Një nga kompanitë që ka lobuar dhe ka dhënë ndihmën e saj në fushatat e fundit elektorale dhe në kurimin e imazhit të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, “Podesta Group” do të përballet me drejtësinë amerikane. Ajo akuzohet se është përfshirë në kurimin e imazhit të ish-liderit autokrat të Ukrainës, Viktor Janukoviç si dhe në manovrat e ish-menaxherit të fushatës elektorale të Donald Trump, Paul Manafort mbi lidhjet e këtij të fundit me Rusinë, të cilën SHBA e ka akuzuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet e fundit amerikane.
Kjo kompani përveçse lobimit përgjatë fushatës elektorale me ekspertët e saj të imazhit, i ka mundësuar Bashës një sërë takimesh në SHBA. Ndërsa qershorin e kaluar siç u bë e ditur edhe publikisht “Partia Demokratike e Shqipërisë punësoi “Podesta Group” në Uashington për të lobuar pranë qeverisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara për llogari të saj. Lajmi bëhet i ditur nga dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së nën Aktin për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj. “Podesta do të këshillojë Partinë mbi politika relevante dhe aktiviteteve të Kongresit, do të kërkojë dhe analizojë çështje të caktuara dhe do të mund të organizojë takime me zyrtarë të degës ekzekutive të SHBA-së, anëtarë të Kongresit, media dhe organizata jofitimprurëse”, thuhet në ekstraktin e publikuar.
Kontrata është nënshkruar 8 mars 2016, ndërsa kohëzgjatja dhe kostoja e kontratës për Partinë Demokratike pritet të publikohet më vonë. Vetëm pak ditë pas nënshkrimit të kontratës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është nisur për një vizitë zyrtare në SHBA.”
Kontrata e plotë midis Bashës dhe “Podesta Group”
Kontrata lobuese by Tirana Today on Scribd
Ndërkaq mësohet se kompania “Podesta Group”, është bërë pjesë e manovrimeve të ish-menaxherit të fushatës së Donald Trump, Paul Manafort, i cili akuzohet edhe për lidhjet me rusët dhe ndikimin e tyre në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane.
Manafort, i cili shërbeu si kryetar i fushatës elektorale të Presidentit Donald Trump për një periudhë 3-mujore në vitin 2016, u akuzua pak ditë më parë nga një gjykatë federale, se nuk ishte regjistruar si lobist i një qeverie të huaj në kohën kur firma e tij po punonte për partinë pro-ruse të ish-Presidentit ukrainas Viktor Yanukovych. Kompania “Podesta Group” dhe “Mercury Public Affairs akuzohen se janë përfshirë në një fushatë për rehabilitimin e imazhit të partisë së Janukoviç. TIRANA TODAY
Investigimi i Zërit të Amerikës:
Dy kompani amerikane të përfshira në procesin hetimor të prokurorit të posaçëm ndaj Paul Manafort, thonë se janë mashtruar nga ish-kryetari i fushatës së Presidentit Trump për lobimin që ai bënte për Ukrainën. Por, duket se ata kanë pasur sinjale të qarta paralajmëruese.
Shërbimi ukrainas i Zërit të Amerikës hulumtoi disa artikuj amerikanë dhe evropianë të botuar në vitet 2007 – 2014, si dhe bisedoi me politikanë ukrainas. Lidhje të qarta shfaqen ndërmjet OJF-së në Bruksel që punësoi kompanitë lobiste dhe ish-partisë në pushtet në Ukrainë, një fakt që kompanitë lobiste mohojnë ta kenë ditur në atë kohë.
“Lobistët duhet ta kishin shqyrtuar me kujdes informacionin në kohën kur u angazhuan, si pjesë e procedurës për të njohur klientët e tyre”, thotë Gene Burd, partner në kompaninë “Arnall Golden Gregory LLP”.
Ai thotë se dy kompanitë janë mbiquajtur në aktpadi si Kompania A dhe Kompania B, por se është bërë e ditur rishtazi se ato janë realisht “Mercury Public Affairs” dhe “Podesta-Group”, të cilat duhet të kishin vazhduar “të informoheshin për ndryshimet në strukturat menaxheriale dhe burimet e financimit të organizatës”.
Zoti Manafort, i cili shërbeu si kryetar i fushatës elektorale të Presidentit Donald Trump për një periudhë 3-mujore në vitin 2016, u akuzua në një gjykatë federale ditën e hënë, se nuk ishte regjistruar si lobist i një qeverie të huaj në kohën kur firma e tij po punonte për partinë pro-ruse të ish-Presidentit ukrainas Viktor Yanukovych.
