E diel, 16 Janar, 2022
10.5 C
Tirana

Rënia e rrezikshme e diplomacisë amerikane

Nga Michael Rubin “Nacional Interest”

Efektiviteti diplomatik i SHBA-së është në rënie. Ndërsa progresistët e vlerësojnë multi-polaritetin dhe rolin e organizatave ndërkombëtare, tipari kryesor i të dyjave është erozioni i ndikimin të Uashingtonit në to. Edhe dinamikat e diplomacisë bashkëkohore amerikane, kanë ndryshuar.

Ka ikur koha e konsensusit dhe qëndrueshmërisë së gjerë të politikës së dyanshme. Në vitet e fundit, të dy presidentët Barak Obama dhe Donald Trump, u shfaqën më të motivuar të bënin të kundërtën e paraardhësve të tyre, sesa të ndiqnin ndonjë logjikë më të gjerë strategjike. Vende të tëra – Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Kuba, Rusia dhe Ukraina – janë bërë lojtare të rëndësishme në skenën globale.

Ndërkohë, shumë diplomatë profesionistë mendojnë se problemet që prekin diplomacinë amerikane janë të rënduara nga Departament i Shtetit që nuk ka burime të mjaftueshme në dispozicion. Sigurisht, është e mundur që DASH të bëjë më shumë me një buxhet më të madh, por do të ishte gabim të barazohen burimet me efektivitetin.

Xhejk Sallivan dhe Daniel Benaim, dy nga këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të ish-zëvendëspresidentit Xho Bajden, argumentojnë se të paktën në Lindjen e Mesme, “diplomacia mund të ketë sukses, atje ku ka dështuar forca ushtarake”. Ndjenja të tilla mund të jenë retorikisht të kënaqshme, por jo të vlefshme në praktikë.

Diplomacia mund të jetë një mjet i vlefshëm, por ajo nuk është një ilaç. Dhe as diplomacia dhe strategjitë ushtarake, nuk përjashtojnë reciprokisht njëra-tjetrën. Kur presidenti apo Sekretari i Shtetit udhëton jashtë vendit, ai merr gjithmonë me vete disa ndihmës, madje edhe shumë gazetarë.

Për shembull, gjatë vizitës që Xhorxh W.Bush kreu në Londër në vitin 2003, ai shoqërohej nga 250 pjesëtarë të Shërbimit Sekret, 150 këshilltarë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, 200 përfaqësues të departamenteve të tjera qeveritare, 50 ndihmës politikë, dhe afro 100 gazetarë.

Përtej tyre ishte kuzhinieri i tij personal, ndihmësit personalë, 4 kuzhinierë të tjerë, mjekë dhe ekipi presidencial i qenve që nuhasin, prej 15 anëtarësh. Ndërkohë, kur Obama vizitoi Indinë, delegacioni i tij rezervoi 800 dhoma hoteli, disa prej të cilave u bllokuan për arsye sigurie, dhe shumë prej tyre u mbushën me ndihmës dhe gazetarë.

Në Australi shkoi me 500 njerëz. Gazetarët mund të paguajnë pjesën e tyre të shpenzimeve të udhëtimit, por sërish e fryjnë delegacionin. Ndoshta ka ardhur koha për të ndryshuar përbërjen e këtyre delegacioneve. “Judicial Watch” ka të drejtë kur thotë se ka shumë hapësirë për reforma në drejtim të kufizimit të punonjësve të qeverisë, të kualifikuar për të shoqëruar eprorin e tyre.

Por, problemi kryesor është se gazetarët sjellin përfitime politike afatshkurtra, dhe bëjnë pak për të zgjeruar pozicionin diplomatik të Amerikës. Në të gjithë botën, aleatët por edhe kundërshtarët e SHBA-së, e kanë ndryshuar natyrën e delegacioneve të tyre.

Në vend se ta rrethojnë veten me dhjetëra ndihmës dhe dhjetëra gazetarë, ata udhëtojnë me biznesmenë. Megjithëse amerikanët befas janë bërë më mosbesues ndaj kapitalizmit, dhe Trump e ka rritur ndjeshmërinë në lidhje me konfliktet e interesit, lidhjet e biznesit vendosin një bazë më të fortë në marrëdhëniet dypalëshe, më shumë sesa retorika diplomatike apo bashkëpunimi ushtarak.

Për shembull, presidenti francez Emmanuel Makron, mori 50 biznesmenë të njohur me vete gjatë një vizite që zhvilloi në janarin e vitit 2018 në Kinë. Drejtuesit kryesorë të biznesit dhe kulturës, e shoqëruan Makronin në një vizitë të ngjashme po atë muaj në Tunizi.

