E premte, 23 Korrik, 2021
23.5 C
Tirana

Shkenca është konkurrencë dhe jo monopol i disave!

Nga Romeo Gurakuqi /panorama.al/

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (më tej ASHSH) prej më se 14 vitesh është një institucion honorifik koordinativ, pa asnjë institucion kërkimor-shkencor në përbërjen e vet.

Një pjesë e institucioneve përbërëse të një kohe janë përfshirë në fakultetet e universiteteve të Tiranës, ndërsa institutet e studimeve shqiptare janë organizuar në një Shkollë të Kërkimit të Avancuar Shkencor, të emërtuar Akademia e Studimeve Albanologjike (më tej ASA), që operon brenda Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Në përbërje të ASA janë: Instituti i Historisë, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe njësia kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare.

Institutet veprojnë mbi plane kërkimore të aprovuara dhe aty është e përqendruar pjesa më e rëndësishme e studiuesve shqiptarë të Albanologjisë. Instituti i Historisë dhe Arkeologjisë janë të kyçur prej vitesh për rishkrimin e Historisë së Shqipërisë në 5 vëllime, ndërkohë studiues të veçantë brenda këtyre institucioneve kanë përmbyllur prej këtë proces për periudha të veçanta.

E njëjta gjë duhet të thuhet edhe për Institutin e Arkeologjisë. Disa prej botimeve serioze janë vepra jete, që zakonisht i bëjnë institutet me projekte, por në fakt i kanë bërë në heshtje dhe përvuejtni shembullore, studiues me vullnet të hekurt dhe kokën plot, që sot punojnë aty, ndodhen në pension, ose nuk jetojnë më.

Thënë shkurt, në këto institute, shumë studiues e kanë përmbyllur procesin e korrigjimit të historisë së dëmtuar nga imponuesit e versionit të Partisë – Shtet. Po ashtu, kanë kaluar 3 dekada nga “epoka e shkëlqimit” të zotëruesve të versionit punist.

Ndërkohë, studiues të rinj të shkolluar jashtë, tashmë brezi i fëmijëve tanë, vrapojnë të kompensojnë kohën që ia dogjën opinionit publik Shqipërisë, “monopolistët e së vërtetës”, së lënë nga arkitekti që shkëputi Shqipërinë nga rrënjët e veta europiane.

Pak ditë më parë, në kapërcyellin ndërmjet datave 4 dhe 5 maj 2021, nga media u njoftuam, se administrata koordinative e Akademisë së Shkencave, papritmas, pa asnjë thirrje publike paraprake, pa asnjë sqarim mbi çfarë baze ligjore, tagri të banueshëm burimor, në injorim të ekzistencës dhe veprimtarisë së mirënjohur të ASA për shkrimin tashmë të përfunduar të “Historisë së Re të Shqipërisë”, kishte ngritur Grupin e saj të Punës për Rishkrimin e Historisë së Shqiptarëve.

Të mbështesësh financiarisht rishkrime të historisë përbën një nismë të lavdërueshme, por si rregull, në botën e qytetëruar, mbështetja financiare shkon tek ata që kanë bërë punë, por jo tek ata që premtojnë se do të bëjnë punë.

Në botën shqiptare, nuk kanë munguar nisma të tilla të realizuara me zero suport financiar nga atdhetarë të shquar si: Mehdi Frashëri, Fan Noli, Tajar Zavalani, Mustafa Merlika Kruja, Stavro Skëndi, Abaz Ermënji etj. Studiuesi Noel Malcolm na ka dhënë një model se si mund të shkruhet “Një Histori e Shkurtër e Kosovës”. Ndërkohë, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi ka realizuar një histori të ngjashme të Kosovës në dy versione.

Problemi i parë: Në rastin që po shqyrtojmë, kemi të bëjmë me një sipërmarrje të ndryshme, krejtësisht të çuditshme: një institucion honorifik merr një fond qeveritar, ngre një grup pune për të shkruar nga e para një vepër, kryesisht me studiues të një institucioni tjetër kërkimor, që tanimë e kanë realizuar, botuar dhe ia kanë vulosur të drejtat e autorësisë kësaj vepre. Askush nuk kupton si është e mundur kjo zhvendosje në pikëpamje të kontributeve dhe të drejtave të paracaktuara!

