Zhvillimi i teknologjisë po bën të vetën, por kinemaja ende mbetet e preferuar për shqiptarët. Në 2017 dhe 2018, situata është përmirësuar, duke qenë se edhe prurjet botërore të kinematografisë kanë qenë të kënaqshme. Gjithsesi, shpenzimet për frymë për bileta mbeten shumë pas mesatares botërore
Nga: Deada Hyka
Tregu i vogël shqiptar është tërhequr ndër vite në vorbullën e tregut botëror të kinemasë. Por, dy vitet e fundit, ky trend është parë më tepër me rritjen e kapaciteteve dhe numrit të sallave të kinemave. Megjithatë jemi shumë larg pjesës tjetër të rajonit dhe botës për prodhimin e filmave, gjë që na bën më pak apo aspak konkurrues në këtë sektor. Ndonëse ka pasur edhe prurje shqiptare që kanë tërhequr për të shkuar në kinema.
Për tre operatorët kryesorë të tregut shqiptar, lavjerrësi nuk po lëviz njësoj. Rrjeti i Kinemave Imperial dhe Millennium po shohin tkurrje të aktivitetit ndër vite, me Imperial që ka mbetur vetëm me një sallë kinemaje tashmë, ndërsa Millennium, ndonëse ka një pozicion gjeografik strategjik dhe ka diversifikuar aktivitetin edhe me evente, restorante etj., po sheh sërish rënie të shitjeve me kalimin e viteve. Fati po i buzëqesh më shumë operatorit më të ri: Cineplexx Albania.
Shpenzimet e biletave për frymë ishin disi me rritje në 2017, duke arritur në 0.8 euro/ për person. Por informaliteti vijon të jetë i dukshëm në këtë sektor dhe ndërkohë po rritet dëshira për të parë filma streaming, me Netflix që po përqafohet edhe në Shqipëri. Çfarë po ndodh me magjinë e ekranit të madh?
Kinemaja si biznes
Duke iu referuar të dhënave të bilanceve të tyre, të ardhurat e operatorëve kryesorë në vend, Imperial, Millennium dhe Cineplexx ishin rreth 296.6 milionë lekë në vitin 2016, ndërsa një vit më pas, kanë shënuar një rritje të lehtë me rreth 2%, duke arritur në 302.2 milionë lekë.
Rritja në 2017 i atribuohet shitjeve prej 36% më shumë nga operatori më i ri i tregut, Cineplexx.
Në anën tjetër, Imperial ka pësuar një tkurrje të shitjeve me 7%, ndërsa operatori më i vjetër në treg, Millennium ka përgjysmuar aktivitetin në dy vite, me një rënie rreth 52%.
Dy operatorët më të vjetër të tregut pohojnë se dhe viti 2016 ka qenë i dobët, krahasuar me vitet e mëparshme. Rënia, sipas tyre, vjen për shkak të mungesës së frekuentimit, rritjes së konkurrencës në kushtet e një tregu të vogël dhe informalitetit nga website pirate.
Ndërsa në dy vitet e fundit, pohojnë ata, në 2017 dhe 2018, situata është përmirësuar, duke qenë se edhe prurjet botërore të kinematografisë kanë qenë të kënaqshme.
Operatori më i ri i tregut të kinemasë në vend, Cineplexx duket se po shijon një kohë të artë, i ulur në krye të fronit me pjesën më të madhe të “tortës” së konsumatorëve shqiptarë. Nga Cineplexx pohojnë se rritja e aktivitetit ka ardhur nga disa arsye. Në vitet e para, çmimet më të larta se sa konkurrentët kanë sjellë vështirësi, por pajisja me 7 salla, aktivitetet e shumëllojshme, përfshirja në një qendër tregtare dhe cilësia e teknologjisë që ofrohet, u shndërruan në faktorë kyç pozitivë që ndihmuan në rritjen.
Nga përpunimi i të dhënave, sipas të ardhurave të kompanive nga shitjet e biletave, rezulton se shpenzimi për frymë për bileta kinemaje në një vit (2017) në Shqipëri është rreth 0.8 euro, shumë më i ulët se shtetet e tjera. Në Britani p.sh., sipas të dhënave të Statista.com, për të njëjtin vit, shpenzimi mesatar për frymë për kinema është 19.35 paund, apo rreth 22 euro. Përfaqësuesit e kinemave pohojnë për “Monitor” se kinemaja ka pasur luhatjet e veta, përballë ‘streaming’ online, qoftë në Netflix apo në site informale dhe se problematikat e këtij tregu të vogël, por kompleks, po pasqyrohen vit pas viti, në rënien e shitjeve të biletave.
