Emisioni BOOM ka vazhduar edhe sot me historinë e pazakontë të grabitjes së 3000 hektarëve tokë në Rrushkull të Sukthit.
Më publikimin e fakteve dhe dokumenteve të tjera, BOOM tregon si një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, është marrë me vendim gjykate nga disa persona që nuk kanë qenë kurrë pronarë të saj, duke u bazuar në dokumentet që institucionet shtetërore i kanë provuar si të falsifikuara.
Edhe pse prona është shtetëzuar me një dekret 6 muaj përpara çlirimit, në vitin 2007, Jorgji Veveçka, i cili pretendonte se ishte djali i motrës së Miltiadh Shallvarit, por pa e vërtetuar kurrë këtë, kërkon kthimin e kësaj prone, bazuar në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Prona e regjistruar në 1919 në emër të Miltiadh Shallvarit është shtetëzuar në 1 maj të vitit 1944, me dekret të Këshillit të Lartë të Shtetit. Nisur nga kjo, prona nuk mund të jetë subjekt i ligjit të kthimit të pronave, pasi ky ligj trajton vetëm pronat e sekuestruara pas datës 29 Nëntorit 1944.
I vetmi dokument me të cilin Jorgji Veveçka dhe motrat e tij, pretenduan këtë pronë, ishte vendimi i gjykatës komuniste, të vitit 1946, i cili nxirrte të pavlefshëm testamentin ku gruaja e Miltiadh Shallvarit trashëgonte këtë pronë, me arsyetimin se në kohën e nënshkrimit të testamentit, Shallvari nuk kishte qenë mirë mendërisht, e për këtë arsye, edhe ata duhet të shpalleshin bashkëpronar.
Pas refuzimit që i bëri kërkesës së tyre Agjencia e kthimit të pronave, pretenduesit iu drejtuan gjykatës. Gjykata e shkallës së parë Durrës, vendosi t`iu njoh pronën Veveçkave, gjykata e apelit e rrëzoi këtë vendim, duke e lënë tokë shtet, ndërsa gjykata e lartë, vendosi ti shpall sërish pronarë.
Lufta mes gjykatave dhe avokaturës së shtetit në mbrojtje të pronës publike ka qenë e ashpër. Në një prej kallëzimeve, avokatura e shtetit shprehet:
“Nga studimi dhe analizimi i të gjitha provave shkresore dhe akteve që ne disponojmë vlerësojmë se gjykatat janë bazuar në dokumenta dhe prova shkresore të falsifikuara që nuk kanë asnjë vlerë ligjore, pra janë “akte nul dhe inekzistente”, dhe që janë administruar në gjykim në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi”.
Prova e vetme ku bazohet pretendimi i fisit Veveçka, për t`i marrë shtetit 3000 hektarë tokë në bregdet, është rrëzuar nga akt -ekspertimi i vendimit të vitit 1946, i cili tregon se ky dokument është fals.
Por gjyqtarja Nurjeta Tafa, me argumentin se prokuroria ka kryer ekspertizën e dokumentit jo mbi dokumentin origjinal por mbi një fotokopje, u shpreh se nuk mund të merrte parasysh ekspertizat e laboratorit të policisë shkencore.
Po çfarë është vendimi i vitit 1946?
Sikurse theksuam, prova e vetme me të cilën trashëgimtarët e Veveçkave pretenduan pronën është një dokument që ata thonë se është vendim i vitit 1946 i Gjykatës së Durrësit, pra gjykatës komuniste, i cili i shpallte ata trashëgimtarë të Shallvarit dhe pronarë të tokës në Rrushkull.
Pra, trashëgimtarët pretendojnë se gjykata komuniste i ka shpallur ata pronarë të një toke të madhe shtetërore në kohën kur regjimi komunist e kishte ndaluar pronën private!
Përmbajtja e vendimit të pretenduar është edhe më e pabesueshme. Ai anullon një testament të kryer në mënyrë të rregullt ligjore plot 17 vjet më parë. Arsyeja: gjykata vendos që Miltiadh Shallvarin ka qenë i paaftë mendërisht 17 vjet më parë kur kishte hartuar testamentin, fakt që nuk e kishte pretenduar askush më parë.
