Prokuroria në Prokuplje të Serbisë ka nisur një hetim për një grup njerëzish që ndërmjetësojnë martesat mes serbëve me vajzat shqiptare.
Hetimi ka marrë shkas nga një rast i ndodhur së fundmi në Prokuplje të Serbisë, ku një serb ka pranuar se ka paguar 1.500 euro për t’u martuar me një shqiptare, por kjo e fundit është arratisur pak orë pas dasmës.
Siç shkruan kurir.rs, Prokuroria në Prokupljr i ka nisur një kërkesë Prokurorisë në Shqipëri për t’i ndihmuar që të mbledhin të dhëna për këtë rast.
Identifikohen të dyshuarit
Dyshohet se pas mashtrimeve qëndron një grup që ndërmjetëson martesat e meshkujve serbë me vajzat shqiptare dhe se ky është vetëm një nga disa rastet e mashtrimeve që grupi ka kryer.
“Personat që dyshohen si përgjegjës për mashtrimin janë identifikuar dhe procedurat po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë në Shqipëri”, tha Boro Zecevic, një zëdhënës i Prokurorisë në Prokuplje për Kurir.
Serbi i dëmtuar mësohet se përmes një agjencie që drejtohej nga një grua, arriti të gjente një vajzë për martesë.
“Ai u lidh me ta nëpërmjet telefonit. Ranë dakord që të paguante 1.500 euro dhe ata do t’i sillnin një vajzë për t’u martuar. Pak ditë më vonë, një vajzë e re e shoqëruar nga një grua u shfaq në Prokuplje. Me to ishte një burrë, i cili iu prezantua dhëndrit si xhaxhai i vajzës”, tha burimi për Kurir.
Burri i ri kishte shkuar me ta në shtëpinë e dhëndrit, ndërsa ishte larguar pas pak orësh.
Më pas, ata ishin zhdukur, duke bërë që dhëndri as të mos kalonte natën e parë të martesës me vajzën. Serbi e kishte kuptuar se shqiptarët e kishin mashtruar, prandaj ai vendosi që t’u kërkonte ndihmë organeve hetimore.
Madje, përveç 1500 eurove, ai kishte paguar edhe rrugën e tyre.
Raste të ngjashme mashtrimesh ka plot në Serbi, por viktimat nuk i denoncojnë ato për shkak të turpit.
Megjithatë, duhet thënë se vitet e fundit, qindra djem nga zonat rurale në Serbi kanë një martesë të shëndetshme me vajza nga Shqipëria. Përshtati TIRANA TODAY