Sa kinema?
Mungesa e kinemave në pjesën më të madhe të vendit dhe përqendrimi i tyre në Tiranë mund të shihet njëkohësisht si shkak dhe pasojë e nivelit të ulët të frekuentimit të kinemave në rrethe të tjera. Por, me hapjen e sallave të reja të Cineplexx në Qendrën Tregtare Univers, është rritur frekuentimi edhe nga rrethe si Durrësi dhe Shijaku, që janë më pranë.
Sipërmarrësit në fushën e kinemave e shpjegojnë mungesën e investimeve me shkallën shumë të ulët të rikthimit të investimit. Përfaqësuesit e Imperial Cinemas thonë se kjo i detyroi ata që të mbyllnin dy salla, në Sheraton dhe në Kristal Center, duke mbetur kështu vetëm me një kinema në zonën e Pallateve Agimi.
Nga ana tjetër vlerësohet se hapja e sallave të reja nxit njerëzit t’i frekuentojnë ato, në fillim nga kureshtja, e më tej edhe për t’u argëtuar nëse filmat do të japin efektin e pritur. Gjergji Gjoshe, administrator i Imperial Cinemas, thotë se në planet e afërta, është hapja e një kinemaje të re në Tiranë, që të shtojnë kapacitetet. Në Tiranë janë 13 salla kinemaje me kapacitet mbi 1500 persona, nga tre operatorët kryesorë të tregut, ku 11 salla janë të Cineplexx. Në shumicën e rasteve, frekuentimi arrin nivele të kënaqshme në filma të caktuar, ku edhe marketingu ka një rol kryesor.
Megjithatë, operatorët thonë se shqiptarët nuk e kanë kulturën që të shkojnë në kinema për të parë një film dhe janë shumë të paktë klientët që rikthehen. Për ta, kjo lidhet me mungesën ekonomike (sidomos rrethet), ndërsa tek të rinjtë shqiptarë ndikon edhe shikimi i filmave përmes website piratë, sidomos kur filmat janë edhe të përkthyer në shqip. Por, edhe tendenca e sotme e platformave si Netflix, e cila kundrejt një kostoje minimale mujore (rreth 10 dollarë) ofron një gamë të gjerë filmash dhe serialesh, sikurse marketojnë ata: “nga rehatia e shtëpisë”. Megjithatë, operatorët pohojnë se “magjia e ekranit të madh” është diçka tjetër, ofron tjetër përvojë.
Duke marrë në konsideratë edhe shpenzimet për frymë që shqiptarët bëjnë në vit për bileta kinemaje (0.8 euro në 2017, e përllogaritur nga “Monitor”) themi se kostoja e ulët (apo zero në rastin e website pirate) i josh kryesisht të rinjtë shqiptarë që të shohin filma në formatet më ekonomike se një kinema. Nga ana tjetër, gjithnjë e më tepër kinematë përpiqen të krijojnë “ditë të veçanta” me kosto të ulët apo të reduktuar të çmimit të biletës, një formë nxitje e konsumit, që në disa raste funksionon (e hëna, çmimi i biletës 300 lekë në kinema, netët e dedikuara, e diela me pije, kokoshka falas etj.).
Problematikat e tregut
Tregu shqiptar i kinemasë konsiderohet i vogël nga ekspertët e fushës, duke marrë në konsideratë popullsinë tonë, grupmoshën që përbën audiencën kryesore të kinemasë, si dhe përqendrimin vetëm në kryeqytet të sallave. Problematika tjetër për operatorët është konkurrenca dhe këtë e pohojnë duke vendosur në peshore avantazhet e konkurrentit dhe mangësitë e tyre. Meqenëse torta po ndahet në shumë pjesë tani, shitjet kanë rënë edhe për arsye ekonomike.
Administratori i rrjetit të Kinemave Imperial, Gjergj Gjoshe, shprehet për “Monitor” se rënia e shitjeve në kinematë e tyre vjen për shkak të situatës ekonomike të vendit dhe e lidh me pamundësinë ekonomike të të rinjve që të shohin filma. “Problematikat që kanë lidhje me tregun e kinemave janë të shumta, por ndër më kryesoret mund të përmend: gjendjen ekonomike dhe politike jo stabël, ekzistenca e një tregu të vogël dhe i përqendruar vetëm në Tiranë” -pohon z. Gjoshe për “Monitor”.