Në vendimin e kthimit të pronës të viti 2011, Gjykata e lartë i referohet këtij dokumenti: Në vendimin 52 datë 02.03.1946 i gjyqit civil të prefekturës së Durrësit i formuam me kolegj arbitrar, rezulton që testament i lënë prej trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari, në favor të bashkëshortes së tij, është deklaruar i pavlefshëm, pasi në çastin e përpilimit të tij, testatori ka qenë në paaftësi mendore për të disponuar në testament, edhe pse një dokument paaftësie për ta provuar këtë nuk ka.
Sipas gjykatës, për sa kohë testament është hedhur poshtë, trashëgimtarët, kanë fituar pronësinë që në momentin e çeljes së trashëgimisë, në çastin e vdekjes së Miltiadh Shallvarit, në vitin 1933 dhe jo në datën e marrjes së vendimit formë të prerë.
Nëse testamenti do të ishte vërtet i pavlefshëm, trashëgimtarja e pronës do të ishte e bija e Miltiadh Shallvarit, Edita dhe jo Jorgji Veveçka.
Avokatura e Shtetit ka bere disa kallezime penale ne lidhje me keto abuzime ku kërkon mosnjohjen e të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të subjekteve pretendues.
Avokatja e Shtetit Ledina Mandia ka bërë disa Kallezime për veprat penale të “falsifikimit të dokumentave” të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, si dhe të veprës penale të “ekspertimit të rremë”.
Në një prej kallëzimeve, avokatura e shtetit shprehet:
“Nga studimi dhe analizimi i te gjitha provave shkresore dhe akteve qé ne disponojmë vlerësojmë se, Gjykatat janë bazuar në dokumente dhe prova shkresore të falsifikuara që nuk kanë asnjë vlerë ligjore, pra janë “akte nul dhe inekzistente”, dhe që janë administruar në gjykim në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.
Në rrethanat konkrete, kur janë cënuar haptazi dhe në kundërshtim flagrant me ligjin interesat pasurore të shtetit dhe prona publike, e cila është tjetërsuar në favor të të tretëve pa pasur kërkuesit titull të vjetër pronësie, vlerësojmë se shkeljet përbejnë shkak për fillimin e procedimeve penale ndaj shumë personave që kanë konsumuar elementë të veprave ti ndryshme penale. Sipërfaqja e tokës e përfituar nga këta persona në kundërshtim me ligjin është në përmasa galoponte.
E vlerësojmë si të domosdoshëm vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo punonjësi publik që ka konsumuar elemente të veprave të ndryshme penale, pasi me keqardhje konstatojmë veprime dhe shenja korruptive nga shumë persona te cilat kanë shpërdoruar funksionet publike te tyre”.
Në Gjykatën e Lartë çështjen e mbrojti avokati i shtetit Abaz Deda, i cili na dha sqarime të detajuara për këtë rast.
Gazetarja: Në kuadër të gjithë procesit që ka ndodhur, pra mbrojtjes që i ka bërë kësaj çështje ndër vite avokatura e shtetit, por në kuadër edhe të vendimit të 1946, i cili sipas prokurorisë, me kërkesë të avokaturës së shtetit ka dalë i falsifikuar, ne kërkojmë një prononcim:
Avokatura e shtetit: Ne jemi thjesht mbrojtës.
Gazetarja: Po pra, si e keni mbrojtur ju? Kjo është pyetja jonë.
Avokatura e shtetit: Po nuk mund të japim ne intervistë, se si e kemi mbrojtur ne, sepse ne kemi mbrojtje, është materializuar me shkrim dhe qëndron pranë gjykatave. Është çështje në Gjykatë të Lartë, flas për 3000 hektarshin, është kërkesë për rishikim. Është e gjykuar nga Shkalla e Parë në Durrës, nga Gjykata e Apelit, nga Gjykata e Lartë.
Është bërë kërkesë nga ne pastaj pas daljes së disa provave të reja, kërkesë për rishikim në Gjykatën e Lartë, dhe është në Gjykatën e Lartë.
Përsa i përket kallëzimit penal që thua ti, kanë qenë tre kallëzime penale, edhe kallëzimet penale janë shqyrtuar, diku kanë ndalur, janë për shqyrtim se edhe ato janë pjesë përbërëse e rishikimeve dhe vazhdojmë procedurën e gjykimeve në proceset civile. Pra shërbejnë si provë, për proceset civile.
