Shqipëria është larg të qenit një shtet social dhe një shtet i mirëqenies, siç do të donte pjesa dërrmuese e shqiptarëve, dhe këtë gjë e vërtetojnë mjaft mirë edhe shifrat. Një studim i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO, tregon se situata është alarmante, jo vetëm në terma absolute, por edhe në krahasim me vendet e tjera të botës. Këto shifra, të ilustruara edhe grafikisht, tregojnë se, në Shqipëri vetëm 6.9% e të papunëve përfitojnë asistencë monetare.
Shifra, jo vetëm që është jashtëzakonisht larg 100%-ëshit, që në vendet më të zhvilluara të botës dhe kryesisht në Europën Veriore është një standart mëse normal, por e vendos Shqipërinë ndër vendet e fundit në listë në Europë dhe Azinë Qendrore. Në botë, ndërkohë, Shqipëria është në vendin e 12 nga fundi, në këtë drejtim. Rezulton se, në Europë më keq se vendi ynë është vetëm Bosnje Hercegovina dhe Turqia. Shifra tregon se, praktikisht, vetëm 1 në 15 të papunë përfiton asistencë në vendin tonë. Por, ajo që e bën edhe më alarmante situatën është fakti se, në vitin 2000, kjo normë fiksohej në 10.2%.
Kjo do të thotë se, vendi ynë, jo vetëm që nuk ka bërë hapa para për t`iu afruar standardeve europiane, por është larguar edhe më tej nga këto standarde. Por, ndërkohë që për Organizatën Ndërkombëtare të Punës dhe për pjesën dërrmuese të shoqërisë, kjo shifër është tepër e vogël, për shtetin nuk është aspak kështu. Politikat e shtetit shqiptar, por edhe më gjerë nëpër botë, sidomos në vendet ku shteti i mirëqenies nuk është prioritet, nuk kanë si synim që të nxisin njerëzit që të rrinë të papunë, por t’i nxisin ata që të punësohen.
Në një kohë që këto politika janë ose inekzistente ose inefikase, bie poshtë edhe justikimi se, kjo normë kaq e ulët e të papunëve që marrin asistencë sociale, në fakt është normale. Kjo pa marrë parasysh faktin se, të dyja politikat në fakt ndahen në dy ideologji të ndryshme, nga njëra anë e djathta dhe nga ana tjetër e majta.
Qeveritë e djathta kanë tendencën të mos incentivojnë të papunët, por ekonominë dhe sidomos sipërmarrjen për të nxitur punësimin, duke vendosur në plan të dytë të papunët si shtresë në nevojë. Qeveritë e majta kanë tendencën që të incentivojnë shtresat në nevojë, ku përfshihen padiskutim dhe të papunët, por pa lënë mënjanë politikat e punësimit.
Si shpërndahet asistenca sociale në grupe vulnerabël?
Për parantezë, mund të themi se, vetëm për barazi nuk bëhet fjalë. Flasim për barazi mes vetë grupeve vulnerabël, apo grup-moshave në vendin tonë, dhe jo për barazi me vendet më të zhvilluara të Europës. Në Shqipëri, shpenzimet e shtetit për mbrojtjen sociale fiksohen në vetëm 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bëhet fjalë për shpenzimet për mbrojtjen sociale, duke përjashtuar shpenzimet shëndetësore.
Të dhënat janë publikuar në një raport të Organizatës Botërore të Punës, të publikuar së fundmi. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit apo me mesataren europiane, Shqipëria është në pozita mjaft të dobëta në këtë drejtim. Madje, kjo pozitë rëndohet edhe më shumë në rast se shohim se si shpërndahen realisht paratë e mbrojtjes sociale. 7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto shpenzohet për pensionistët, ndërkohë që vetëm 2% e PBB-së, ose 22.2% e shpenzimeve totale për mbrojtjen sociale, pa përfshirë shëndetësinë, shkojnë në të vërtetë për fëmijët dhe grup-moshën e punës. Pra, shpërndarja është tepër e pabarabartë dhe në këtë drejtim, distanca me të tjerët është mjaft e theksuar.