Menaxheri i Kinema Millennium, Altin Elezaj, pohon se problematika më e madhe me të cilën po përballen dy vitet e fundit është pamundësia financiare për të hapur salla të tjera, që të jenë konkurrues me operatorët e tjerë, që kanë më shumë se sa dy të tilla. “Kjo gjë na penalizon shumë, pasi nuk kemi mundësinë që të rishfaqim filma të vjetër (jo premierë) dhe të gjenerojmë kështu më shumë vizita. Në mungesë të sallave të tjera, ne shfaqim vetëm premierat e filmave të ndryshëm botërorë dhe shqiptarë.
Këtu lind edhe një tjetër vështirësi. Pamundësia financiare për të marrë edhe çdo film botëror që shfaqet. Një tjetër problematikë që dua ta theksoj është pirateria, e cila vijon në shifra alarmante dhe nuk ka asnjë kontroll për këtë. Ne na vijnë kontrolle të ndryshme për dokumentacionin apo kontratat me shtëpitë e huaja të filmave, por në fakt, duhet të kemi parasysh ato dyqanet që shesin DVD të paautorizuara dhe sidomos website private që në kohë rekord shfaqin filmat, madje edhe të përkthyer. Duhet të merren masa për këtë pasi po dëmtohemi shumë” – thotë z. Elezaj.
Përfaqësues të Kinema Cineplexx, operatori më i ri në treg, pohojnë se vështirësia më e madhe në nisjen e operimit në vend ka qenë ndryshimi i mentalitetit të shqiptarëve për kinemanë, si dhe largësia nga qendra por, tani, e konsiderojnë si avantazh.
Ingrid Xhaja, menaxhere marketingu e Cineplexx Albania, pohon se edhe çmimet më të larta se sa konkurrentët kanë qenë vështirësi e fillimit, por kjo gjë ndryshoi me kohën dhe me dinamikën e fushatave të marketingut që ndërmarrin.
Tregu europian
Pas tre vjet mbi nivelin mesatar, një raport i fundit i OBS vlerëson se frekuentimi total i kinemasë në Bashkimin Europian është ulur me 3.0% në 955 milionë bileta të shitura. Përllogaritet 29.4 milionë më pak se në vitin 2017 dhe niveli i katërt më i ulët i regjistruar në BE që nga viti 2009.
Ashtu si në vitin 2017, në vitin 2018, frekuentimi i kinemasë u rrit në 8 tregje dhe u zvogëlua në 13 tregje të BE-së, ndërsa mbeti praktikisht i qëndrueshëm në 4 nga 25 tregjet e BE-së, për të cilat ishin të dhëna të përkohshme.
Duke folur në nivel gjeografik, rënia e moderuar e frekuentimit të kinemasë në BE u shkaktua kryesisht nga një rënie e madhe e frekuentimit në Gjermani (-16.9 milionë, -13.9%) si dhe nga një ecuri, relativisht e dobët, vit pas viti në Francë (-8.9 milioën, -4.3% ) dhe Itali (-7.0 milionë, -7.0%). Nga pesë tregjet kryesore të BE-së, vetëm Mbretëria e Bashkuar regjistroi një rritje të pjesëmarrjes në kinema prej 3.7% në 177 milionë frekuentime. Ky është niveli më i lartë i pranimeve në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 1970. Frekuentimi gjithashtu u rrit në Poloni (+3.1 milionë, + 5.5%), Rumani (+0.6 milion, + 4.5%) dhe Republikën Çeke (+1.1 milionë, + 7.3%).
Jashtë BE-së, tregu rus kapërceu të ardhurat prej 200 milionë eurosh për të dytin vit. Ky është niveli i dytë më i lartë i arritur në histori kohët e fundit dhe konfirmon pozicionin e Rusisë si tregu më i madh i kinemasë në Europë për sa i përket frekuentimit, së bashku me Francën që rimori fronin në vitin 2018. Edhe frekuentimi i kinemasë në Turqi, tregu i shtatë më i madh europian, u tkurr nga niveli i tij rekord në vitin 2017 nga 71.2 milionë në 70.4 milionë frekuentime.