Gazetarja: Unë për këtë isha e interesuar, në lidhje me këtë dokumentin e 1946, për të cilin Avokatura e Shtetit ka kërkuar nga Prokuroria ta hetoje nëse është dokument i falsifikuar, apo jo.
Avokatura e Shtetit: Ajo është në gjykim sot në Gjykatën e Apelit, gjykohet avokati bashkë me një person tjetër, sekretare e gjykatës a nuk e di si janë, në Gjykatën e Apelit Durrës.
Gazetarja: Po ka dalë i falsifikuar dokumenti apo jo?
Avokatura e shtetit: Tani këtë, të lutem!
Gazetarja: Jo, nga prokuroria flas, se gjykata s`e ka dhënë verdiktin e saj.
Avokatura e shtetit: Tani duhet të lexoj vendimet se nuk jemi ne, është avokatura e zyrës së Durrësit, që përfaqëson këtë çështje. Ka qenë çështje në Prokurorinë e Durrësit. Janë dënuar njëri nga avokatët mesa di.
Gazetarja: Avokatët e kujt, të palës së Veveçkave?
Avokatura e shtetit: Privat po, Veveçka…. nuk e di, janë disa palë aty.
Gazetarja: Janë disa trashëgimtarë.
Avokatura e shtetit: Njëri nga ata dhe çështja është në gjykim. Pikërisht ai vendimi që është goditur për falsitet, ai është në shqyrtim.
Gazetarja: Po, por prokuroria e ka dhënë verdiktin e saj.
Avokatura e shtetit: Po se ka dhënë moj verdiktin e saj, se pikërisht këtu, janë këto momente në Gjykatë të Apelit. Sepse ai thotë, të hiqet ky vendim dhe të futet një vendim tjetër.
Gazetarja: Kush thotë kështu?
Avokatura e shtetit: Gjykata e shkallës së parë kështu është shprehur dhe prandaj është ankimuar dhe ka shkuar në gjykatën e apelit.
Gazetarja: Si të hiqet ky vendim, cili vendim?
Avokatura e shtetit: Njëri vendim është i falsifikuar, por ky që ndodhet në dosje ka qenë ky që e kemi ne, është i rregullt thotë gjykata. Jemi në një situatë që nuk e kemi të saktë edhe ne, përderisa kemi bërë ankim,se ky vendim është i falsifikuar i tëri, pavarësisht se thonë janë dy vendime, njërin e ka futur ky, njërin e ka futur ky, themi ne, dhe nuk janë asnjëri, se për këtë pronë është shteti. Ata thonë, jo ky nuk është, ky është thotë gjykata prandaj është në Gjykatën e Apelit. Prandaj nuk prononcohemi dot, se pa u shprehur gjykata e apelit është…
Ndërkohë që Gjykata e Lartë vendimin për Veveçkat e dha brenda vitit, ankimimi i Avokaturës së Shtetit për të rimarrë pronën publike pret të shqyrtohet prej 8 vjetësh.
Avokatët nuk pranojnë të flasin.
Por si faktohet lidhja mes Veveçkave dhe Shallvarit? A ekziston një dokument që të provojë këtë lidhje?
Kjo ishte pyetja e parë që kishim për t`i drejtuar përfaqësuesve ligjorë të trashëgimtarëve të fisit Veveçka.
Ne kontaktuam disa prej tyre, por çuditërisht asnjëri nuk pranoi të japë një intervistë në mbrojtje të pronës së marrë me vendim të Gjykatës së Lartë.
E vetmja përfaqësuese që u tregua e gatshme ishte avokatja Flutura Kona, e cila fillimisht na premtoi një intervistë, por në vazhdim refuzoi të përgjigjet.
Boom ka të gjitha komunikimet që tregojnë përpjekjet tona për të dëgjuar edhe palën tjetër.
Nga provat që “BOOM” disponon, po edhe ato që gjenden në dosjet e gjykatave, nuk ekziston asnjë dokument që fakton lidhjen e Miltiadh Shallvarit me Jorgji Veveçkën dhe trashëgimtarëve të tij, të shpallur nga Gjykata e Lartë si pronarë të tokës publike të lakmuar në Rrushkull./oranews