Tridhjetë vjet pas rënies së regjimit komunist, ministri i Arsimit i fundit i qeverisë të PPSHsë, sot kreu faktik i Akademisë së Shkencave, i padekretuar nga Presidenti i Republikës, jo i konfirmuar sërish nga Asambleja e Akademikëve, siç e kërkon ligji i ndryshuar mbi ASHSH, vijon të drejtojë me të njëjtat metoda moniste institucionin shkencor të nderimit të shkencëtarëve.

Zotëria mëton se ka tagrin për ngritjen, sipas gjykimit personal, pa asnjë konsulencë paraprake me bashkësinë e specialistëve të studimit të historisë, në rrugë institucionale të panjohura nga rregullat administrative dhe njësitë departamentale dhe pa asnjë konkurrim publik të Grupit të Punës për Rishkrim. Këtu nuk është vendi të gjykoj dhe paragjykoj përbërjen, jo vetëm sepse një pjesë janë kolegë të nderuar dhe punëtorë të shquar shkencorë, por mbasi çështja ka ndërlikime të një karakteri tjetër.

Problemi i dytë në gjithë këtë zhvillim është sjellja e papërgjegjshme e qeverisë, që nuk kryen më saktësi detyrën e saj të adresimit të fondeve në destinacionin e përcaktuar nga ligja; thyerja e tagreve të ngarkueme nga ligja dhe marrja arbitrare e të drejtave institucionale, përthithja me ndërhyrje shoqërore ndër drejtues ekzekutivë qeveritarë, që nuk njohin institucionet kërkimore të vendit që drejtojnë, e fondeve publike që janë të destinuara për Studimet Shqiptare në ASA dhe transferimin e tyre në duart e një institucioni honorifik si Akademia e Shkencave, pa një projekt të njohur dhe pa konkurrencë. Dhe këto fonde, në vend që të adresohen aty ku tashmë ekzistojnë forumet akademike, Departamentet e specializuara, Këshillat Shkencore, ku puna është bërë dhe pret dritën e botimit, zhvendosen gjetkë, në një zyrë koordinative të një akademie pa institute kërkimore dhe pa departamente në kuptimin, që kanë këto institucione nga Ligji i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në RSH.

Problemi i tretë është moral dhe ka të bëjë me injorimin e papranueshëm të punës së paepur korrigjuese së kolegëve historianë dhe arkeologë: njoftuesit e këtij lajmi nuk dihet pse e harrojnë (ose pranojnë të bashkohen në harrim), faktin, se në këto 30 vite të rënies së plotë të versionit të injektuar nga diktatura, Historia Moderne dhe Bashkëkohore e Shqipërisë është shkruar tanimë e plotë, ndërsa arkeologjia shqiptare ka bërë hapa para duke vijuar kërkimet në Kosovë dhe në Malin e Zi. Vetë Institutet e Historisë në Tiranë dhe Prishtinë, profesorët e universiteteve në këto dy kryeqendra, kanë produktet e tyre të drejtpërdrejta, të botuara, ose janë në pritje të botimit në të njëjtin format të historisë zyrtare, që po synon tani kjo administratë pa historianë dhe arkeologë më kohë të plotë, e zyrave qendrore të ASHSH-së.

Autorë nga Shqipëria, Kosova, Tetova, Shkupi, Kozenca, Palermo, Vjena, Graci, Oksfordi, Regensburgu etj., kanë studiuar nga e para, bazuar në metodologji shkencore dhe burime të gjithanshme arkivore, periodat më të debatueshme të historisë së shqiptarëve, papritur që ata që e bënë mbrapsht për 30 vite, ose nuk e bënë atë që s’mund ta bënin: të marrin ca fonde për të redaktuar sipas tyre, punë e kryera në liri të plotë akademike. Po ashtu, arkeologë të talentuar vendas kanë vijuar me besnikëri dhe përkushtim punën e profesorëve të tyre, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më. Mirëpo, administratorët e Akademisë së Shkencave në Tiranë e injorojnë tërësisht ekzistencën e një rankimi faktik të kontributeve të profesionistëve dhe posaçërisht punën e jashtëzakonshme dhe të pandikuar nga ngatërresat e brendshme politike të Shqipërisë postdiktatoriale, të historianëve të huaj dhe shqiptarë, që veprojnë jashtë institucioneve akademike kërkimore shqiptare dhe studiuesve arbëreshë. Ndërkohë, heqja e censurës ndaj shkrimtarëve disidentë i ka dhënë mundësi brezit të ri, publikut në përgjithësi, të njihet me një këndvështrim të ndryshëm të historisë së të parëve të tyre, që na e kanë lanë deri më sot themelvënësit e njëmendtë të Shqipërisë, që dikush në kupolë nuk don me ia përmendë as emrin. Por, për fat të keq, sërish 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit, mbartësit e siglës së Akademisë së Shkencave, pa e mbledhur Asamblenë, vijojnë të shpërfillin nevojën emergjente të ribotimeve të këtyre kontributeve dhe aq më pak të gjejnë dhe të pranojnë institucionet pararendëse të akademisë së tyre në Shqipëri. Ata vijojnë planin e tyre formal, që na u shfaq këto ditë papritmas, por që qenka pjekur me kohë me njerëz brenda qeverisë.

