39 kg lëndë narkotike janë kapur nga policia kufitare e Kakavijës, ndërsa poseduesit kanë arritur të largohen.
Policia kufitare ka konstatuar 3 persona në rrugën drejt liqenit të këtij fshati, dy prej të cilëve transportonin dy çanta shpine, brenda të cilave dyshohej se kishte lëndë narkotike.
Policia Kufitare e Kakavijës u është vënë në ndjekje personave të dyshuar, duke u bërë thirrje për të ndaluar, por ata kanë përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar duke mundur të largohen duke braktisur dy çantat.
Pas kontrollit, në brendësi të çantave është gjetur lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva, pesha totale e së cilës rezultoi 39 kg.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Policia Kufitare në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Gjirokastër po punojnë për identifikimin dhe kapjen e këtyre personave.