Vendet më të zhvilluara të Europës shpenzojnë 1/5 deri në 1/4 e Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen sociale. Në Francë, norma ngjitet në 22% apo në Serbi në 17%. Shqipëria është në fund të listës së bashku me disa prej ish-republikave sovjetike. Një raport i fundit i Eurostat, zbulon se mesatarja e Europës fiksohet në 30% të PBB-së. Pra, thuajse 1\3 e PBB-së shpenzime për mbrotjen sociale, por duke përfshirë shpenzimet për shëndetin. Shpenzimet për mbrojtjen sociale janë ndoshta treguesi më i mirë i një shteti, nëse është shtet social apo jo.
Femrat, ende pa pension
Në Shqipëri, jo të gjithë ata që janë në moshë pensioni, realisht marrin një pension. Në vendin tonë, norma e atyre që përfitojnë pension në moshën e pensionit fiksohet në vetëm 77%, çka do të thotë se, thuajse 1 në 4 nuk merr asnjë kontribut monetar. Të dhënat dalin në pah nga raporti i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që në tërësi tregon me shifra atë që ndoshta shumëkush e di; faktin se Shqipëria është shumë larg të qenit një shtet social.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një normë mjaft të ulët të atyre që përfitojnë asistencë sociale. Me një normë në 77% të atyre që përfitojnë pension dhe që e kanë kaluar moshën e pensionit, vendi ynë është shumë larg standardit të Europës perëndimore. Por nga ana tjetër, rezulton se Shqipëria është vendi me performancën më të mirë në Ballkan, duke i lënë pas të gjithë fqinjët, me përjashtim të Greqisë, ku norma fiksohet në 77.4%. Jo vetëm logjika, por edhe shifrat e tregojnë qartë se standardi është dhe duhet të jetë në 100%, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e Europës së zhvilluar dhe botës së zhvilluar. Mesatarja e Europës dhe Azisë Qendrore, ndërkohë, fiksohet në 95.2%.
Ata që në Shqipëri aktualisht nuk marrin pension, pavarësisht se janë në moshën e pensionit, janë në masën 100% femra. Pra, 1/4 e pensionistëve në vendin tonë pa pension janë femra. Kjo, për arsyen e vetme se, tradicionalisht, jo vetëm në zonat rurale, por edhe në ato urbane, femrat kanë qëndruar në shtëpi, duke mos pasur një punë të rregullt. Kjo gjë ka bërë që një pjesë e madhe e tyre të mos kenë vitet e punës për të përfituar një pension. Pavarësisht se tashmë, Shqipëria është një vend demokratik normal, që synon të bëhet një vend i mirëqenies, kësaj problematike ende nuk i është dhënë një zgjidhje.
Dekada larg Europës
Sistemi i kontributeve shoqërore në vendin tonë ka një sërë problematikash, që duket se do të duan shumë kohë për të marrë zgjidhje, por në të gjitha rastet kryefjala është një; pabarazia. Pabarazia në shoqëri, ndërkohë, prodhon një sërë problematikash të tjera, që jo rrallëherë kthehen në fenomene të rrezikshme sociale, e që për rrjedhojë dëmtojnë perspektivën e një shoqërie dhe ekonomie të caktuar. Shqipëria është rasti konkret i produktit të pabarazisë në tërësi.
Shteti i mirëqënies ndoshta është shumë larg, paçka se nuk do të duhet të ishte i tillë, por të pretendosh sadopak barazi është një kërkesë jo e tepruar për një shoqëri që sot, në vitin 2018, i thuhet çdo ditë se është shumë pranë të qenit europiane. Realiteti në fakt është pa ngjyra, ndërkohë që faktet flasin për një situatë mjaft të zymtë në këtë drejtim.
Duke parë mënyrën se si shteti ka trajtuar dhe po vazhdon të trajtojë shtresat më vulnerabël të shoqërisë, është mëse me vend të thuhet që Europa është dekada larg. Banka Botërore, në një raport të fundit thotë se, do të duhet të kalojnë plot 6 dekada në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të barazojnë vendet e Europës Perëndimore, sa i përket nivelit të të ardhurave në shoqëri./Scan