Pyetjet që lindin vetvetiu janë këto:

Si do të jetë e mundshme nga pikëpamja profesionale, që brenda dy viteve, 2021-2023, të shkruhet në mënyrë origjinale një Histori e re e Shqipërisë nga antikiteti deri në bashkëkohësi?!

Si mund të hartohet një histori tërësore e Shqipërisë, në kapërcim të veprimtarisë së departamenteve studimore, që merren në mënyrë të programuar me këtë punë dhe pa ngritjen e nukleve të konsulencës me specialistët më të mirë të periudhave të ngushta, që kanë dhënë kontribut të verifikueshëm?!

A është përpiluar një kod i përdorimit të produkteve shkencore të autorëve të vjetër dhe të rinj, të specializuar për periudhat, që do të përfshihen në këtë Histori të Re të Shqiptarëve?

Çfarë do të ndodhë me Serinë e Re të Historisë së Shqipërisë, të botuar ose të gatshme për botim të Institutit të Historisë së ASA?! Do të merret ky produkt dhe të risillet me një sigël të re të një institucioni që s’ka asnjë kontribut në realizimin e tij dhe asnjë të drejtë autorësie?!

A e lejon ligja këtë transferim të pronësisë intelektuale të një instituti kërkimor në një institucion tjetër?

Si do të përdoren të drejtat e autorësisë së studiuesve të famshëm të Institutit të Historisë dhe Institutit të Arkeologjisë: Aleks Buda, Injac Zamputi, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Zija Shkodra, Stavri Naçi, Selami Pulaha, Skendër Anamali, Hasan Ceka, Selim Islami, Frano Prendi, Bep Jubani etj., etj.?!

Dhe sa përbën ribotimi i punëve të këtyre studiuesve të shquar një risi të vërtetë në studimet e historisë së shqiptarëve? Ku është risia që ky botim i ri pretendon se do të sjellë dhe si drejtuesit e kësaj serie mendojnë të zgjidhin çështjen e përdorimit të punës së themeluesve të albanologjisë në Shqipëri?

A kemi vallë risi apo riciklim të asaj që është thënë më parë, thjesht e veshur me një sigël të re? Si do të zgjidhen përkufizimet e çështjeve të debatueshme të historisë së shekujve XIX dhe XX, në qoftë se nuk do të ketë debat institucional në një nukël të specializuar kërkimor?

Cili është debati teorik dhe parametrat metodologjikë, që ky botim do të ndërfusë në studimin e së kaluarës shqiptare?

A ka një narrativë të imponuar dhe nëse jo, si do të mundet kjo seri e re të integrojë zëra dhe përfundime të ndryshme brenda kornizës, që kërkon të integrojë historinë e Shqipërisë? Mos vallë administrata e ASHSH mendon të operojë me standardin e imponimit personal të versionit të pëlqyeshëm nga drejtimi?

A ishte një sinjal se deri ku do shkojë korrigjimi i historisë, ato deklaratat e çuditshme mbi zbulimin e ca letrave të reja, me të cilat do lustrohet versioni pararendës zyrtar?!

A e kanë të qartë konceptuesit, se po nuk filloi korrigjimi me shkrimin e saktë të Rilindjes Kulturore dhe Kombëtare dhe thanien troç brezit të ri se si iu hapën sytë stërgjyshërve të tyre në breg të Adriatikut, asnjë shpresë për punë serioze dhe të qëndrueshme nuk do të ketë?!

