Frika nga pandemia ka detyruar njerëzit të marrin masa nga më të ndryshmet, po kaq edhe të çuditshmet. Një biznesmen indian, nuk e ka menduar dy herë, por ka porositur një maskë për vete e cila është e gjitha me flori. Një maskë e tillë është e rrallë, mos të themi që është rasti i parë ku një person mban maskën prej floriri.
Biznesmeni indian, Shankar Kurhade, ka vendosur që të mbrohet nga koronavirusi me një maskë tepër të veçantë, me vlerë 4.000 dollarë.
Vlera e maskës është kaq e lartë, pasi ajo është prej floriri. Ndërsa biznesmeni thotë që shumë qytetarë e ndalojnë në rrugë dhe i kërkojnë të bëjë foto me të.
“Njerëzit më kërkojnë “selfie”, habiten kur më shohin me një maskë ari nëpër supermarkete”, ka thënë biznesmeni.
“Unë nuk jam i sigurt nëse do të jetë efektive për të më mbrojtur nga një infeksion koronavirus, por unë jam duke marrë masa të tjera paraprake”, shtoi ai.
49-vjeçari është shprehur më tej se i pëlqen të zbukurohet me xhevahire ari që peshojnë një kilogram, duke përfshirë një byzylyk, gjerdan dhe unaza në secilën gisht të dorës së djathtë.
Edhe në Indi maska është e detyrueshme për t’u vendosur në ambjente publike, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit.