Pas një sërë kërkimesh, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se konsumimi i 3 ose 4 filxhanëve kafe në ditë, ul rrezikun e zhvillimit të diabetit tip 2. Kjo e dhënë vjen si rezultat i një kërkimi që iu është bërë 30 studimeve të mëparshme, ku janë përfshirë gati 1.2 milionë njerëz.
Shkencëtarët zbuluan se konsumi i 3 filxhanëve kafe, ul rrezikun e zhvillimit të diabetit me 27%. Studimi është drejtuar nga hulumtuesit shkencorë të Institutit për Kërkimet Shkencore të Kafes, që është themeluar në vitin 1990. Rezultatet e studimit u publikuan gjatë një takimi të realizuar në Berlin, nga Shoqata Evropiane për Studimet mbi Diabetin.
Drejtuesi i këtij studimi, dr. Mattias Carlström, tregon se lidhja mes kafes dhe diabetit vlen për të dyja gjinitë, megjithatë efektet pozitive janë pak më të dukshme te gratë. Kërkuesit mendojnë se këto efekte vijnë si pasojë e substancave të kafes, si trigonelinë, kafestol, acid kafeik dhe acid klorogjenik, substanca këto shumë të rëndësishme për organizmin, dhe vetive anti-inflamatore dhe antioksiduese të kafes.