Kur ri-vizitoi Kinën në nëntor 2019, ai mori me vete një sërë biznesmenësh. Kancelarja gjermane Angela Merkel bën të njëjtën gjë. Përfaqësues të disa prej kompanive më të mëdha gjermane, e kanë shoqëruar atë në udhëtimet zyrtare si në Uashington ashtu edhe në Pekin. Në shkurtin e vitit 2013, kryeministri britanik Dejvid Kameron mori me vete përfaqësues nga ndërmarrjet e vogla, të mesme, dhe të mëdha gjatë vizitës që kreu në Indi. Edhe pasardhësja e tij, Tereza Mej, bëri të njëjtën gjë gjatë vizitave të saj në Japoni, Afrikën e Jugut, Kenia dhe Nigeri.

Kjo praktikë nuk ndiqet vetëm nga vendet e mëdha. Princesha e Belgjikës Astrid shkoi në Indi me 300 biznesmenë belgë. Në nëntorin e vitit 2017, presidenti çek Millosh Zeman vizitoi Rusinë me delegacionin më të madh të biznesit çek në 25 vjet, që përfaqësonte 132 kompani.

Japonia , Koreja e Jugut dhe Izraeli, veprojnë në të njëjtën mënyrë. Kundërshtarët e Amerikës, e kanë lidhur prej kohësh me efektivitet biznesin dhe diplomacinë. Presidenti rus Vladimir Putin, ka marrë me vete krerët kryesorë të biznesit rus gjatë vizitave të tij në Indi, Arabinë Saudite dhe Vietnam.

Biznesmenët turq, e shoqërojnë kudo që shkon presidentin Rexhep Taip Erdogan. Kina ka kohë që e ka bërë biznesin shtyllën qendrore të strategjisë së saj të ndikimit jashtë shtetit, edhe pse ndonjëherë e përdor borxhin për të përfituar favore diplomatike dhe pajtueshmërinë e vendeve kreditore.

Historia e kapitalizmit amerikan, tregon se menaxhimi i mençur mund të zgjerojë burimet për të gjithë. Nuk duhet që projeksioni i forcës, të jetë baza e vetme për fuqinë amerikane. Forca është e domosdoshme për të mbrojtur rendin liberal të pas Luftës së Dytë Botërore, dhe për të penguar forcat e këqija që të mbushin boshllëkun, por marrëdhëniet e vërteta të qëndrueshme dhe të forta, do të bazohen në lidhjet e biznesit, të dobishme reciprokisht.

Si Kongresi ashtu edhe diplomatët, ankohen shumë shpesh se Amerika mbetet vetëm. Nëse SHBA do të mësonte nga aleatët dhe kundërshtarët, dhe të ri-shpikte diplomacinë për shekullin XXI, ajo do të mund të ruante realisht madhështinë amerikane dhe fuqinë ekonomike, dhe bashkë me të rendin liberal, dekada që solli lirinë dhe shpëtoi botën nga mjerimi, por që tani qëndron në një terren shumë të rrëshqitshëm.

Burimi i lajmit: https://nationalinterest.org/blog/middle-east-wsatch/dangerous-decline-us-diplomacy-170945

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shuhet legjenda e futbollit shkodran, e mundi sëmundja

Një sëmundje e rëndë ka mposhtur legjendën e futbollit shkodran, Ramazan Rragami, i cili u shua në moshën 77-vjeçare. Rragami vuante prej vitesh nga një...

Falsifikimi i dokumenteve/Gjykata liron nga burgu vëllain e Sheila Haxhiraj

DVP Lezhë në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe atë të Elbasanit, finalizuan operacionin “Identiteti”. Nga finalizimi i operacionit, pas tre muajsh hetime, u zbulua...

Misteri afrikan: Pse C*vid-19 ka shkaktuar më pak vdekje se kudo tjetër?

Nga: Federico Giuliani “Il Giornale Është një kontinent i madh, rreth 7 herë më i madh sesa Bashkimi Evropian, dhe i banuar nga pothuajse 1.5 miliardë...

“Basha është pronar i basteve”/PD ia kthen Berishës: Mashtrues kronik!

Partia Demokratike ka përgënjeshtruar akuzat e ish-kryeministrit Berisha, ku tha se kryedemokati Basha është pronar i basteve. Shigjetimet e Berishës ndaj Bashës erdhën nga...

Zgjedhjet lokale, kurthi pervers i Metës për Bashën

Nga: Andi Bushati Pak kohë përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse Presidenti i Republikës e ka tejkaluar rolin e tij për të qënduar mbi...