Problemi i ujit të pijshëm është shumë i ndjeshëm për qytetarët. Retorika dhe deklaratat politike janë njëra anë dhe nevoja jetike për ujin i cili është burim jete tejkalon gjithçka tjetër.
Vlen të theksohet se fundi i sistemit komunist te ne erdhi pikërisht kur në katër vitet e fundit ai regjim vendosi të zhvillonte një reformë uji. Reforma e ujit në sistemin komunist nisi më 1987 dhe në 1990 nuk ishte përfunduar akoma. Por në vitin 1990 kjo parti e humbi besimin e shqiptarëve dhe të gjithë u ngritën në revolta popullore. Sigurisht nuk ishte arsye kryesore pse ra regjimi por ishte e prekshme.
Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, historiani Kastriot Dervishi në një postim në rrjetin social “Facebook” shkruan në atë kohë, me punët komunale merrej Ministria e Ekonomisë Komunale, ndërsa sot, i gjithë Këshilli i Ministrave, si “bashki e madhe”, i ka shumë qejf shfaqjet komunale.
“Meqë së shpejti do të nisë një aksion apo “operacion” kombëtar për çështjen e ujit, po nxjerrim mallin me një gjë të ngjashme të këtij lloji që i takon fillimit të vitit 1990. Në atë kohë, me punët komunale merrej Ministria e Ekonomisë Komunale, ndërsa sot, i gjithë Këshilli i Ministrave, si “bashki e madhe”, i ka shumë qejf shfaqjet komunale,” shkruan në Dervishi në “Facebook”
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tha se 2018 është viti në të cilin qeveria e tij do të arrijë të vërë në zbatim reformën e ujit. Rama tha se konsumatorët e ujit kanë afat deri në 1 shkurt të këtij viti për të të legalizuar lidhjet e paligjshme falas. Në një takim me drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Fier për të diskutuar mbi reformën e ujit, Rama deklaroi se pas 1 shkurtit çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit (lajmin e plotë lexoje këtu). Më herët Rama ka folur dhe për vendosjen e sahateve në puset e familjareve që e përdorin ujin për nevojat e familjes por kur u ndesh me reagimet e njerëzve në rrjetet sociale u tërhoq nga kjo nismë.
Rama flet për ndëshkime dhe reforma të ujit ndërsa qeveria komuniste merrte në shqyrtim faktin se nuk kishte plotësuar reformat për furnizimin me ujë te fshatrave dhe qyteteve dhe i jepte objektivat Ministrisë së Ekonomisë komunale se çfarë duhet të bënte.
“Njoftim mbi realizimin e detyrave në aksionin kombëtar të ujit të pijshëm. përmirësimin e furnizimit me ujë të qyteteve gjatë viteve 1987-1989 dhe detyrat që dalin për plotësimin e planit të vitit 1990.
Detyra që shtroi Sekretariati i KQ të partisë në muajin prill 1987, kur mori në analizë punën e bërë në aksionin kombëtar për furnizimin me ujë të pijshëm, të bollshëm të fshatrave e qendrave të banuara dhe përmirësimin e furnizimit me ujë qyteteve të vendit, në zbatim të direktivave të Kongresit të 9-të, Ministria e Ekonomisë komunale, së bashku me seksionet e ndërmarrjet komunale në rrethe, i zbërtheu dhe i programoi“, shkruhet në njoftim.Gjithashtu sot kryetari i Bashkisë së Tiranës vendosi të rrisë me 44% çmimin e ujit për qytetarët e Tiranës, vendim ky që u miratua në Këshillin Bashkiak të Tiranës me 31 vota pro. Megjithatë, kjo lëvizje e Veliajt duket se nuk është pëlqyer nga kryeministri Rama, të cilit një vendim i tillë mund t’i prishë shumë punë politikisht. Një ndër arsyet përse Rama mund të ketë marrë këtë vendim është me siguri edhe përkeqësimi i imazhit në sytë e qytetarëve (lajmin e plotë lexoje këtu). Ndoshta reformat me ujin do të jetë pika e madhe e ndarjes së qytetarëve me Ramën dhe Veliajn, ashtu si u humb pushteti në vitin 1990.