Rrëfimi i Ujkanit për MARCA: Gjykatësi serb i tha babait “ik se lufta po vjen”

Kapiteni dhe portieri i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, ka rrëfyer tregimin e tij të dhimbshëm të luftës në Kosovë për gazetën e përditshme spanjolle “Marca”, duke zbuluar sesi babai i tij ishte këshilluar nga një gjykatës serb të ikte para shpërthimit të luftës më 1998.

Ujkani do ta mbrojë portën e Kosovës të mërkurën në Sevillë, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës, njërit prej kundërshtarëve të pavarësisë së atdheut të tij, raporton Gazeta Express.

Para takimit mes Kosovës dhe Spanjës, i cili ngjalli shumë polemika, kryesisht diplomatike, për shkak të qëndrimit të shtetit iberik ndaj shtetit më të ri evropian, portieri i Torinos u rrëfye për të përditshmes spanjolle.

Ujkani, i lindur më 1998 në Reznik të Vushtrrisë, kishte ikur në Belgjikë me familjen e ngushtë, pasi babai i tij e kishte dëgjuar këshillën e gjykatësit serb.

“Para luftës, babai im u akuzua për diçka që nuk e kishte bërë kurrë. Ai e kishte një punë të mirë por të gjithë njerëzit që kishin punë të mira përjashtoheshin. Fatmirësisht, ishte një gjykatës serb i cili ishte njeri i mirë dhe i tha atij: ‘Ik, sepse lufta po vjen’. Ne ishim me fat dhe ai e mori këshillën e tij”, tregoi Ujkani.

“Pas një viti ne mbërritëm në Belgjikë. Por shumë prej të afërmve tanë nuk pranuan të largohen nga Kosova, sepse kështu do të linin mbrapa gjithçka për të cilën kishin luftuar gjithë jetën e tyre: tokat, shtëpitë dhe familjet. Por babai im kishte thënë se nuk i bënte për asetet dhe se nuk do t’i rrezikonte fëmijët dhe bashkëshorten”, shtoi ai.

Ujkani ka thënë se, derisa familja e tij e ngushtë ishte me fat, shumë të afërm të tij humbën jetën në luftë.

Lexo edhe :   Kosova do të sigurojë mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech

“Unë i humba dy xhaxhallarë dhe bashkëshortet e tyre dhe bashkëshorten e kushëririt tim me të bijën. Thënë shkurt, këto janë ndodhi të rënda të luftës.  Ne humbëm gjithçka sepse të gjitha shtëpinë e familjes sime në Kosovë u dogjën për toke. Familja ime u desh t’ia niste nga zeroja.”/Gazeta Express/