Forcat Speciale u krijuan në vitin 1982, si Batalioni 326 kundër demostratave, nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Deri në shembjen e diktaturës, ato u përdorën vetëm 2 herë në përleshje të armatosura, përfshirë zbarkimin e grupit të Xhevdet Mustafës.
Në nëntorin e 1991-it, Batalioni 326 u ri-organizua në RENEA dhe FNSH. Efektivët e RENA-s i nënshtrohen një procesi të rreptë stërvitjeje dhe seleksionimi që zgjat 3 muaj. Pasi e kalojnë fazën e parë, ata trajnohen për 9 muaj të tjerë, ndërsa vetëm pas 3 vitesh, një rekruti të kësaj njësie mund t’i lejohet të marrë pjesë në operacionet e shpëtimit të pengjeve.
Pjesëtarët e RENEA-s, i nënshtrohen vazhdimisht trajnimeve nga agjentë të FBI-së amerikane. Nga viti 1991 e deri më sot negociatorët e RENEA-s kanë zgjidhur pa përdorur dhunën, më shumë se 500 nga 600 raste, që përfshijnë nga pengmarrjet tek aktet e armatosura. Ajo ka humbur 3 efektivë në operacionet e saj, dhe ka pasur më shumë se 40 të plagosur rëndë.
Gjatë trazirave të vitit 1997, RENEA-s iu besua ruajtja e rezervave monetare dhe arit të Bankës Kombëtare. Ajo u angazhua ndërkohë në rimarrjen e komisariateve të policisë, dhe garantuar kthimin e policëve në detyrë. Ndërkohë vitet 1998-1999, kanë qenë më të vështirat për këtë njësi elite të policisë shqipare. RENEA u angazhua shpesh në përleshje me bandat e shumta në mbarë Shqipërinë, duke vënë në pranga apo vrarë dhjetëra eksponentë të njohur të krimit të organizuar.