Si është konceptuar nga drejtimi i ASHSH përdorimi në dy vite, i shumës prej 100 milionë lekësh të rinj çdo vit (sipas deklarimit të konceptuesve në ABC) për rishkrimin e një historie tanimë të shkruar nga të tjerë autorë?

A është kjo një sipërmarrje serioze, apo në lojë me hipnozë, fshehjesh dhe nxjerrjesh punësh paraprake?!

A ka një projekt të shkruar, mbi bazën e të cilit qeveria është mbledhur dhe ka akorduar fondin?! A ka platformë kërkimore dhe një strukturë afatesh në këtë projekt, për të na e bërë të besueshëm nismën?

A ka një thirrje për të konkurruar në këtë projekt të Akademisë apo është një sipërmarrje në rreth të mbyllur të modelit të Shoqërisë së Miqve të një Kohe!? Shkenca është edhe konkurrencë, kurrë monopol vetëm i disave, që marrin fonde me miqësi pushtetarësh dhe përzgjedhin studiuesit me njohje personale në sipërmarrjen për konsumimin e fondeve, që në bazë të ligjit, duhet të adresoheshin në fakt përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, te një institucion i specializuar (IAL), ose individ, që konkurron me projekt të hartuar dhe bazuar.

. Ku mund ta lexojë projektin e detajuar një studiues i interesuar, një gazetar që kërkon të vërtetën për t’ia transmetuar publikut, ose një qytetar që don të kuptojë si kryhen punët në këtë vend? Si mund të përjashtohen nga e drejta e konkurrimit për marrje fondesh nga AKKSHI, historianë, arkeologë, që për nga fokusi mbulojnë edhe problematika dhe nëndisiplina të reja të qëmtimit të historisë dhe ekspozimi i punës së tyre do të përbënte me të vërtetë një risi, thjesht pse dikujt me pushtet i është tekur që fondet e pakta të kërkimit shkencor në vend t’ia kalojë një Shoqërie Miqsh të pushtetit të dikurshëm dhe të sotëm?  Ky është standardi i drejtësisë dhe paanshmërisë së një vendi, që pret të hapë negociatat me BE?

Si shpjegohet që fondi nuk është adresuar në ASA, por është përthithur pa asnjë paralajmërim, asnjë transparencë dhe bazueshmëri forcash krijuese nga ASHSH?! Drejtuesit e qeverisë, që kanë kaluar këtë grant pa u bazuar në Ligjin Nr. 80/ 2015, duhet të japin një shpjegim për këtë zhvendosje fondesh publike, pa procedura të përcaktuara nga ligja. Po ashtu edhe përfituesi, ASHSH, është e nevojshme t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, pasi e gjithë sipërmarrja e tyre financohet me fonde publike dhe në një rast të tillë, llogaridhënia ndaj publikut, transparenca për mirëpërdorimin e besimit dhe pasurisë së shqiptarëve është një detyrim ligjor dhe moral. Pa integritet etik nuk mund të ketë punë me integritet akademik dhe pozicioni i ASHSH-së është të ofrojë këtë model. Fatkeqësisht, Akademia e Shkencave të Shqipërisë deri më tani nuk ka bërë shpjegimet e thelluara, të plota, bindëse ndaj publikut, për të hedhur poshtë akuzat për shkelje të misionit të saj të promovimit të ri shkencor, cenim të konkurrencës së lirë dhe vlerësimit të kontributeve reale në shkencë.

Opinioni publik duhet ta ketë të qartë, se në dy vite është praktikisht e pamundur të programosh, të kërkosh, të studiosh dhe të shkruash me kritere të mirëfillta shkencore, në paanësi, drejtësi dhe bazueshmërisht një histori zyrtare origjinale, që t’i qëndrojë kohës, t’i rezistojë kritikës dhe t’u shërbejë brezave të ardhshëm.

Në qoftë se është kështu, kemi të bëjmë vetëm një lojë formale, të sajuar, nuk e di mbi çfarë lloj lëvizjesh mbështetëse governative apo parlamentare, e nxjerrë nga binarët e ligjshmërisë dhe politikave shkencore të aprovuara nga shteti në vijimësi, ku përcaktohen qartë institucionet ku përqendrohet kërkimi shkencor në vend dhe cili është roli i Akademisë së Shkencave.

