Këngëtarët shpesh hasen me akuza, sharje të shpeshta. Ka nga ata të cilët i kalojnë me mjaft sportivitet, sikundër dhe nga ata personazhe të cilët nuk e kapërdijnë lehtë. Një ndër to është edhe këngëtarja Rosela Gjylbegu, e cila është mjaft selektive në daljet e saj. Ajo ka sjellë në fokus konfliktet me Olti Currin dhe Encën, ku ende nuk është pajtuar.
Në vitin 2016-të, Rosela e etiketoi Oltin me fjalën ”balenë”, dhe duke thënë se pjesëmarrja e tij në jurinë e ‘’Këngës Magjike’’ ishte e papërshtatshme, gjë e cila nuk u prit mirë nga opinionisti. Ndërsa sherri me Encën ndodhi vitin e kaluar, kur këngëtarja shkodrane deklaroi publikisht se nuk do të bashkëpunonte kurrë me të. Menjëherë erdhi reagimi i Encës, duke e quajtur Roselën “gjyshe”.
E ftuar në emisionin “Rreze dielli”, Rosela foli për herë të parë mbi këtë temë, duke pohuar se me dy personazhet nuk është pajtuar ende. “Jam munduar në maksimum, e para të mos kem konflikte me njerëzit, nuk jam natyrë konfliktuale. Tani ka njerëz që të bien në qafë, po patjetër. Më ranë në qafë tek të dy rastet. Po akoma nuk kemi mbërritur te pajtimi i gjaqeve. Unë mendoj që përgjigjen e dha vetë publiku. Unë nuk kam për çfarë të komentoj asgjë më shumë, asgjë më pak”, u shpreh Rosela.