Juventusi është në kërkim të një trajneri të madh, pasi pak ditë më parë komunikoi largimin e Allegrit nga bankina bardhezi. Të shumtë kanë qenë emrat që janë përfolur se janë në kontakte me presidentin Agnelli, por deri tani nuk ka asgjë zyrtare.
Cristiano Ronaldo, ylli i Juventusit ka bërë një sugjerim te drejtuesit, ai ka kërkuar që të marrin Jose Mourinhon. Menjëherë dirigjenca e “Zonjës së Vjetër” ka kontaktuar trajnerin portugez, i cili është i papunë pas shkarkimit nga Manchester United. Mourinho ka qenë i prerë në përgjigjen e tij: “Krenar për CR7 por tek Juve kurrë.”
Kjo përgjigje ka ardhur pasi Mourinho vlerëson shumë të shkuarën e tij si internist. Jose është idhull i tifozëve zikaltër, pasi në vitin 2010 arriti të fitojë tripletën e famshme dhe që prej asaj kohe është shprehur se është internist me zemër.
Por nga ana tjetër Juventusi nuk ka ndenjur në vend dhe është hedhur në sulm për Pep Guardiolën, i cili do të largohet nëse Manchester City përjashtohet nga Champions League. Madje zërat janë se Guardiola ka arritur një marrëveshje me Juventusin dhe pritet që shumë shpejt të firmosë një kontratë 4-vjeçare.