Muzika e Mozartit këtë mbrëmje vjen me një koncert instrumental-simfonik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me interpretimin e Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, dhe me interpretimin e dy pianisteve nga Universiteti i Arteve, Hera Marku dhe Odesa Meti, “Projekti Mozart” sjell në skenë koncertet për piano dhe orkestër të kompozitorit W.A. Mozart. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se “Projekti Mozart” mishëron një vizion të përbashkët: edukimin përmes përvojës, ndërtimin e një skene që nuk i pret të rinjtë vetëm kur të jenë “gati”, por u jep atyre mundësinë të rriten mbi të me pasion, talent dhe guxim.
Koncerti që do të zhvillohet këtë mbrëmje në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është në vijim të programit artistik në këtë institucion. Pak ditë më parë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bëri me dije kalendarin artistik këtë muaj, ku pjesë ishte dhe koncerti i kësaj mbrëmjeje që sjell muzikën e Mozart. Wolfgang Amadeus Mozart ( Volfgang Amadeus Moxart, 27 janar 1756 – 5 dhjetor 1791) ishte një kompozitor i shquar dhe me ndikim gjatë epokës moderne. Disa nga veprat e tij janë: opera “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës”,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare.