Prishja me kinezët në fillim të viteve 1970, e izoloi tërësisht Shqipërinë e Enver Hoxhës, dhe e bëri akoma më paranojak këtë të fundit. Në atë periudhë, u ndërtuan pjesa me e madhe e bunkerëve dhe tuneleve. Një vlerësim i përafërt, pa llogaritur koston e krahut të punës, thotë se vendi më i varfër i Europës, harxhoi mbi 2.2 miliardë euro në atë marrëzi.
Është llogaritur se me betonin e përdorur për bunkerët, mund të ishte asfaltuar një rrugë e gjerë 20 metra dhe e gjatë 2.636 km. Një pjesë tjetër e pa llogaritur, është kostoja njerëzore e këtij operacion masiv. Josif Zegali, një nga drejtuesit e lartë ushtarakë që udhëhoqi ndërtimin e bunkerëve, ka pohuar në një intervistë të disa viteve më pare, se çdo vit vdisnin aksidentalisht 40-80 persona. Sot bunkerët shihen si një atraksion nga turistët e huaj. Megjithatë llogaritet se nga prishja e tyre do të përfitohej një sasi e madhe skrapi çeliku, me një vlerë prej rreth 190 milionë eurosh.