Akuza thotë se kjo ishte pjesë e një “skeme” të zotit Manafort dhe të akuzuarit tjetër, bashkëpunëtorit të tij Rick Gates, për të krijuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë parti, e cila kërkonte aleancën e Kievit me Moskën dhe jo anëtarësimin në Bashkimin Evropian, siç dëshironin shumë ukrainas.
Akuza thotë se të dyja kompanitë lobiste u rekrutuan nga firma e zotit Manafort për të punuar gjatë viteve 2012-2014 për OJF-në me seli në Bruksel, të njohur me emërtimin Qendra Evropiane për një Ukrainë Moderne (ECFMU), e cila ishte realisht organizmi që promovonte interesat e Partisë së Rajoneve, të zotit Janukoviç.
Të dyja kompanitë mohojnë të kenë ditur se u përfshinë në një fushatë për rehabilitimin e imazhit të partisë së zotit Janukoviç, siç thotë akuza. Në deklaratat e tyre publike thuhet se u ishte bërë e ditur se do të punonin vetëm për ECFMU-në, të cilën e perceptonin si një organizatë studimore pro-evropiane që dëshironte të informonte zyrtarët e qeverisë amerikane për Ukrainën.
Kur u bë fillimisht e njohur për publikun puna e tyre e paraportuar për një qeveri të huaj, drejtorja ekzekutive e “Podesta Group”, Kimberley Fritts, i tha në gusht 2016 shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës, se mbështetur në opinionin e këshilltarëve ligjorë, organizata e saj përfaqësoi interesat e ECFMU-së në SHBA, pa u regjistruar në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj në SHBA (FARA).
“Për shkak se firma jonë ishte në partneritet me firmën ‘Mercury’, këshilltarët tonë ligjorë u koordinuan me këshilltarët e tyre, si dhe me këshilltarë të tjerë të pavarur”, thuhej në një email të Podesta Group dërguar Zërit të Amerikës, dhe se “ata vendosën bashkërisht se mënyra e duhur e raportimit ishte ajo e bazuar në Ligjin për Transparencën e Lobizmit (LDA)”.
Regjistrimi sipas legjislacionit LDA është një detyrim ligjor për lobistët amerikanë që përfaqësojnë interesa biznesi dhe joqeveritare të huaja, si p.sh. organizata kulturore dhe arsimore. Ndërsa regjistrimi sipas legjislacionit FARA është më i përpiktë për sa i përket detyrimeve ligjore për lobistët që veprojnë në emër të qeverive të huaja apo partive të huaja politike.
Zonja Fritts i tha gjithashtu Zërit të Amerikës se dy grupet lobiste ranë dakord të punonin për ECFMU-në vetëm pasi drejtuesja e saj bëri një deklaratë me shkrim se “asnjë nga aktivitetet e Qendrës nuk është direkt apo indirekt i mbikëqyrur, drejtuar, kontrolluar, financuar apo mbështetur pjesërisht apo plotësisht nga ndonjë qeveri e një vendi të huaj apo ndonjë parti e huaj politike”.
Ish-drejtorja e ECFMU-së, Ina Kirsch, konfirmoi deklaratat e zonjës Fritts, dhe i tha Zërit të Amerikës se ajo personalisht i pati siguruar këshilltarët ligjorë të firmave “Podesta” dhe “Mercury”, se ECFMU-ja “nuk marrë kurrë fonde nga Partia e Rajoneve, qeveria e Ukrainës, apo presidenti”, dhe se ajo ka përfituar fonde vetëm nga kompani private.
Zonja Kirsch shtoi se ECFMU-ja nuk ka paguar firmat amerikane për punën e tyre lobiste. Kjo vërtetohet edhe nga aktpadia e ditës së hënë, ku thuhet se kompanitë A dhe B, përfituan bashkarisht 2 milionë dollarë, të cilat nuk u paguan nga ECFMU-ja, por nga llogari bankare në parajsa fiskale të menaxhuara nga firma në Kiev e zotit Manafort.
Në deklaratën e zonjës Fritts thuhet se “ne besojmë se Rick Gates, bashkëpunëtori i zotit Manafort, punonte për ECFMU-në, ashtu si edhe ne”.
Megjithatë, një hulumtim i thjeshtë në internet i artikujve të periudhës 2007 – 2014 tregon se zoti Manafort përshkruhet në rolin e strategjistit kryesor të zotit Yanukovych, dhe se ECFMU-ja ishte një vegël e Partisë së Rajoneve.