Shpenzime për frymë për bileta kinemaje në vit
Sipas të dhënave të Eurostat, banorët e BE-së shkojnë në kinema mesatarisht 2.4 herë në vit, përkundrejt 5.4 herë që shkojnë banorët e SHBA-së. Popullsia e BE-së shpenzon mesatarisht 13.7 euro në vit për bileta kinemaje, ndërsa mesatarja e shpenzimeve në SHBA është tre herë më e lartë, rreth 33.8 euro (të dhënat e vitit 2014). Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, shpenzimet për frymë të shqiptarëve për bileta kinemaje në 2017 është rreth 0.8 euro.
“Kinemaja ushqehet nga brezat e rinj”
Flet INGRID XHAJA, Menaxhere Marketingu e Cineplexx Albania
Si ka qenë aktiviteti i kinemasë që në fillim të operimit të tij në tregun shqiptar?
Rreth 6 vite më parë, kur kinemaja e parë Cineplexx u hap në TEG, gjeti një treg jo fort të përgatitur për një kinema kaq të madhe dhe kaq larg qendrës së qytetit, duke e bërë fillimin disi më të ngadaltë se shtetet fqinje. Do të përmendja këtu rastin e hapjes së Cineplexx në Prishtinë, e cila u prit shumë mirë që në fillim dhe ka vijuar me të njëjtin ritëm që nga ai moment. Ndoshta u desh pak më tepër kohë për të ndryshuar qasjen ndaj kinemasë në tërësi, por sot mund të themi që tregu është zgjeruar ndjeshëm dhe gjithçka që më parë mund të shikohej si një dizavantazh tanimë është kthyer në të kundërt.
Sa është kapaciteti i Cineplexx? Si është frekuentimi?
Pas hapjes së kinemasë së dytë në QTU, tanimë në total janë 11 salla me kapacitet total 1600 vende. Prej tyre, Cineplexx TEG ka 7 salla me kapacitet 1000 vende, ndërsa në QTU ka 4 salla me kapacitet 600 vende. Frekuentimi, sidomos gjatë muajve të dimrit, ose gjatë premierave me rëndësi, tanimë është maksimal. Në Cineplexx TEG, presim rreth 25 mijë vizitorë në muaj, kurse në Cineplexx QTU rreth 12 mijë çdo muaj. Padyshim që këto shifra nuk janë arritur menjëherë, por gradualisht po shohim një rritje të përvitshme që na bën të besojmë se ka ende mjaft interes për kinemanë dhe që ky interes po rritet.
Cilët mendoni se janë problematikat e tregut të kinemasë?
Ende sot vijoj të besoj se kushtëzimi primar është tregu i vogël dhe fuqia e ulët blerëse. Kultura e munguar ose e harruar e vizitimit të kinemasë ka qenë faktor dhe një prej vështirësive që kemi hasur kryesisht vitet e para, por kjo duket se po kapërcehet, falë edhe brezave të rinj që janë shumë herë më të hapur dhe të prirë ndaj prodhimeve kinematografike.
Çfarë roli luan konkurrenca?
Gjatë këtyre viteve operimi, është bërë tanimë e qartë tipologjia e klientelës për secilin prej aktorëve. Për shkak të zgjerimit edhe në QTU dhe kapaciteteve të sallave që kinematë tona disponojnë, edhe pse market share për ne është shumë i lartë, kinematë konkurrente që ndodhen brenda në Tiranë ofrojnë një alternativë të përshtatshme logjistikisht më të arritshme.
A përbëjnë website-t pirate konkurrencë për konsumimin?
Pirateria e filmave, më tepër se konkurrencë, është një pengesë për zhvillimin e tregut kinematografik. Lufta ndaj piraterisë është një sfidë e gjithë zinxhirit të distribucionit kinematografik dhe jo vetëm e kinemasë.
Natyrisht ka edhe ndikim të drejtpërdrejtë në performancën e kinemave kur filmat dalin njëkohësisht e madje edhe me përkthim, por tanimë jemi të bindur se klienti është edukuar mjaftueshëm që të kuptojë se vizita në kinema nuk është vetëm shikimi i një filmi, por një përvojë më komplekse. Është një ritual për të shijuar një pasdite me miq apo për të ndarë interesa me të afërm, ndaj edhe ne nuk i shohim si konkurrentë të drejtpërdrejtë këto website të cilat padyshim që do të duhet të mbylleshin për të rregulluar tregun në të ardhmen.
Si e prisni vijimin e sezonit?
