, me qëllim shkëputjen nga puna për t’u angazhuar në fushatë elektorale.
Ministria e drejtuar nga ministrja teknike Helga Vukaj u bën thirrje qytetarëve si dhe subjekteve tregtare që t’i denoncojnë këto raste dhe garanton marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre punonjësve.
Po sot një tjetër ministri, ajo e Arsimit pezulloi drejtoreshën e DAR Vlorë për mosbindje ndaj urdhrit të titullarit.