Republika e Shqipërisë u padit në Tetor 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë nga shoqëria Hydro S.R.L., ku u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej €137,235,090 si edhe e të gjithë kostove të Paditësit dhe procesit të arbitrazhit.Qeveria shqipatre prishi kontratën me kompaninë Hidro SRL, e cila zotëronte aksionet e shoqërisë Kalivaçi Green Energy, në pronësi të Françesko Beketit.
Republika Shqipëria paraqiti kundërpadi në këtë proces ku pretendoi se, pavarësisht nga mirëbesimi dhe vullneti i mirë që ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë në lidhje me zbatimin e këtij koncesioni, Paditësi ka qenë në shkelje dhe mospërmbushje të kontratës së koncesionit, për fajin e tij, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej €158,000,000.
Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej €12,900,000 si edhe të kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit.
Trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e Paditësit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e Kontratës dhe me pagesën e kamat-vonesave deri në vlerën e cituar më lart dhe të të gjithë kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit të pësuara nga i Padituri, në një vlerë prej rreth €1,258,642.
Në një vendim të dytë, Trupa e gjykimit do të vendosë vlerën e dëmshpërblimit që Paditësi do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit për faj të tij, bashkë me të gjithë interesat dhe kostot e tjera të zbatueshme.