Në emisionin e mëngjesit “7 pa 5” u trajtua historia e një të reje, dhe e të kaluarës së saj. 22 vjeçarja ka bërë një rrëfim emocionues për zhytjen e saj 11-vjeçare në skutat më të errëta të mendjes.
Ajo tregoi luftën e saj me depresionin dhe me sfidat e moshës, duke treguar dhe rrugën që arriti t’ia dilte dhe të kthehej në një frymëzim për të gjithë adoleshentët e tjerë. 22-vjeçarja tregon për një adoleshencë të kaluar në depresion, dhe për tentativat e shpeshta për ti dhënë fund çdo gjëje, për ti dhënë fund jetës. Në këtë rrëfim të ndjerë, e reja tregon me detaje çfarë mund të ndjejë një person në ato momente.
Çfarë kalon në mendjen e një personi në momentin që është duke prekur fundin…?
A është gjithmonë vetëvrasja një tentativë për të tërhequr vëmendje?
“Kam tentuar disa herë të vetëvritem… kjo gjëndje ka nisur qëkur unë kam qenë 11 vjeç. Kam lexuar ditarin që kam patur atëherë, dhe kisha menduar që atëherë. E kuptova në vitin e dytë në gjimnaz, sepse në atë vit janë tallur me mua.
Pas atij viti mendimi kaloi në veprim. Kam tentuar t’i bëj keq shumë herë vetes. Kam marrë ilaçe për tu vrarë.
Nuk kam qenë afër me familjen. Disa kohë thoja që nuk më duan. Kanë qenë ata lloj prindërish që fokusoheshin tek të mirat materiale. Ata e morën vesh ca më vonë… më ndodhi diçka me një shoqe, ajo vdiq… nuk di si ta them. E kam përjetuar shumë keq, pasi e kisha në krah gjatë gjithë kohësh kur po e çonim në spital. Prindërit në atë kohë e morën vesh, dhe që atëherë ndryshuan shumë sjelljen e tyre.
Gjëndja e thellë emocionale ka zgjatur gjatë gjithë kohës, por në ato momente, ajo ka ndodhur pasi përgjithësisht para kam patur një zënkë. Në momentin që ti je keq emocionalisht, e pastaj të ushtrojnë presion, atëherë ti kalon në tentativë për të vrarë veten… më kanë thënë ata që kam pyetur që në momentin e fundit ndihesh shumë e penduar për atë që ke bërë… Familjarët e mi nuk e kanë marrë vesh asnjëherë kur kam tentuar të vras veten duke pirë ilaçe, kam shpëtuar vetë”, ka thënë ajo. /vizionplus