Kjo e gjitha, e thënë lehtas, pa hyrë në hetim të dokumentacioneve dhe vlerësimin e procedurave administrative dhe akademike të formalizimit të kësaj njësie dhe mënyrës së përcjelljes së fondeve. I mbetet qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të specializuara për të kryer vlerësimin dhe për të dhënë shpjegimin mbi këtë rrëmujë dhe përzierje të krijuar artificialisht, nga lënia në vetëveprim jashtë kornizave të arsyes, që rrjedh nga programi qeveritar i kërkimit shkencor, ligja, e veprimtarisë së dhuruesit të fondit për administratën e ASHSH.

Akademia nuk mund të jetë një shoqëri e mbyllur klientelash që nuk bëzajnë dhe u binden zotërve, që shkëmbejnë çmime dhe projekte mes një rrethi të ngushtë “lojtarësh” të një kohe të shkuar, me kompozime dhe arnime formale. Akademia është një institucion i hapur, që promovon shkencën me konkurrencë dhe orienton me këshilla qeverinë për adresimin e mbështetjes së saj ndër institucionet kërkimore shkencore dhe universitete. Në gjendjen e sotme të përkufizimit të veprimtarisë së ASHSH-së, nuk mund të ndërtohen nukle të tilla, sikurse ky që është njoftuar këto ditë, ndërkohë që ekziston Lista e Botimeve të Reja të Historisë së Shqipërisë dhe ka Borde të Vlerësimit të Kontributeve.

Qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë dhe adresojë menjëherë fondin e parashikuar në Akademinë e Studimeve Albanologjike, si i vetmi institucion shkencor që ka burimet njerëzore dhe strukturën e nevojshme për ta përmbyllur me garanci projektin, duke ftuar akademikët e universiteteve të vendit dhe të huaja, për ta certifikuar punën tanima të realizuar.

Rishkrimi i Historisë Kombëtare është një sipërmarrje serioze, e koordinuar dhe krijuese, që shmang improvizimet momentale, shpërdorimin e të drejtave dhe punës së brezave pararendës, përdor me racionalitet paranë publike, aprovon, njeh dhe paguan autorësitë e veprave të pranuara nga recenca ndërkombëtare. Ky projekt ka nevojë për një drejtim vullnetmirë, me autoritet shkencor të dijetarëve të papërfshirë në anën politike, që e mbajtën Shqipërinë larg Europës prej 8 dekadash.

Kryeministri dhe ministrja e Arsimit nuk mund të neglizhojnë sistemimin administrativ dhe procedural dhe korrigjimin drejt binarëve të ligjës të lëvizjeve të tyre pararendëse financiare, përderisa janë garantet e shpërndarjes së drejtë të fondeve të pakta publike të destinuara për kërkimin shkencor.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Me drogë në makinë, shoqërohet në polici djali i Azem Hajdarit

Azem Hajdari, djali i vogël i deputetit të ndjerë me të njëjtin emër, është shoqëruar në komisariatin e Policisë së Elbasanit mbrëmjen e sotme. Sipas...

Punonjësit e Ferrokromit në Burrel pa pension, VKM nuk përcakton profesionet

Punonjësit e Ferrokromit në Burrel ankohen në Fiks Fare se nuk po mundet të zgjidhin problemin që kanë hasur me pensionin. Duke u cilësuar si...

Zyrtare/ Barcelona dhe Juventus përballen më 8 gusht në ”Camp Nou”

Barcelona dhe Juventusi do të zhvillojnë një ndeshje miqësore në datën 8 gusht. Lajmi është konfirmuar nga klubi italian, përmes një njoftimi në rrjetet...

Shtatorja e Sali Butkës/ Hajdari: Vështirësi në finalizimin e projektit

Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari teksa ka folur për përurimin e shtatores së patriotit të madh shqiptar, Sali Butka, është shprehur se finalizimi i...

Shpejtësia në rrugë, një marrëzi që duhet ndalur

Nga Luan Rama Mendohej përgjithësisht se aksidenti i rëndë që ndodhi më 25 qershor të këtij viti në autostradën Fier – Vlorë, pra vetëm një...