Ish-kryeministri Sali Berisha, përpara 2-javësh, i ftuar në emisionin “360 gradë”, ka deklaruar se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është dhunuar nga bandat e Edi Ramës. Tahiri, sipas Berishës, ka në dorë dosjen e Olsi Ramës, si i përfshirë në lojërat e fatit, të cilat i ka monopolizuar.
Berisha tha më tej se, dhuna ndaj Saimir Tahirit erdhi në momentin kur ky i fundit përmendi fjalët “çati” dhe “themele”, që sipas Berishës janë kode, të cilat i përmend mafia.
Kësaj deklarate i është bashkuar edhe kreu i PD-së Lulzim Basha mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, ku ka theksuar se rrahja e Saimir Tahirit ka ardhur nga persona që kanë frikë se u dalin dosjet.
Pas këtyre deklaratave të forta nga dy figurat më të larta të Partisë Demokratike, të gjithë kanë pritur një deklarim apo prononcim nga ish-ministri i Brendshëm. Por deri tani Saimir Tahiri me sa duket ka zgjedhur të heshtë. As sedra e burrit, as krenaria dhe as përgjegjësia si figurë publike nuk e kanë detyruar të reagojë ndaj deklaratave të selisë blu.
Mos vallë nuk e mohon dot dhe ka frikë ta pohoj “drurin” që ka ngrënë? Paraprakisht ka gjithsesi dy arsye eventuale për këtë sjellje të ish-ministrit: Ai, ose ka zgjedhur që të mos ngacmojë urët e zjarrit me deklaratën mohuese të tij duke pritur që të harrohet, ose, më e keqja dhunuesit e kanë kërcënuar që të mos flasë.
Por, po të gjykosh faktin se Tahiri gjithmonë e ka pasur një deklaratë në majë të gjuhës pas publikimit të akuzave apo ngjarjeve ku është përfshirë, versioni i dytë mbetet më bindës.
TIRANA TODAY