Mjerimi ekonomik, social dhe kulturor në Shqipëri ka qenë sigurisht shumë më i madh para nëntë dekadash.
Megjithatë apeli i gazetarit Vangjel Koça, që shqiptarët të jenë një popull me bujar ndaj atij që është më në nevojë vlen edhe sot, në kushtet kur 3 dekadat e fundit parabazia ekonomike është rritur frikshëm.
Në një thirrje që është ende tejet aktuale, ai i bën apel shtresës së mesme dhe të lartë, klasës politike që të hedhin sytë edhe nga ata që nuk ngopin ende dot barkun me bukë.
“Bejlerët, arkondët dhe agallarët tanë janë mësuar vetëm të fryhen, shumë herë mbi kurrizin e të varfërve, dhe nuk e kanë marrë vesh akoma se të hollat, që grumbullojnë brenda në kasat e hekurta ose i prishin në ahengje dhe nëpër bordello, duhet të lozin edhe një rol shoqëror”- shprehet ndër të tjera Koça.Shkrimi i publicistit Vangjel Koça:
Javën e shkuar si sot vdiq në Spitalin e këtushëm dhe u varros një plak i varfër. Në Kishë e shpunë mbi një shtrat të vjetër e të shkatërruar të Spitalit dhe prifti e psalti nuk kishin llambadha. Fakti s’ka rëndësi vetvetiu. Do me shtrat të shkatërruar ose me sunduk a tabut të florinjtë, do me llambadha e pa llambadha, këto janë gjëra që një i vdekur as i sheh, as i ndjen.
Po varrimi mizor i të vdekurit të Spitalit të Gjirokastrës ka një kuptim më të gjerë, dëshmon një gjë që shti një hije të zezë e të turpshme mbi shoqërinë. Provon se shoqëria jonë është e çveshur nga çdo ndjenjë njerëzimi.
Edhe librat më elementare të moralit, që përdoren në shkollat fillore, thonë se shoqëria mbështetet mbi drejtësinë dhe mbi mirëbërësinë.
Që të dyja janë lidhur shumë ngushtë midis tyre dhe janë një detyrë e një e drejtë. Drejtësia s’ka kuptim kur të tjerët vuajnë nga shkaku i strukturës ekonomike të shoqërisë. S’mund të mohohet se pjesa më e madhe e njerëzisë vuan nga mizoria, të cilën disa e quajnë padrejtësi natyrale dhe disa padrejtësi shoqërore.
Gjetkë e kanë kuptuar se njerëzit e pasur e kanë për detyrë të ndihmojnë njerëzit e varfër. Këtë detyre e ka pranuar edhe Shteti. Kësisoj kemi asistencë publike dhe asistencë private në bashkëpunim midis tyre.
Qytetërimi aksidental, me gjithë akuzat që i bëhen, mundet të mburret me spitalet, azilet dhe institutet e tjera që kanë ngritur për të varfrit mirëbërësia shtetërore dhe mirëbërësia private.
Gjetkë, një sakat, një plak i varfër hyn në një azil dhe nuk ka frikë të vdesë urie. Në Elberfeld, provincë renave, çdo qytetar i pasur detyrohet të vihet në dispozitën e kryetarit të bashkisë për t’u kujdesur për katër familje të varfra të rrugës së tij. Zonjat kanë për mision të ndihmojnë të sëmurët.
Ka një Zyrë me regjistra të mira dhe të sakta për të varfrit dhe ata që duan t’i ndihmojnë janë të sigurtë se, me anën e kësaj Zyre, ndihmat e tyre do të zenë vend. Po ne ç’mund të paraqitim në këtë pikë? Për fat të keq asgjë!
Disa ditë më parë një mik dhe bashkëpunëtor i kësaj gazete deshi të shpërndajë ndër të varfrit një shumë të hollash me rastin e vdekjes së mëmës së tij. I mësuar në një botë të ndryshme, u çudit tepër kur mori vesh se këtu nuk ka një shoqëri mirëbërëse së cilës t’i dorëzonte të hollat.
Kjo gjë nuk vihet re vetëm në Gjirokastër, po edhe në gjithë Shqipërinë. Po të përjashtojmë Çmendinën e Vlorës dhe Spitalet që janë të Shtetit, nuk ka as një institut që të jetë ngritur nga mirëbërësia private.
Edhe një të mirë, që deshi ta bëjë me testament Ali Agjah Elbasani, disa patën paturpësinë ta shpien gjer në Parlament për të prishur testamentin në favor të një privati, i cili për fat të keq ishte edhe deputet.
Duhet të kuptojmë një gjë: Mirëbërësia nuk është sadaka; nuk është çerek leku ose copa buke që i japim një të varfëri. Këto gjëra mund të bëjnë një të mirë, po mund të bëjnë edhe një dëm, duke bërë përtacë ata që s’kanë dëshirë të punojnë.
Mirëbërësia është një gjë më e madhe, më e lartë, e organizuar në mënyrë që t’u sjellë një dobi atyre që kanë me të vërtetë nevojë dhe atyre që meritojnë të ndihmohen. Pikërisht këtë gjë nuk e ka ndjerë akoma për fat të keq shpirti shqiptar.
Bejlerët, arkondët dhe agallarët tanë janë mësuar vetëm të fryhen, shumë herë mbi kurrizin e të varfërve, dhe nuk e kanë marrë vesh akoma se të hollat, që grumbullojnë brenda në kasat e hekurta ose i prishin në ahengje dhe nëpër bordello, duhet të lozin edhe një rol shoqëror.
Të varfrit dhe ata që kuptojnë s’ka përse t’i duan dhe t’i nderojnë. Një shkrimtar amerikan, Mr John Spalding, ka thënë: “Një shoqëri që s’ka shpirt mirëbërës është një shoqëri barbarësh”! Mua më pëlqen të them që është një shoqëri ujqërish dhe si e tillë nuk meriton të rrojë.
Shoqërisë shqiptare i përshtate me të drejtë një fjalë e vjetër dhe e hidhur latine: “Homo homini lupus”, “Njeriu për njeriun është ujk”.
Një filozof i shquar angles, Thomas Hobbes, ka thënë se mbi faqe të dheut ekziston vetëm individi dhe jo njeriu.
Sikur t’i thuhet një piktori të bëjë fytyrën e një njeriu, ai nuk do ta bëjë dot; do të bëjë vetëm fytyrën e një individi. Sikur ky piktor i Hobbes-it të bënte fytyrën e të pasurve shqiptarë, pa dyshim do të bënte fytyra individësh me shpirt ujku.
Sidoqoftë, mirëbërësia nuk mundet të imponohet me forcë, por duhet të lindë nga një shpirt fisnik dhe i dhembshur. Me kohë mundet ta arrijmë dhe këtë gjë, që na mungon sot. Po gjersa të krijohet një mirëbërësi private, duhet të gjejmë burime të tjera. Kemi kaq të varfër, kaq sakatë, kaq pleq, më në fund edhe kaq vajza të varfra për të martuar.
Po nga ana tjetër kemi edhe kaq manastire e kaq teqera me pasuria që i hanë njëri e tjetri. Shoqëria nuk përfiton asgjë prej tyre.
Prandaj Shteti duhet të hedhë dorë mbi këto pasuri dhe me të ardhurat e tyre të ngrejë e të organizojë institute mirëbërëse. Ndofta me anën e këtyre instituteve mund të krijohet dalëngadalë edhe mirëbërësia private.
Shteti duhet ta hedhë doemos këtë çap. Është një detyrë dhe një e drejtë. “Të ndihmuarit e atyre që e vuajnë është detyra e të gjithëve dhe puna e të gjithëve”, ka thënë një ministër i madh francez, Turgot. Dhe sot për sot të gjithë ne na përfaqëson vetëm Shteti.
Botuar më 1929
TIRANA TODAY