Edhe pse u eliminua shpejt në turneun e Singaporit, tenistja rumune Simona Halep do të jetë numri 1 për vitin 2017në botën e tenisit për femra. Por renditja është shumë e ngjeshur dhe gjithçka mund të ndodhë që në turnetë e para të 2018-ës. Do të ketë edhe një rikthim të një rivaleje të madhe si Serena Williams , e cila do të marrë pjesë në grand slemin e Australian Open. Por Halep pavarësisht kësaj është duke shijuar pushimin pasi ka qenë një vit i gjatë dhe me shumë angazhime. Por objektivat për vitin e ardhshëm rumunia i ka të qarta, pasi tani dëshiron fitimin e një grand slemi. “Tani po shplodhem, pasi ka qenë një sezon i gjatë dhe i vështirë për mua. Kam ende shumë ëndrra për të realizuar, siç është ai i fitimit të një grand slemi”, tha Halep për mediat.
Duke bërë një përmbledhje të asaj që ndodhi gjatë vitit 2017, tenistja rumune shton: “Sezoni nuk nisi mirë, pasi kam qenë e dëmtuar 3 muaj. mezi luaja në fillim, por gradualisht mora forcë e besim dhe u riktheva më e fortë. Më vjen keq vetëm që humba në finalen e Roland Garros. Por gradualisht loja ime erdhi në rritje dhe në fund kapa kreun, një nga objektivat e mi”, tha Halep, që më tej shton: “Unë nuk vendos limite dhe shpresoj që 2018-ta të jetë edhe më i mirë. Nuk ndiej aspak presion, por vetëm synoj të shkoj sa më larg të jetë e mundur edhe pse e di që do të jetë më e vështirë”.