Ministri i Pushtetit Vendor, Eduard Shalsi, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka komentuar deklaratën e Tritan Shehut dhe disa prej deputetëve të PD-së, mbi aktualitetin politik dhe bojkotin e Kuvendit.
Shalsi shkruan se Partia Demokratike do të vepronte me përgjegjshmëri, nëse do të kthehej në Kuvend dhe regjistrohej sa më parë për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ministri, shprehet gjithashtu se çadra e PD-së po mbahet peng nga ekstremistët që duan të rikthejnë 1997.
“Eksponentë të ndryshëm të Partisë Demokratike shfaqen me deklarata që, hera-herës, ngjajnë me lojëra fjalësh.
I tillë është edhe ai i sotmi i Tritan Shehut. Përpiqen të fshehin të vërtetën e bojkotit të parlamentit, që përditë e më shumë po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët: frika për të votuar vettingun !!!
Përpjekjeve të krerëve të PD për të rikthyer ’97 dhe destabilizuar vendin, shqiptarët i janë përgjigjur duke bojkotuar çadrën që tashmë po mbahet peng nga një grup ekstremistash.
Krerët e PD-së me këtë qëndrim po tradhëtojnë jo vetëm Partinë Demokratike por edhe Shqipërinë.
I vetmi veprim i përgjegjshëm i Partisë Demokratike do të ishte kthimi në Kuvend dhe regjistrimi sa më parë për të marrë pjesë në zgjedhje.
Vetëm kështu Shqipëria, do të mund të ecë përpara me zbatimin e reformës në drejtësi dhe të përmbushë aspiratën e kahershme të integrimit në Evropë”, shkruan Shalsi.