Mbyllja e vitit është gjithmonë një nga momentet më të rëndësishme. Një pjesë e madhe e prodhimeve të shumëpritura caktohen qëllimisht në fund të vitit nga studiot. Shumë vëmendje në këtë periudhë i kushtohet familjes, ndaj edhe një prej produksioneve më të pëlqyera nga Disney, Frozen 2, është caktuar në fund të nëntorit. Mund të themi pa frikë që do të jetë një sukses sepse ka vite që pritet vijimi i një prej filmave më të dashur për fëmijët. Po ashtu, ne do të vijojmë me promocionet tona të përvitshme dhe me eventet e premierave të cilat duken se po bëhen gjithmonë e më popullore mes kinemadashësve.
“Po kalojmë vështirësi në treg”
Flet Gjergj Gjoshe, administrator i Kinema Imperial
Si ka qenë aktiviteti i kinemasë dy vitet e fundit?
Aktiviteti i kinemasë në këto dy vite ka qenë në përgjithësi mirë, them në përgjithësi sepse ka një rënie të shikueshmërisë në krahasim me vitet e kaluara. Kjo lidhet si me situatën aktuale në vend, ashtu edhe me filmat të cilët dalin në treg. Tek ne ka ndikuar pa dyshim mbyllja e sallës në ish-Sheraton, sallë e cila gjeneronte më shumë vizita. Duke mbetur vetëm me Kinema Agimin, frekuentimi ka qenë i kënaqshëm, kjo në lidhje me filma të veçantë të cilët kanë pasur shikueshmëri të lartë dhe kanë plotësuar mungesat ose shikueshmërinë e ulët të filmave të tjerë. P.sh. filmi i Ermal Mamaqit ka pasur shikueshmëri të lartë, ashtu sikurse një sërë filmash të tjerë të huaj gjatë këtij viti. Frekuentimi ka lidhje dhe me periudhën në të cilën transmetohet, ndaj vëmë re që në dimër ka më tepër vizita.
Cilat janë problematikat kryesore të tregut të kinemasë në vend?
Problematikat që lidhen me tregun e kinemave janë të shumta por ndër më kryesoret që ndikojnë mund të jenë:
- Gjendja ekonomike në të cilën kalon vendi.
- Prodhimtaria e filmave nga distributorët dhe periudha në të cilën ata dalin në treg.
- Informaliteti dhe faqet pirate
- Mungesa e sallave me kapacitet më të lartë në rastin tonë
- Si vijon konkurrenca me dy operatorët e tjerë të tregut?
Konkurrenca ka influencuar ndjeshëm në uljen e xhiros, sidomos duke marrë në konsideratë një treg kaq të vogël dhe të përqendruar në kryeqytet tonë. Kinematë pranë qendrave tregtare kanë më tepër avantazh duke qenë se janë të përshtatshme pas një dite shopping, parkimi etj.
Cilët janë planet tuaja në të ardhmen?
Planet tona në të ardhmen lidhen me hapjen e një kinemaje të re, në një lokacion tjetër, e cila mendojmë se do të ketë disa salla paralele. Momentalisht, duke mbetur vetëm me Kinema Agimin, e cila ka vetëm një sallë, kemi shpesh kërkesa më të larta dhe mungesë kapaciteti. Duke pasur një kinema me disa salla njëkohësisht, edhe punonjësit do të jenë në të njëjtën shifër, që momentalisht, ne mbajmë një numër punonjësish shërbimi në Kinema që do të ishte e njëjtë edhe me 4-5 salla.
Çmim mesatar, të tretët në Ballkan, por frekuentim i ulët
Bazuar në të dhënat e muajit të fundit të agjencisë Numbeo, lidhur me çmimin e biletave për kinema në rajon, Podgorica udhëheq këtë listë si më e shtrenjta me çmimin mesatar për biletë 4.15 euro, ndjekur më pas nga Shkupi me 3.90 euro, vendi ynë (Tirana) me 3.63 euro, Beogradi me 3.52 euro, Sarajeva me 3.07 euro dhe e fundit në listë, me çmimin më të ulët Prishtina, me 3 euro.
Pavarësisht se ky çmim mesatar në Tiranë nuk ka një vlerë të madhe krahasuar me dy vendet e tjera mbi ne për nga çmimi i lartë, në Tiranë frekuentohet më pak kinemaja bazuar nga deklarata e menaxherëve të kinemave, krahasuar me linjat e kësaj kinemaje në ato vende. Sipas tyre, shqiptarët frekuentojnë në një nivel dukshëm më të ulët kinemanë se fqinjët ballkanas./Monitor