Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger deklaroi se OSBE mund të lehtësojë dialogun mes palëve, por theksoi se nuk është në dorën e tij të marrë vendime politike.
Gjatë një konference të përbashkët për mediat me ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj, zyrtari i OSBE-së u shpreh mes të tjerash se shpreson që rekomandimet e ODIHR të merren seriozisht.
“OSBE në thelb mund të bëjë tre gjëra. Ne mund të sjellim ekspertizë teknike, së dyti t’u kujtojmë shteteve anëtare të OSBE angazhimet që kanë shtetet pjesëmarrëse dhe së treti të lehtësojmë dialogun. Këtë mund të bëjmë. Ajo që nuk mund të bëjmë është të marrim vendime politike. Shpresojmë që rekomandimet e ODIHR po merren seriozisht. Ajo që nuk mund të bëjmë është të zgjedhim sistemin që ky vend dëshiron, por mund të sjellim ekspertizë e të lehtësojmë dialogun”, deklaroi Greminger.
Sa i përket deklaratës së kryeministrit Edi Rama për ndarjen e reformës zgjedhore në dy faza, Greminger u përgjigj se sistemi elektoral varet nga politikanët.
“Ajo që konsiderohet si reformë elektorale, ka kundërshti sa i përket rekomandimeve se si duhen implementuar ka diskutime mbi sistemin elektoral, nuk është në dorën tonë, kjo është në dorën e aktorëve politikë të këtij vendi për të mbështetur procese të tilla”, shtoi Greminger.