Të premten do të mbahet protesta e radhës e pedagogëve pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. Lajmi është përcjellë nga sindikata e punonjësve. Kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi deklaroi se rritja e pagës me 7% e ofruar nga kryeministri Rama është e papranueshme, dhe nuk mjafton as për të tejkaluar normën e inflacionit. Ndër të tjera shprehen se qeveria ka edhe një javë kohë për realizimin e kërkesave të tyre dhe më datë 14, do të mblidhen sërish në protestë.
“Sindikata është e vendosur të mbështesë kërkesat e drejtuara ndaj kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit. Sindikata e quan të papranueshme rritjen e premtuar me 7% të rrogës nga kryeministri, ndërkohë rritja 30% këtë vit është një hap drejt rregullimit të gjendjes. Vendimi i sindikatës është i qartë, tarifat e studentëve duhet t’u kthehen atyre në shërbime. Ditën e premte në orën 11:00 protestojmë para Universitetit të Arteve në Tiranë, ftojmë çdo koleg në universitetet shqiptare”, tha kreu i sindikatës.