Një raport i vitit 2007 në gazetën “The Neë York Times” për ish-kryeministrin e asaj kohe Yanukovych, e përshkruan zotin Manafort si një drejtues në “prapaskenë” që e pati “shndërruar imazhin e zotit Yanukovych nga një reaksionar i errët dhe vegël e Kremlinit, në ndoshta politikanin më popullor të vendit”.
Artikuj të ngjashëm nga mediat ukrainase përshkruajnë dimensionet e strategjive politike lobiste të zotit Manafort, si dhe citojnë dokumenta të ECFMU-së ku kjo OJF pozicionohet se një instrument i influencës ndërkombëtare të Partisë së Rajoneve.
Në mars të vitit 2012, “Ukrainska Pravda”, një ndër faqet në internet më me influencë në Ukrainë, publikoi një ekspoze të ECFMU-së ku radhitej edhe Leonid Kozhara, deputet i rëndësishëm i Partisë së Rajoneve. Në dhjetor të vitit 2012, nga kryetar i ECMFU-së zoti Kozhara u bë Ministër i Jashtëm i zotit Yanukovych. Artikulli përmend si themelues të ECFMU-së edhe dy deputetë të tjerë të rëndësishëm të Partisë së Rajoneve, Evgen Geller dhe Vitaly Kalyzhny.
Në një intervistë dhënë “Glavcom” në qershor të vitit 2012, zoti Kozhara përmend ndërvarësinë financiare të ECFMU-së nga burimet qeveritare dhe përshkruan pozicionimin e saj në mbështetje të objektivave ndërkombëtare të qeverisë:
“Glavcom”: “Është e njohur se juve keni bashkëthemeluar Qendrën Evropiane për një Ukrainë Moderne, e cila duket se punon për të përmirësuar imazhin e autoriteteve ukrainase, përkundër rastit të (ish-kryeministres së burgosur Yulia) Timoshenkos. A është kështu?”
Zoti Kozhara: “…Kur më ftuan nga Brukseli që të drejtoja Qendrën Evropiane për një Ukrainë Moderne, ishte një nder. E perceptova si një vlerësim të punës time”.
Kur u pyet për burimet e financimit të ECFMU-së, zotit Kozhara tha se “si të gjitha OJQ-të, ne kemi kuota anëtarësie, por japin fonde edhe struktura të biznesit dhe të qeverisë. Nëse duan ndihmë, duhet të paguajnë”.
Në një intervistë të gushtit 2016 për Zërin e Amerikës, zoti Kozhara mohoi të ketë patur ndonjë post në ECFMU, duke u vetëpërshkruar si një anëtar pa pagesë i bordeve të OJF-ve të ndryshme, ndër të cilat ishte edhe ECFMU-ja.
Zoti Manafort dhe zoti Gates janë nën akuza se shërbyen se agjentë të huaj të paregjistruar, për interesat e Ukrainës, duke shkelur kështu detyrimin ligjor për t’u regjistruar tek Departamenti i Drejtësisë.
Sipas akuzës, zotërinjtë Manafort dhe Gates kontrollonin 12 entitete amerikane, 12 entitete të tjera me bazë në Qipro dhe 3 entitete të tjera të huaja. Në total, përmes llogarive të tyre në parajsa fiskale kaluan 75 milionë dollarë. Zoti Manafort akuzohet personalisht për pastrimin e 18 milionë dollarëve. Zoti Gates akuzohet për pastrimin e mbi 3 milionë dollarëve nëpërmjet llogarive në parajsa fiskale.
Themeluesi i “Podesta Group”, Tony Podesta, një veteran i ngritjes së fondeve për Partinë Demokratike dhe vëlla i ish-kryetarit të fushatës Clinton, John Podesta, u dorëhoq papritur, pak orë pasi aktpadia u bë publike. John Podesta, i cili bashkëthemeloi këtë grup me të vëllanë në vitin 1988, nuk ka qenë më i lidhur me grupin që në vitet 90’-të, si dhe nuk përmendet në aktpadi.
“Podesta Group” lobon për interesa të ndryshme të huaja, ndër to edhe për qeveritë e Azerbajxhanit dhe Arabisë Saudite. Ka qenë gjithashtu edhe përfaqësuese e bankës më të madhe të Rusisë, “Sberbank”.
Nuk janë ngritur akuza ndaj Tony Podestas, organizatës së tij lobiste apo organizatës “Mercury”, por të gjithëve u janë dërguar fletëthirrje për të paraqitur dokumentacion dhe për të dëshmuar rreth bashkëpunimit të tyre me zotërinjtë Manafort dhe Gates, si dhe ECFMU-në.
(Ky material u përgatit nga shërbimi ukrainas i Zërit të Amerikës.)